BlogEditorialKryesore

Pse zgjedhim atë që nuk besojmë?

 

Nga Aldi Shehu-

Kontratat na lejojnë të punojmë me njëri-tjetrin, pa krijuar marrëdhënie besimi, por procesi është shumë më efikas kur ekziston besimi. Në shoqëritë ku të ardhurat dhe niveli arsimor është i ulët, shpesh është shumë më e lehtë për të marrë mbështetje në votime, bazuar në premtimin për përfitime individuale sesa në një axhendë të gjerë programore.

 

– Francis Fukuyama

Në një Shqiperi që ende nuk po gjen rrugën e saj drejt pjekurisë demokratike, ne përballemi me një sfidë themelore: mungesën e gjerë të besimit tek udhëheqësit e tanë politikë.

Në dy studime të fundit, zbulojmë një pasqyrë befasuese në psikikën kombëtare – gati gjysma e popullsisë “nuk ka aspak besim” tek politikanët. Ky zbulim hedh dritë mbi peizazhin politik të vendit, duke nxjerrë në pah një shkëputje të thellë midis pushtetmbajtësve dhe pushtet-vuajtësve, që këta të fundit supozohet të përfaqësojnë.

Çfarë e nxit këtë ndjenjë mosbesimi? Si ndikon në pjesëmarrjen politike dhe në procesin demokratik në Shqipëri?

Shkurt mbi Pjesëmarrjen Politike në Shqipëri!

Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve 1990, vendi ynë u transformua në një republikë demokratike, duke u hapur rrugën zgjedhjeve shumëpartiake dhe një ekonomie të bazuar në treg të lirë. Pavarësisht këtyre hapave drejt demokracisë, Shqipëria është përballur me paqëndrueshmëri të vazhdueshme politike, e karakterizuar nga disa ndërrime qeverish, skandale të mëdha korrupsioni, përplasje mes fraksioneve politike, dhe marrëveshjeve të fshehta.

Pjesëmarrja politike në Shqipëri, ndonëse teorikisht e fortë, shpesh pasqyron një ndjenjë të “domosdoshmërisë së lidhjes” në vend të besimit të vërtetë në sistemin politik. Pjesëmarrja e votuesve priret të jetë e lartë në zgjedhjet kombëtare, por kjo pjesëmarrje shihet shpesh si një formë detyrimi ose një mjet proteste, sesa një tregues i besimit në procesin demokratik. Diskursi politik në Shqipëri ka qenë shpesh i polarizuar, me partitë që përfshihen në mosmarrëveshje të nxehta që krijojnë një atmosferë ndarjeje, në vend të dialogut. Ky mjedis ambig, kontribuon në një perceptim publik se politika ka të bëjë më shumë me luftën për pushtet sesa me shërbimin, per zgjidhjen e nevojave të popullsisë.

Ndonëse është e vërtetë që Shqipëria ka bërë përparim në rrugëtimin e saj drejt BE, realiteti i korrupsionit të përhapur dhe mungesës së transparencës vazhdon të mundojë jetën publike. Ndërthurja e interesave të biznesit me pushtetin politik e përkeqëson më tej mosbesimin, teksa qytetarët e zakonshëm luftojnë të gjejnë sesi sistemi politik u sjell ndonjë përfitim. Si rrjedhojë, ka një tendencë në rritje mes shqiptarëve në Shqipëri dhe diasporës, për ta parë politikën si një platformë “ekskluzive”, të shkëputur nga nevojat e njerëzve të thjeshtë dhe rrjedhimisht, të mos i besohet.

Të dhënat

Për të kuptuar shkallën e mosbesimit në sistemin politik të Shqipërisë, dy sondazhe kryesore ofrojnë njohuri thelbësore për opinionin publik. Së pari, është Anketa Sociale Evropiane (ESS) që hedh dritë mbi perceptimin e publikut shqiptar për politikanët e tyre. Gati gjysma e të anketuarve treguan se “nuk ka fare besim” tek politikanët kur u pyetën: “Sa u besoni politikanëve tuaj?” Sondazhi përdori një shkallë nga 0 (që nuk përfaqëson fare besim) në 10 (që tregon besim të plotë). Rezultatet, të vizualizuara në figurën e bashkangjitur, tregojnë një përqëndrim të lartë të mosbesimit, me shumicën e të anketuarve të grupuar rreth 0, 1 dhe 2 pikë në grafik. Këto gjetje theksojnë një skepticizëm të rrënjosur brenda popullatës shqiptare ndaj përfaqësuesve të tyre politikë, të cilët presupozohet sjellin në jetë kontratën sociale.

Së dyti, “Opinion Poll 2023: Trust in Governance ” i UNDP-se, ofron një pasqyrë më koherente dhe gjithëpërfshirëse të besimit institucional në Shqipëri. Ky sondazh, i kryer me një kampion përfaqësues prej 2500 qytetarësh, zbulon se vetëm 25.5% e të anketuarve kanë shprehur besim “të madh” apo “bazë” te partitë politike, duke i renditur ato si institucionet vendase më pak të besuara. Kjo shifër është domethënëse pasi pasqyron një rënie prej 5 pikë përqindjeje nga viti i kaluar, duke sugjeruar një tendencë në rritje të mosbesimit ndaj partive politike. Në mënyrë të ngjashme, parlamenti ka një nivel besimi prej vetëm 29.1%, duke theksuar më tej perceptimin negativ të publikut për institucionet e brendshme politike. Për ironi, organizatatndërkombëtare si NATO (76.7%), OKB (74.3%) dhe BE (74.7%) janë institucionet më të besuara, pavarësisht se janë përfaqësuese të organizatave dhe organizmave ndërkombëtare. Midis institucioneve vendase, subjektet fetare (67%) dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) (60.3%) kanë nivele relativisht më të larta besimi, gjë që tregon se shqiptarët kanë më shumë besim në subjektet që shihen si të ndara nga korrupsioni politik. Në këtë drejtim, por jo vetëm, jemi në nivele të barabarta me vendet në një fazë shumë më të keqe të zhvillimit demokratik.

