Aktualitet/LajmeSociale

Situata e gripit të shpendëve në vend, Ministria e Bujqësisë mesazh për fermerët e qytetarët

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar lidhur me situatën për Influencën Aviare, i njohur ndryshe edhe si gripi i shpendëve.

Përmes një njoftimi për publikun, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural se situata në vend është nën kontroll dhe nën monitorim të vazhdueshëm.

Po ashtu në njoftim thuhet se ky infeksion mund të parandalohet vetëm nëpërmjet zbatimit të masave të biosigurisë me qellim uljen e nivelit të ekspozimit ndaj virusit i cili përhapet me rrugë ajrore dhe ato të kontaktit me shpendët portatorë, të egër dhe migratorë për në fermat dhe oborret familjare, të cilët mbarështojnë shpendë.

Duke qenë se dy prej rasteve në vatrat aktuale pozitive janë të pranishëm në specie të shpendëve të egër, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ftuar fermerët dhe qytetarët të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me qëllim raportimin në kohë të çdo dyshimi.

Reagimi

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të transparencës dhe komunikimit me publikun informon qytetarët se situata për Influencën Aviare në vend është nën kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm, nëpërmjet strukturave në qendër dhe atyre rajonaje.

Sëmundja e Influencës Aviare e konfirmuar edhe në vendin tonë, është një sëmundje e një rëndësie të vecantë dhe me përhapje mbarëbotërore. Sipas komunikimeve të vazhdueshme në faqen zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve sëmundja aktualisht është e pranishme në mjaft shtete të tjera, të cilët zbatojnë programe kontrolli dhe mbikqyrjeje të njëjta me vendin tonë. Ky infeksion mund të parandalohet vetëm nëpërmjet zbatimit të masave të biosigurisë me qellim uljen e nivelit të ekspozimit ndaj virusit i cili përhapet me rrugë ajrore dhe ato të kontaktit me shpendët portatorë, të egër dhe migratorë për në fermat dhe oborret familjare, të cilët mbarështojnë shpendë.

Që prej konfirmimit të rastit të parë është në fuqi dhe mblidhet në rend ditor Qendra Kombëtare e Krizës për sëmundjen e Influencës Aviare me përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Brendëshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Instituti i Shëndetit Publik për koordinimin e veprimeve dhe marrjen e informacionit mbi masat e marra nga Qendra Rajonale të Krizës, e cila ka identifikuar Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes (3 km) dhe mbikqyrjes (10 km) për tre vatrat në Zall Herr, Nartë, Paskuqan dhe asaj të konfirmuar ditën e sotme 09.01.2025 në Lagunën e Karavastasë.

Prej rastit të parë të konfirmuar Shërbimi Veterinar Rajonal ka marrë të gjitha masat e duhura për monitorimin e situatës shëndetësore të shpendëve të butë, për izolimin e infeksionit me qëllim parandalimin e përhapjes duke vijuar komunikimin me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura për monitorime dy-palëshe të faunës së egër në zonat lagunore e ujore të mbrojtura. Është bashkëpunuar me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për monitorimin dhe testimin e personave të kontaktit, teste të cilat deri më tani kanë rezultuar negative, me Njësitë e vetëqeverisjes vendore në Bashkitë e prekura, si dhe me Policinë e Shtetit për zbatimin e Urdhrave të Ministrit të Bujqësisë në fuqi për marrjen e masave parandaluese të përhapjes së virusit të Influencës Aviare nëpërmjet ndalimit të lëvizjes së shpendëve të gjallë jashtë fermave, të ndodhura në Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes dhe mbikqyrjes.

Duke qenë se dy prej rasteve në vatrat aktuale pozitive janë të pranishëm në specie të shpendëve të egër, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural fton fermerët dhe qytetarët të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me qëllim jo vetëm raportimin në kohë të cdo dyshimi nëpërmjet komunikimit të shpejtë në numrin e gjelbër 08003366, por dhe zbatimit rigoroz të masave të biosigurisë dhe kufizimit të ekspozimit të shpendëve në mjedise të hapura, për të ulur nivelin e riskut të kontaktit me shpendët e egër dhe migratorë. (A2 Televizion)

Artikuj të lidhur

Back to top button