Nga Muharrem Jakupi-
Komedia e njohur “Zonja nga qyteti” e shkrimtarit Ruzhdi Pulaha përfaqëson një nga arritjet më të spikatura të artit skenik shqiptar të periudhës së realizmit socialist. Shikuesit e kanë njohur këtë vepër si kinokomedi, e xhiruar sipas tekstit të shkruar. Përmes humorit dhe ironisë komedia trajton çështje të rëndësishme sociale dhe ideologjike të periudhës. Në qendër të subjektit qëndron Ollga, një personazh kompleks dhe qesharak, e cila është vendosur në konflikt me parimin partiak “të jetojmë e punojmë atje ku ka nevojë atdheu”. Ollga është nga qyteti i Korçës, ku jeton vetëm me të bijën, Melin. Befas vajzën e emërojnë infermiere në fshatin Marenë, transferim që “zonjës nga qyteti” i bie si gjëmë. Ajo fillon të ankohet kundër këtij emërimi, por shkon ta zbatojë, duke mos e zënë gjumi pa i gjetur Melit një burrë në qytet, fakt që do ta mundësonte rikthimin e tyre në Korçë. Mirëpo pas vendosjes në fshat, Meli bie shumë shpejt në dashuri me Bujarin dhe ëndrra “qytetare” e Ollgës shuhet përfundimisht. Vajza e re paraqitet plotësisht e integruar në jetën e fshatit, si një ndër banorët e zakonshëm të tij.
Struktura fabulative përcaktohet nga përplasja ndërmjet mendësisë “prapanike” mikroborgjeze të Ollgës dhe “jetës së re socialiste”, nga ana tjetër. Si “qytetare” ajo nuk ka aspak simpati për fshatin dhe shfaq hapur nënvlerësim, madje edhe përbuzje për fshatarët. Përgjithësisht ajo shfaqet posesive, kurse ndaj së bijës ekzagjerohet edhe si fanatike, nga frika se mos afrohet me djemtë në fshat dhe lidhet me ta. Ollga karakterizohet si një grua tepër këmbëngulëse, egoiste, autoritare, sidomos krenare për origjinën e saj qytetare dhe përpiqet të imponojë vlerat e saj në një kontekst rural-bujqësor i cili për të është i papranueshëm në çdo aspekt. Komizmi i Ollgës ndërtohet duke ironizuar përpjekjet e saj energjike për të vendosur rregullat dhe bindjet e saj individualiste në një mjedis ku zotëron fort kolektivizmi dhe harmonia sociale, të paraqitura si të detyrueshme, të përgjithshme dhe të përsosura.
Në fakt, në qendrën ideore të veprës qëndron Meli, sepse ajo përbën modelin, tashmë të kristalizuar, se si Ollga duhet të jetë, duke u shtjelluar si karaktere në kontrast të plotë. Ajo, së bashku me shokët e shoqet e reja që gjeti në fshat, simbolizon jo thjesht moshën e re, por më tepër “njeriun e ri socialist.” Rënia e saj shumë shpejt në dashuri me një djalë që jetonte e punonte në fshat është njëherësh edhe vendim i marrë për t’u martuar e qëndruar në fshat. Ky aspekt kryesor i intrigës është vënë në funksion të pranimit të vlerave të reja kolektiviste, njëherësh edhe për të sfiduar mendësitë e vjetra të Ollgës. Fundi i komedisë feston pikërisht këtë kurorëzim triumfal të brezit të ri, duke e zhvendosur vëmendjen te Meli si bartëse e mesazhit ideologjik.
Në aspektin tematik vepra i shërben luftës kundër “mbeturinave mikroborgjeze” – një nga qëllimet qendrore të realizmit socialist si art me funksion kryesor edukimin e njeriut të ri me ndërgjegjen socialiste. Në këto rrethana ishte e pritshme që Ollga të përballej me mospranimin e qëndrimeve e koncepteve të saj, duke filluar që nga kolektivi i njerëzve që e rrethojnë në fashat e sidomos nga sekretari i partisë, Sala. Të gjithë këta përfaqësojnë mishërimin në praktikë të vlerave dhe parimeve të kolektivizmit. Pritet që Ollga të riedukohet me normat që burojnë nga direktivat zyrtare dhe krijohet përshtypja sikur pikërisht kjo gjë ndodh. Por analiza e vëmendshme e njëfarë ndryshimi formal, i cili krijon iluzionin e një transformimi të Ollgës, na zbulon se ajo asnjëherë nuk del hapur kundër vijës politike, por as e pushon luftën për arritjen e qëllimit të saj të kundërt. Megjithatë ky gjoja transformim i Ollgës në fund të komedisë zbulon një fakt paradoksal. Shpjegimi i tij përbën edhe arsyen e sjelljes së interpretimit të komedi “Zonja nga qyteti” në këtë punim.
