Nga Sebastian Zonja-
Vit pas viti, ndërsa Kosova konsolidon shtetin e saj, ftohja me Tiranën sa do vijë e do shtohet. Interesat shtetërore nuk do konfigurohen dot në çdo nivel, sado romantikë të tregohemi. Aktualisht, ftohja mes Tiranës dhe Prishtinës po shkon drejt niveleve absurde dhe meriton vëmendje nga qytetarët shqiptarë kudo ku ndodhen, të cilët mendojnë se duhet të udhëtojmë tok në Bashkimin Evropian, por edhe pasi të mos ketë më BE.
Disa konstatime:
1. Kryeministri Edi Rama dhe homologu Albin Kurti e përdorin politikën e jashtme për përfitime të brendshme. Edi Rama pak më shumë, pasi ka nëpërkëmbur edhe postin e presidentit të Republikës veç të jetë ai protagonisti kryesor.
2. Rivaliteti mes tyre ka prodhuar tensione te shqiptarët më Luginë, Shkup dhe Podgoricë. Përveç retorikës politike, shqiptarët në këto treva s’kanë pasur asnjë përfitim tjetër.
3. Shqiptarët e Luginës dhe të Maqedonisë janë të defaktorizuar pasi nuk kanë akses në kapitalin e madh të vendeve përkatëse – nuk janë faktor ekonomik. Sa biznesmenë nga Prishtina apo Tirana kanë shtrirë influencën e tyre në Serbi apo Maqedoni? Ka plot eksportues serbë në Prishtinë dhe Tiranë.
4. Diplomacia nuk shërben për me u marr vesh me miqtë por me armiqtë. Logjika e thjeshtë se mund të funksionojmë si shqiptarosferë nuk ka dallim nga ajo hegjemone serbe e sllavosferës në Ballkan. Por nuk është kaq e thjeshtë.
5. Edhe pse gjithë ditën ka retorikë politike, Sanxhaku që është i rëndësishëm për të bashkuar myslimanët shqiptarë me ata boshnjakë po defaktorizohet përditë nga Serbia ndërsa në merremi mustaqet e Çelos.
6. Edi Rama dështoi me sukses në Shqipëri për të luftuar korrupsionin dhe e lidhi shtetin me krimin. Sot po vuajmë pasojat. Ndërkohë, ka gjetur portin ku ankoron dështimet e veta – fajin e ka Saliu.
7. Kosova s’ka pasur asnjë investim të rëndësishëm strategjik vitet e fundit. Po ashtu, retorika se 20 vjet Kosova u shkatërrua është e njëjta me këtë në Tiranë se shtet bën vetëm Edi Rama, pasi e kishte temë fushate në vitin 2013.
8. Albin Kurti nuk është i korruptuar si Edi Rama, por detyrës kryesore me çu përpara mbylljen e problemit të shtetësisë së Kosovës po i bën bisht duke akuzuar opozitën se nuk do Kosovën, të shitur, apo se fajin ja ka Edi Rama ( i cili ka shumë faktikisht). Pavarësinë e shpalli Hashim Thaçi, ushtrinë e krijoi Ramush Haradinaj, tani ngelet me u mbyll shtetësia.
Në ftohjen mes Tiranës dhe Prishtinës po ndikojnë të dy, kush më shumë e dikush më pak. Pas 10 vjetësh mund të mos jetë asnjëri prej tyre në pushtet, por do pendohemi pse kemi madhëruar dy emra pushtetarësh përpara interesave jetësore që kemi si komb në afatgjatë.