KryesoreKulture

Botohet në Spanjë “Vallëzim me hënën” i shkrimtarit Namik Dokle

Këto ditë u botua në Madrid libri i legjendave të Gorës, shkruar nga Namik Dokle dhe përkthyer në spanjisht nga María Roces Gonzáles. Botuesja, Cristina Herreros Ferreira, në përcjellsen e librit shkruan:

“ Në krahinën ballkanike të Gorës, e ndarë në tre shtete, e banuar nga goranët; me të folmen e tyre të veçantë, me rrënjët e origjinës në një lashtësi heretike, është fshati Borje, në pjesën shqiptare të kufirit, ku dielli lind dy herë në ditë dhe hëna perëndon dy herë natën, ku dihet se tre vajza kanë vallëzuar me hënën, ku rriten bimë dhe lule të shenjtëruara, zogjtë e Gorës këndojnë çdo pranëverë nëpër botë për t’i lajmëruar goranët të kthehen për festën e ndritur të Shën Gjergjit; atje ka ditë që hapet edhe qielli për të plotësuar dëshirat e njerëzve, ka yje që bien në prehërin e nuseve të fshatit, ka këngë e melodi që e çajnë edhe gurin dhe, aty jeton edhe një plakë treqind vjeçare që rrëfen kronikën dhe kujtesën e të gjithë kohërave.

Në këto troje ballkanike dhe legjendare udhëton Namik Dokle, i prirë nga bashkëbanorët mitikë të krahinës së tij, të cilët, për herë të parë, si në shqip edhe në spanjisht, përshfaqen në një libër.”

Kopertina dhe ilustrimet e legjendave janë realizuar nga Jesús Gabán, fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare për ilustrimin e librave të autorëve spanjollë dhe të huaj.

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button