Nga këndvështrimi im, nuk rezulton se Ollga u transformua si një copë hekuri që e vendosën mbi kudhrën e partisë për ta farkëtuar ndryshe, por ajo thjesht u dorëzua përballë rrethanave që, përfundimisht, ja krijoi e bija. Prej Melit erdhi në fshat, prej saj gjithashtu u detyrua të qëndrojë përgjithmonë aty, madje të bëhet artificialisht “një shoqe nga fshati”, sikurse del në kinokomedinë pasuese me këtë titull. Edhe pse Ollga u përpoq gjer në minutën e fundit që t’i gjente së bijës një burrë në qytet, Meli nuk e ka për gjë të lidhet menjëherë me një djalë aty në fshat. I gjithë ai moralizim dhe propagandë që i bëhej Ollgës përditë, nga mëngjesi në darkë, nga të gjithë njerëzit dhe nga të gjitha anët, pëlcasin si flluska sapuni, pa efekt real. Kështu që atë e “transformoi” “në shoqe fshati” vetëm zgjedhja individuale e Melit, e karakterizuar si një “flamurtare e së resë”.
Për sa i përket “rolit qendror të klasës punëtore dhe të komunistëve në veprat artistike”, ka ende për të folur. Sepse i gjithë mjedisi paraqitet si një joshës i animizuar ku çdo njeri apo objekt duket sikur ka gojë për t’i pëshpëritur Ollgës vijën e partisë dhe për t’i treguar bukuritë e idealizuara të mënyrës së jetesës si dhe të peizazhit të tipit “turistik”. Dhe shfaqet sikur Ollga “mikroborgjeze” nuk u reziston dot më ftesave dhe thirrjeve për të qëndruar aty. Nga ana tjetër, struktura fabulative nuk përmban brenda asnjë kushtëzim tjetër, veç atij që Ollga gjer në fund nuk heq dorë nga ideja e saj “qytetare”, por që pas dështimit ajo detyrohet ta paraqesë shkatërrimin e dëshirës së saj si një gëzim të madh! Kjo e ekspozon Salën si fitues të sfidës së vet përmes rrethimit material e ideologjik. Dhe ironia bën që prej një “zonje nga qyteti”, për vetëm disa muaj, përftohet si me magji “njeriu i ri” Ollgë. Unë nuk mendoj se këtë shndërrim e paracaktojnë konvencionet e komedisë si lloj letrar, edhe pse humori sigurisht krijon efekte zbutëse dhe artifice që duket sikur lejohet ta anashkalojnë disi determinizmin social të karakterit. Është fakt i prekshëm që Ollga nuk u vendos në fshat me bindje e vullnet të lirë. Liria dhe e drejta e saj e zgjedhjes u thërrmuan nën thundrën e detyrimit si për të ikur nga qyteti, ashtu edhe për t’u salduar në fshat. Përfundimisht ajo kapitulloi përballë rrethimit të organizuar dhe të vazhdueshëm që i bëhet, të cilat ishin të dhunshme dhe cinike. Kundërshtarët e saj në vend se ideologë, paraqiten si demagogë, gjersa thjesht e shpërfillën dëshirën e saj për të mbetur në qytet. Pa këtë lloj trajtimi të temës kjo komedi nuk mund të ishte shkruar, por duke u shkruar kështu ajo kënaqi publikun naiv, vetëm se duke e edukuar atë me dhunën ndaj të drejtave të individit. Katarsisi nuk duket të jetë një pastrim, por njollë në ndërgjegjen e pandjeshme të spektatorit, i cili mësohet të fetishizojë vetëm “sakrificat gladiatore” përkundër nevojave e ndjeshmërive të tjera njerëzore.
Vija e partisë në vepër mishërohet përmes Salës, sekretari i partisë në kooperativën e fshatit Marenë. Ai përfaqëson autoritetin ideologjik të sistemit, edhe pse në komedi është vënë në një pozitë të dyfishtë. Sepse, nga ana tjetër, ai bën përpjekje të vazhdueshme personale dhe miqësore për ta bindur Ollgën të pranojë jetën e fshatit. Atij nuk i shkon ndër mend se edhe Ollga ka të drejtë të zgjedhë dhe jo vetëm të detyrohet. Për të arritur qëllimet e tij, sigurisht ai duhet të bjerë në situata që e bëjnë komik, gjë që e ul solemnitetin e tij, duke u treguar si një nevojtar dhe i përulur ndaj Ollgës kokëfortë e tekanjoze. Mirëpo ushtrimi i rolit të tij nuk është pa pasoja. Ai e humb një pjesë të autoritetit nga nevoja për t’u pranuar në botën qesharake të Ollgës, sepse duhet të përshtatet me natyrën humoristike që e kërkon vetë zhanri i komedisë. Në fakt, qëllimi i tekstit ka qenë që në këtë poezitë Sala të duket më njerëzor dhe më i afërt me spektatorët, i simpatizuar prej tij. Mirëpo duke luajtur “lojën e butë” me Ollgën, pikërisht në prani të saj, ai tregohet qartazi i dhunshëm dhe kërcënues ndaj Tirkës – një binjak i figurës së Ollgës, i cili edhe ai kishte të metën e madhe se synonte qytetin. Kërcënimi i egër i Tirkës është njëherësh edhe mësim për Ollgën, përmes “pedagogjisë së shembullit”. Ky detaj është shumë përcaktues për ndikimin e vërtetë të figurës së komunistit, të cilët jo vetëm me anë të autoritetit të padukshëm të partisë-shtet që përfaqësojnë, por ata dalin edhe haptas kur nuk u shkon demagogjia mashtruese.
