BlogEditorialKryesoreOpinions

Alegori mbi rolet shoqërore dhe kompetencën

Nga Arben Isaraj-

Një ditë, në një fshat të qetë në kufi të Europës, u takuan agronomi, inxhinieri, ekonomisti, juristi dhe vendosën të ndërronin profesionet me njëri-tjetrin. Ishin të lodhur nga rutina dhe menduan se bota ishte aq e thjeshtë sa secili mund të bëhej çfarë të donte, mjaftonte dëshira.
• Agronomi u bë inxhinier dhe nisi të ndërtonte ura si të mbillte grurë.
Agronomi e njeh tokën, por jo domosdoshmërisht betonin.
“Ajo ura është pak e lakuar,” i thanë fshatarët.
“Po e kam bërë që t’i shmanget erërave,” u përgjigj ai.
Ura u shemb përpara se të mbaronte vjelja e parë.
Rezultati: infrastrukturë imagjinare, bilanc negativ dhe shumë shërbime emergjence.
• Inxhinieri mendon në mënyrë lineare: input → proces → output. Ekonomia nuk funksionon kështu; ekonomia është një sistem i hapur me shumë të panjohura.
Por. inxhinieri u bë ekonomist dhe vizatoi tabela dhe formula perfekte.
“Me këtë plan,” tha inxhinjeri, “inflacioni nuk ka si të mos zbresë.”
Por plani i tij ishte aq i rregullt sa realiteti i ç’rregulluar nuk pranoi të hynte në të. Tregu i fshatit u bë më i trazuar se kurrë.
Rezultati: modele perfekte në letër, por realitet kaotik.
• Ekonomisti zakonisht mendon me funksione, prirje dhe probabilitete. Por e drejta ka nevojë për norma të qarta dhe interpretim.
Por, ekonomisti u bë jurist dhe kur i kërkuan të japë një mendim për një mosmarrëveshje mbi ndarjen e tokës.
Ai tha: “Ka 60% gjasa ta ketë fajin ky dhe 40% ai tjetri.” Fshati mbeti pa drejtësi, por me shumë statistika.
Rezultati: shteti i së drejtës u shndërrua në shtetin e analizës kosto–përfitim dhe ligjet u interpretuan si grafiqe.
• Juristi e njeh mirë konfliktin e interesave, por jo domosdoshmërisht pH-në e tokës. Ai mund të bëjë kontratë të shkëlqyer për mbjelljen e grurit, por gruri nuk rritet me nenet e Kodit Civil.
Por, juristi u bë agronom dhe ai “mbolli” kontrata në vend të farave dhe firmosi “urdhra” për shi.
“Shiu do të bjerë sipas nenit 12, pika 3 të Kodit Civil!” shpalli ai me solemnitet.
Por toka nuk i lexon ligjet. As retë.
Rezultati: prodhim i ulët, burokraci e lartë.
Pas disa javësh, fshati mbeti pa ura, pa treg, pa drejtësi dhe pa bukë. Atëherë të katërt u mblodhën sërish, pasi secili e kuptoi se:
a. Dija e njohur është më e vlefshme se dëshira e kotë, dhe se fshati që ngatërrohet me rolet, ngatërron edhe fatin e vet.
b. Fshati ecën drejt kur secili ndodhet në vendin ku di, dhe jo në vendin ku mendon se mund të duket i rëndësishëm. Kompetenca nuk është kapriço, por themel.
Në heshtje, u kthyen tek profesionet e tyre. Dhe fshati, më në fund, mori frymë.
Mirë fshatit të vogël që iu prish dhe pastaj iu rregullua qetësia, por c’farë ndodh në një shoqëri kur profesionistët nuk janë aty ku duhet:
1. Vendimet marrin formë artificiale, të shkëputur nga realiteti;
2. Institucionet dëmtohen, sepse funksionojnë pa kompetencë substanciale;
3. Rreziku social rritet, pasi gabimet profesionale prekin sigurinë, ekonominë, drejtësinë dhe jetën e përditshme;
4. Besimi publik bie, sepse njerëzit shohin që rolet nuk funksionojnë;
5. Efikasiteti shoqëror shembet, pasi seicili bën atë që nuk di ta bëjë.
Në thelb: ndodh “kaos i butë” dhe “mediokritet i fortë”. Nuk është thjesht çështje individësh, por strukturash: shoqëria që zëvendëson kompetencën me improvizim krijon një spirale rënëse.
Shoqëria funksionon kur profesionet respektohen, seicili e ka rolin e vet dhe përgjegjësinë e vet.
Kur një agronom bën punën e juristit dhe një jurist bën punën e agronomit, rezultati nuk është kreativitet, por është dështim sistemik, sepse humbet përputhja midis dijes dhe detyrës.

Artikuj të lidhur

Back to top button