BlogEditorialKryesore

A “bën politikë” me vendimet e saj Gjykata Kushtetuese?

Nga Arben Isaraj-

Në një rend demokratik dhe kushtetues, Gjykata Kushtetuese përfaqëson një nga institucionet themelore të kontrollit të pushtetit. Pyetja nëse ajo “bën politikë” është një nga debatet më të ndërlikuara në teorinë bashkëkohore të së drejtës kushtetuese. Kjo çështje prek kufirin delikat ndërmjet funksioneve juridike dhe atyre politike, si dhe mënyrën se si interpretohet dhe zbatohet Kushtetuta në kontekste dinamike shoqërore dhe institucionale.
• Funksioni juridik i Gjykatës Kushtetuese
Në parim, Gjykata Kushtetuese ushtron një funksion juridik të pastër. Ajo ka për detyrë të garantojë supremacinë e Kushtetutës, të kontrollojë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe të mbrojë të drejtat themelore të individit. Siç theksonte Hans Kelsen – një nga juristët dhe filozofët më me ndikim të shekullit XX dhe një nga mendimtarët që formësoi thellësisht konceptin modern të Gjykatës Kushtetuese dhe kontrollit të kushtetutshmërisë – gjykata kushtetuese është “ligjvënësi negativ”, që nuk krijon ligje, por shfuqizon ato që bien ndesh me Kushtetutën.1
Në të njëjtën linjë, në sistemin kushtetues shqiptar “funksioni kryesor i Gjykatës Kushtetuese është të garantojë ndarjen e pushteteve dhe të ruajë rendin kushtetues, pa ndërhyrë në fushën e politikës aktive”.
• Dimensioni politik i pasojave
Megjithatë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë pashmangshmërisht pasoja politike.
Kur ajo shfuqizon një ligj që ndikon zgjedhjet, shpërndarjen e Kuvendit apo kompetencat e institucioneve të larta qëndrore apo vendore, ajo ndikon drejtpërdrejt në ekuilibrat politikë të vendit. Siç shprehet profesori dhe studiuesi amerikan Alec Stone Sweet, gjykatat kushtetuese “qeverisin përmes vendimeve”, sepse çdo interpretim i Kushtetutës ndikon realisht në politikëbërje.2 Gjykatat kushtetuese, vazhdon ai, mund të veprojnë si “legjislatorë suplementarë” (“adjunct legislators”), në fushat ku procesi ligjor, interpretimi dhe ekzekutimi ndërthuren. Kjo do të thotë që vendimet kushtetuese jo rrallë kanë karakter politik në efektin e tyre.
Pra, edhe kur motivimi është juridik, efekti është politik dhe kjo nuk e delegjitimon rolin e gjykatës, por e bën atë një aktor neutral në rregullimin e lojës institucionale.
• Aktivizmi gjyqësor dhe politika e Kushtetutës
Në teorinë kushtetuese bashkëkohore është zhvilluar koncepti i “aktivizmit gjyqësor”, që nënkupton tendencën e gjykatave për të interpretuar Kushtetutën në mënyrë të zgjeruar, duke ndikuar kështu në drejtimin e politikave publike.
John Hart Ely, një nga mendimtarët më të rëndësishëm të së drejtës kushtetuese në Shtetet e Bashkuara. argumenton se – “roli i gjykatave është të garantojnë procesin demokratik, jo ta zëvendësojnë atë; gjykata duhet të ndërhyjë vetëm për të korrigjuar shtrembërimet e përfaqësimit politik.”3
Duke u bazuar në teorinë e Ely:
Gjykata Kushtetuese nuk duhet të bëjë politikë në kuptimin e përfaqësimit të interesave partie politike, por ka një rol të caktuar politik në kuptimin që vendimet e saj ndikojnë në kushtet demokratike: kur procesi politik është i dëmtuar, ajo ndërhyn për të ruajtur barazinë dhe pjesëmarrjen. Ajo duhet të jetë një ruajtëse e procesit demokratik, jo një vendimmarrëse politike që përcakton vlera të reja sipas bindjeve personale. Kur Gjykata Kushtetuese shfuqizon ligje që pengojnë zgjedhjet, kufizojnë të drejtën e votës, ose diskriminojnë pakicë, sipas Ely: ajo “politikon” në kuptimin që përdor pushtetin juridik për të siguruar kushte demokratike, por jo për të ndjekur agjenda politike.
Në kontekstin shqiptar, një interpretim i gjerë i kompetencave të Gjykatës Kushtetuese mund të çojë drejt një “aktivizmi të tepruar”, i cili “rrezikon të zhvendosë balancën e pushteteve dhe të krijojë një gjyqësor me ndikim politik të pajustifikuar.”
• Dallimi thelbësor: arsyetimi juridik vs. qëndrimi politik
Dallimi që ndan një vendim juridik nga një vendim politik qëndron në motivimin dhe metodën e arsyetimit.
Një vendim është juridik kur bazohet në interpretim të normave kushtetuese, parimeve të përgjithshme të së drejtës dhe jurisprudencës së konsoliduar; përkundrazi, ai është politik kur udhëhiqet nga interesa apo qëllime të pushtetit.
Ronald Dworkin, juristi dhe filozofi i së drejtës amerikano-britanik, i njohur për ndikimin e madh në mënyrën se si interpretohet Kushtetuta dhe se si gjykatat duhet të veprojnë në “rastet e vështira” (hard cases) ku ligji nuk jep përgjigje të qartë.. theksonte se – detyra e gjykatës është të “marrë të drejtat seriozisht”, pra t’i mbrojë ato përtej interesave politike të momentit.
Në përfundim: Gjykata Kushtetuese nuk bën politikë në kuptimin e formësimit të saj, por nuk mund të shmangë pasojat politike të vendimeve të veta.
Ajo ndodhet në kufirin delikat ndërmjet së drejtës dhe politikës, dhe legjitimiteti i saj qëndron në:
– pavarësinë institucionale,
– arsyetimin e qartë juridik,
– respektin për ndarjen e pushteteve, dhe
– besimin publik se ajo është rojtarja e Kushtetutës, jo aktore e lojës politike.
Bibliografi referuese:
1.Hans Kelsen, Wer soll der Hüter der Verfassung sein? (Berlin: Franz Deuticke, 1931).
2.Alec Stone Sweet, Governing with Judges: Constitutional Politics in Europe (Oxford: Oxford University Press, 2000).
3.John Hart Ely, Democracy and Distrust: A Theory of Judicial Review (Cambridge, MA: Harvard University Press, 1980).
4.Ronald Dworkin, Taking Rights Seriously (Cambridge, MA: Harvard University Press, 1977).

Artikuj të lidhur

Back to top button