Personazhet e tjerë ndihmës, sikurse xha Bakua, shërbejnë në intrigë si ndihmës për ecurinë e ngjarjeve. Ata përfaqësojnë jetën e thjeshtë të fshatit, ku spikatin harmonia, familjariteti dhe bashkëpunimi midis njerëzve. Por kjo klimë e krijuar në vepër, për të qenë anti-Ollgë, jo gjithmonë arrin ta bindë këtë përmes moralizimit dhe sloganeve propagandistike, pasi ajo gjer në fund vazhdoi këmbëngulshëm në qëllimin e saj për ta kthyer Melin përsëri në qytet. Që ta nënshtrojnë Ollgën, të gjithë rrotull saj, siç e kërkon komedia, duhet të ulen në nivelin e thurjes së kurtheve komike me qëllim që të realizonin “edukimin komunist” të saj. Prandaj edhe Sala duket se i lë mënjanë kostumet zyrtare, në funksion të barazimit të niveleve të komunikimit me të. Mirëpo Ollga është qesharake prandaj edhe llastimet që i bën asaj e vënë Salën në rolin e propagandistit, si në rastet kur i flet Ollgës me fjalë të ligjërimit të saj, edhe kur i flet me terma të ligjërimit të partisë. Si përfundim, figura e tij përballë Ollgës e nxjerr Salën hipokrit dhe mashtrues. I vërtetë ai është vetëm në rastin e kërcënimit të Tirkës. Çka duhej të mbahej e fshehur doli në shesh. Nga sinteza e këtyre dy kategorive përftohet e ulëta!
Theksuam se komedia synon të dëshmojë domosdonë e triumfit të vlerave socialiste mbi mendësitë mikroborgjeze. Gjithsesi paradokset e brendshme të saj janë të dukshme. Ollga nuk transformohet për shkak të procesit të ndonjë ndërgjegjësimi, po për shkak të zgjedhjes së fortë të së bijës. Meli as që do të dijë për përpjekjet e së ëmës dhe e sfidon atë pa asnjë mëdyshje a vrarje ndërgjegjeje. Kjo mënyrë përfundimi të çon në deduksionin që propaganda ideologjike për të ndikuar te individi nuk bëri efektin e duhur. Motivet e interesave dhe zgjedhjeve individuale rezultojnë më të thella dhe më të forta. Në vazhdimin e të njëjtave ngjarje brenda subjektit të komedisë tjetër të të njëjtit autor – “Një shoqe nga fshati” – duket sikur paraqitet një Ollgë e transformuar dhe e penduar për konceptet dhe veprimet e saj përbuzëse ndaj fshatit. Por më tepër se e integruar së brendshmi, ajo i nënshtrohet rrethanave dhe logjikës së realitetit, ku s’ka ç’të bëjë tjetër, veçse të përshtatet. Pra, edhe komedia e dytë, e cila është shkruar për të plotësuar mangësitë e së parës, nuk thotë më shumë sesa pohimi i mposhtjes dhe përshtatjes, në vend se të bindjes së brendshme të Ollgës. Kjo e kishte të paravendosur kushtin e fortë për të jetuar me Melin kudo qoftë, pra, edhe në fshat. Në fund të fundit, argumenti dhe mjeti i vetëm për të mos e lënë të bijën në fshat ishte mundësia e martesës së Melit me një djalë në qytet, gjë që nuk u realizua. Të gjithë djemtë e qytetit vuanin nga patologjitë. Ollga jo se nuk e dëshiron më këtë kthim, por i nënshtrohet logjikës së jetës, sidoqoftë me njëfarë optimizmi, por edhe brenge të brendshme, të cilën komedia manipulon për ta mohuar. Nëse një ditë Melin mund ta emërojnë instruktore në komitetin e partisë në Korçë, me siguri Ollga do ta braktisë menjëherë fshatin duke shkuar pas së bijës me më shumë gaz sesa gazmon e shtirur në fshat! Kontradikta e brendshme midis Ollgës dhe jetës në fshat faktikisht nuk shuhet, edhe pse vepra është ndërtuar në mënyrë që t’i hapë rrugën fundit të lumtur. Në fund Ollga feston kurorëzimin e së bijës – një lidhje ngushëlluese. Ndoshta duke ëndërruar një emërim në qytet. Psikologjia e njeriut është e vështirë.
