Nga Dashnor Kokonozi-
Te libri i tij «Sapiens. Një histori e shkurtër e njerëzimit», Yuval Noah Harari shpreh një ide që nuk më bindte shumë. Thotë ai se gjuha e njeriut lindi jo thjesht si mjet mbijetese i evolucionit për t’i komunikuar njëri-tjetrit rrezikun (gjë që e mendoja edhe une), por sepse njerëzit si qenie sociale kanë nevojë të flasin e prrallisin me njëri-tjetrin. (saktësisht nuk më kujtohet termi por për ata që përtojnë të lexojnë librin unë para ca vitesh i kam bërë një paraqitje të gjatë te Peizazhe të fjalës).
Se po të ishte thjesht për t’i komunikuar rrezikun njëri-tjetrit, thotë ai, këtë e bëjnë fare mirë edhe minjtë, bletët, delfinët, majmunet etj., por te asnjë nga këto kafshë nuk doli nevoja të zhvillojë atë kod zanor komunikimi deri në gjuhë të vërtetë e komplekse, sikundër njeriu.
Tani ndërkohë kisha parasysh jo vetëm ato që thuheshin për eksperimentet që ishin bërë që në kohët mitologjike të Solomonit etj., por më konkretisht atë të një mbreti indian, që kishte mbyllur disa fëmijë në një dhomë dhe aty i ushqenin me porosinë që kujdestarët e tyre të mos shqiptonin asnjë fjalë në prani të tyre.
Pritej që kur të bëheshin në moshë për të folur, fëmijët do të flisnin «gjuhën e perëndisë ».
Nuk ndodhi kështu. Fëmijët vetëm se ulërinin.
Lexoj sot se një eksperiment të tillë e ka bërë edhe Frederiku i Dytë (1194-1250), perandori i Perandorisë së Shenjtë romake. Veçse ky është më i dokumentuar.
Se në çdo kohë është diskutuar një problem i tillë. Kështu pra, me porosi të perandorit disa bebe u mbyllën diku dhe ata që kujdeseshin kishin porosi të mos ndërvepronin e mbi të gjithë të mos u flisnin.
Mendohej më shumë se kur të rriteshin, fëmijët do të flisnin një nga gjuhët me të cilën ishin shkruar tekstet e shenjta pra, hebraishtja, gjuha greke apo arabe. Kishte që mendonin edhe për gjuhën e prindërve të tyre.
Frederiku nuk e mori vesh kurrë. Në mungesë të ndërveprimit dhe komunikimit, fëmijët vdiqën.
Del që prof. Harari ka të drejtë, gjuha është shumë më tepër se një mjet komunikimi thjesht për të siguruar mbijetesën.
Por duhet shtuar se nga sa kam parë te aparati bibliografik i librit të tij, ai veçse ka marrë dhe ka sjellë përfundimet më të fundit nga kërkues të shquar të fushës.
Gjithsesi, libri është i shkelqyer.