Aktualitet/LajmeEkonomiKryesore

Taksa e pronave, nuk do të ketë përjashtime për kategoritë në nevojë! Zbardhet plani i qeverisë

Qeveria nuk do të aplikojë përjashtim nga taksa e pasurisë për grupet vulnerabël dhe kategoritë e tjera, që deri më tani nuk kanë paguar.

Në strategjinë afatmesme të të ardhurave 2024-2027 thuhet se në vitin 2018 u miratuan ndryshimet në skemën e taksimit të pasurive të paluajtshme ndërtesa, duke kaluar nga taksa me kuotë fikse për m2 , në taksën “ad valore”, pra me përqindje mbi vlerën e pasurisë së paluajtshme-ndërtesë.

Kjo reformë u shoqërua me krijimin e Kadastrës Tatimore dhe të Regjistrit të pasurive të paluajtshme, ku evidentohen pasuritë e paluajtshme, pronarët, vendndodhja, vlera e pronës dhe të dhëna të tjera. Miratimi i ligjit u shoqërua me vendosjen e disa përjashtimeve nga pagesa e taksës.

Nga vlerësimet paraprake të bëra nga qeveria, vërehet se disa përjashtime duhet të eliminohen, si dhe ka hapësirë që të mund të rritet edhe norma e taksës së pronës. Këto ndryshime do të reflektohen në ligjin e ri “Për taksën e pasurisë së paluajtshme”, po hartohet me asistencën e Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim (SIDA) dhe do jetë në proces konsultimi publik.

Në draft argumentohet se duke qenë se të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të pushtetit vendor, është e nevojshme që përjashtimet të mbahen në nivele minimale dhe ndërkohë, lehtësirat tatimore për grupet vulnerabël duhet të ofrohen nëpërmjet mekanizmave dhe formave të tjera. Strategjia parashikon që në tremujorin e parë të vitit të bëhet finalizimi i Sistemit Informativ të Kadastrës Fiskale (SIKF), si dhe ndërveprimi i tij me sistemet e tjera dhe shtrirja në bashki.

Të bëhet pilotimi, ndërtimi i kapaciteteve dhe institucionalizimi i procedurave për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme, popullimin dhe mirëmbajtjen e të dhënave të pasurisë së paluajtshme në SIK. Sistemi i ri i taksimit do të nisë aplikimin nga 1 janari 2026. Aktualisht, taksa mbi pasuritë e paluajtshme në Shqipëri kontribuon në masën 0.3% të PBB-së, ndërkohë që të ardhurat mesatare që gjenerohen nga taksa e pronës në vendet e tjera të rajonit janë rreth 0.8% e PBB-së.

Artikuj të lidhur

Back to top button