Komizmi është një kategori estetike që lind nga paraqitja e situatave, sjelljeve ose ideve të cilat shkaktojnë të qeshurën, duke nxjerrë në pah kontradiktat, paradokset, absurditetin dhe defektet në jetën njerëzore. Ai krijon një efekt emocional që përmban elemente humori, ironie ose satire dhe mund të jetë një mjet për kritikën sociale apo thjesht për zbavitje. Por duhet saktësuar se komizmi që krijohet rreth figurës së Ollgës është ideologjikisht i paracaktuar nga këndvështrimi dhe kriteret e realizmit socialist. Nisur edhe nga porositë e E. Hoxhës, një figurë me të meta siç është Ollga duhet të bëhet objekt kritike dhe ironie, ndërsa jeta kolektiviste dhe shoqëria socialiste duhet të paraqiten si të drejta dhe të përligjura historikisht. Nga çdo kënd analitik, në komedinë “Zonja nga qyteti” vërtetohet se komizmi i përdorur është ideologjikisht i njëanshëm, gjersa figurat e tjera, veç Ollgës, paraqiten të imunizuar prej tij – pavarësisht batutave dhe situatave humoristike shumë të gjetura, adresuar ndaj kujtdo, pa dallim. Pikërisht tendenca ideore në përzgjedhje i jep komizmit karakter edukativ, pasi kooperativizmi si alternativa e vetme e mundshme nuk ironizohet asnjëherë, përkundrazi, idealizohet. Prandaj mund të themi me siguri se kjo cilësi e shndërron komedinë me përparësi në mjet propagandistik. Komizmi është selektiv dhe i paracaktuar. Atij i mungon paanësia sepse nuk i lejon publikut të ndjejë empati ose të analizojë në mënyrë kritike çdo kontradiktë shoqërore dhe njerëzore.
“Zonja nga qyteti” është vlerësuar si një nga komeditë më të suksesshme të realizmit socialist, duke kombinuar humorin e lehtë (popullor) me mesazhet ideologjike të kohës. Por edhe kjo komedi tregon se parimet e propozuara nga Enver Hoxha për triumfin e ideologjisë socialiste përmes pranisë së vijës dhe ideologjisë së partisë në veprat e realizmit socialist, përmes pranisë fizike të përfaqësuesve të klasës punëtore tregon se nuk është zgjidhje e suksesshme, sepse bie ndesh me mjetet sesi arti e bën ndikimin e vet në shoqëri. Edhe kjo komedi vuan nga moralizimet dhe propaganda e pastër, siç vuan edhe nga ethet për ta tërhequr shikuesin përmes reklamës së jetës së fshatit, duke paraqitur një vend utopik dhe jo një fshat realist ku shpesh dreka e kooperativistëve në arë ishte vetëm bukë misri e ngjyer në sheqer dhe një shishe me dhallë të thartë.
Si konkluzion: pavarësisht se Ollga dorëzohet nën detyrimin material të rrethanave familjare, triumfi i Melit dhe i brezit të ri simbolizon fitoren ideologjike të socializmit mbi mentalitetin e vjetër. Në fakt dhe realisht, fundi i komedisë paraqet një “lumturi të dyfishtë”: martesën e Melit dhe triumfin e propagandës socialiste. Integrimi i Ollgës në fshat është një rezultat i imponuar nga dashuria e së bijës dhe asnjëherë një zgjidhje e dëshiruar nga vetë ajo. Kjo e bën lumturinë e Ollgës ironike dhe e thekson dështimin e saj për të ruajtur identitetin qytetar. Komedia propagandon sakrifikimin e plotë të vetjakes apo individuales ndaj kolektives. “Zonja nga qyteti” është një komedi që, ndonëse përmbush kërkesat e realizmit socialist, sjell një tension midis ideologjisë, të drejtave të njeriut dhe humanizmit. Ajo reflekton sfidat dhe paradokset e asaj kohe, arsye për të cilat ajo ka mbetur një vepër me rëndësi historike. Në aspektin artistik ajo nuk afron vetëm reklamën naive për “jetën e re” dhe “njeriun e ri”, por mishëron edhe modelin zyrtar të pasuksesshëm të artit si dhe qartëson shkaqet e lëvizjes masive nga drama e fortë drejt komedisë ose dramës hibride.
© copyright Muharem Jakupi