Aktualitet/LajmeKryesoreNdodhiPolitikeRajoni

Albin Kurti: Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar! Të ngrihet gjykatë speciale ndërkombëtare për të gjykuar ‘Sarajevo Safari’

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në konferencaën e dytë ndërkombëtare të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës “Nga lufta në rimëkëmbje”.

Axhenda e kësaj konference, e cila shtrihet përgjatë tri ditëve, përfshin sesione mbi kujtesën, dëshmitë, traumën, memorializimin, dhunën seksuale gjatë luftës, personat e zhdukur, përvojat e fëmijëve në luftë, si dhe mbi rrugët e drejtësisë dhe të shërimit.

Në fjalën e plotë të mbajtur gjatë konferencës, Kurti ka komentuar sërish procesin gjyqësor për liderët e UÇK-së, për të cilët Prokuroria e Hagës ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin. Kurti thotë se lufta e UÇK-së ishte e domosdoshme për liri dhe jo nga dëshira për dhunë apo pushtet.

“Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme, për liri dhe mbijetesë, jo nga dëshira për dhunë apo pushtet. Ajo ishte përgjigje ndaj një regjimi shtypës, ndaj represionit sistematik deri në aparteid dhe mohimit të të drejtave themelore të popullit tonë deri në gjenocid. Seancat gjyqësore që po zhvillohen aktualisht në Hagë nuk mund të vënë në dyshim karakterin çlirimtar e antikolonialistë të luftës sonë, as aspiratën legjitime të Kosovës për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor”, tha ai.

 

Më tej, ai rrëzoi pretendimet e ekzistencës së “Shtëpisë së Verdhë” në Shqipëri, një kullë dykatëshe në një fshat afër Burrelit, ku sipas raportit të komisionerit zvicerian Dick Marty, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e përdorte për t’u hequr organet serbëve të rrëmbyer dhe të vrarë, me qëllim tregtimin e tyre.

Por ajo që thekson Kurti është se ka dëshmi e fakte për një “Sarajevo Safari” që thuhet se ka pasur rol presidenti serb Vuçiç.

“Sarajevo Safari” që përmend kryeministri i Kosovës, është një film dokumentar slloven i vitit 2022 me regji të Miran Zupanič. Në të thuhet se gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1992-1996, nisi një lloj turizmi lufte që përfshinte organizimin e safarive ku të huajt e pasur paguanin shuma marramendëse për të qëlluar drejt civilëve duke qëndruar në pozicionet e snajperëve të Ushtrisë së Republikës Srpska.

Filmi tërhoqi vëmendje të madhe dhe nxiti diskutime që më pas çuan në hapjen e hetimeve zyrtare nga Zyra e Prokurorit të Bosnje e Hercegovinës në nëntor 2022 dhe Zyra e Prokurorit në Milano të Italisë në 2025.

“E ashtuquajtura ‘Shtëpi e Verdhë’ në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarë të UÇK-së, por është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë, e iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev më 15 prill 2008, pra as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. ‘Shtëpi të Verdhë’ nuk ka, por ka gjithnjë e më shumë informacione, dëshmi e fakte se ka pasur ‘Sarajevo Safari’ ku rol thuhet të ketë pasur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, me ç’rast për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjak civilë me snajperë në qytetin e rrethuar në fillim të viteve ’90. Për të hetuar e gjykuar krimet e ‘Sarajevo Safari’ do të duhej të angazhohej ndonjë gjykatë speciale ndërkombëtare”, tha Kurti.

 

Kryeministri shprehet se shteti ka për detyrë të sigurohet që “krimet të mos relativizohen e as të harrohen”. Në kuadër të kësaj, është bërë një kërkesë zyrtare lidhur me arkivat e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Në këto arkiva janë dokumentuar në nivel ndërkombëtar krimet në Kosovë. Instituti do të bashkëpunojë me Mekanizmin Ndërkombëtar Rezidual për një qendër informacioni që do të të siguronte qasje në materialet publike të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

“Në këtë frymë, kemi bërë kërkesë zyrtare lidhur me arkivat e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar që çdo vendim për të ardhmen e tyre të garantojë qasje të barabartë dhe dinjitoze për viktimat dhe institucionet tona. Këto arkiva përbëjnë një pjesë tejet të vlefshme të dokumentimit ndërkombëtar të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, dhe për këtë arsye ato janë të pandashme nga puna kërkimore, dokumentuese dhe arkivore që zhvillohet sot në Kosovë. Instituti, si mekanizëm shtetëror për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës, është i gatshëm të bashkëpunojë me Mekanizmin Ndërkombëtar Rezidual për krijimin e një qendre informacioni dhe dokumentimi në Kosovë, i cili do të siguronte qasje në materialet publike të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), dhe të mbështesë kërkimin shkencor dhe edukimin, e të forcojë integritetin e kujtesës kolektive në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kjo është një lidhje natyrore ndërmjet drejtësisë ndërkombëtare dhe përgjegjësisë sonë kombëtare për ruajtjen e së vërtetës”, tha Kurti.

Artikuj të lidhur

Back to top button