Shqiptarët i shohin liderët e tyre si të pabesueshëm dhe të pamundur për t’u mbajtur përgjegjës. Këto gjetje nga ESS dhe anketa e UNDP tregojnë qartë një model të qëndrueshëm të besimit të ulët tek aktorët politikë vendas, duke nxjerrë në pah një sfidë madhore me të cilën përballen shqiptarët – Pse zgjedhim atë që nuk besojmë?!

Zgjidhja ime

Duke pasur parasysh mosbesimin e përhapur ndaj institucioneve politike dhe udhëheqësve në Shqipëri, është thelbësore të identifikohen mënyra për të rivendosur besimin e publikut, për të forcuar normat demokratike dhe për të inkurajuar një pjesëmarrje më reale qytetare.

Një nga zgjidhjet më urgjente është rritja e transparencës dhe llogaridhënies brenda të gjitha niveleve të qeverisjes. Një temë kryesore që kontribuon në mosbesimin në Shqipëri është paqartësia e perceptuar e veprimeve qeveritare, me në krye mospërgjegjshmërinë nga zyra e kryeministrit, e cila nxit skepticizmin për mënyrën se si merren vendimet dhe si përdoren burimet. Miratimi i politikave të përditësuara të të “dhënave të hapura”, ku buxhetet e qeverisë, shpenzimet publike dhe vendimet e politikave bëhen lehtësisht të arritshme, mund të ndihmojë në zbutjen e këtyre shqetësimeve. Kur disponohet informacion i qartë dhe i besueshëm, bëhet më e lehtë që të mbahen përgjegjës zyrtarët. Kjo qasje, e shoqëruar me

zbatimin më të fortë të masave kundër korrupsionit, është jetike për rikthimin e besimit publik. Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka parë tashmë një rritje të besimit të publikut, duke treguar se rritja e rolit dhe burimeve të këtyre organeve antikorrupsion mund të luajë një rol të rëndësishëm në uljen e korrupsionit dhe rindërtimin e besimit.

Së dyti, sistemi i drejtësisë kërkon “të lihet në paqe” nga ndikimi politik, nje aspekt aq evident sa që bëhet grotesk. Kjo ide abuzive e vazhdimit të reformës në drejtësi, pengon që ky sistem të shihet si i drejtë dhe i pavarur. Besimi i publikut në një gjyqësor të paanshëm është thelbësor për besimin në qeverisje, pasi sigurohet që politikanët dhe zyrtarët trajtohen sipas të njëjtave standarde ligjore si qytetarët e zakonshëm – koncepte këto që nuk duhet të diskutohen më në shekullin që jetojmë. Procesi gjyqësor duhet të ketë si fokus kryesor, sidomos kur bëhet fjalë për çështje me interes të lartë publik, jo vetëm ndjekjen penale të korrupsionit,por edhe garantimin që i gjithë procesi ligjor, nga hetimi në gjykim, të jetë transparent, konsistent dhe efikas.

Së treti, nxitja e edukimit dhe angazhimit qytetar është thelbësor në tejkalimin e hendekut midis qytetarëve dhe udhëheqësve politikë. Shumë shqiptarë, veçanërisht qytetarët e rinj, kanë një apati politike thuajse instinktive, shpesh për shkak të ndjenjës së mungesës së shpresës ose mungesës së të kuptuarit të të drejtave dhe përgjegjësive të tyre brenda një sistemi demokratik. Programet edukative me fokus të drejtën e votës dhe rëndësinë e pjesëmarrjes aktive politike, duhet të jenë të pranishme që nga fazat e para të edukimit – jo për të orientuar politikisht ideologjitë e fëmijeve, por për të kultivuar një qytetar më të informuar dhe më të angazhuar. Përpjekje të tilla nuk duhet të kufizohen vetëm në shkolla, por duhet të shtrihen edhe në programet e komunitetit dhe iniciativat e shoqërisë civile. Shembujt e vetëm të këtyre “akademive” politike janë shembujt e dobët të metodave rekrutuese të partive politike.

Së fundmi, reforma e thellë e udhëhequr nga shoqëria civile, e vetë partive politike. Kjo do të thotë qe shoqeria civile, te bëhet një vëzhguese e zgjedhjeve brenda strukturave partiake, për të siguruar që këto parti të zgjedhin në mënyrë demokratike drejtuesit e tyre. Aktualisht, partitë veprojnë si subjekte vetë-shërbyese të shkëputura nga nevojat e qytetarëve të zakonshëm. Këtyre aktorëve të përfaqësimit u mungojnë mjetet dhe platformat bazë dhe sistematike për t’u angazhuar me nevojat tona. Kjo do të thotë angazhim i drejtpërdrejtë me komunitetet lokale, rekrutimi i kandidatëve të ndryshëm që janë përfaqësues të popullatës dhe prioritizimi i çështjeve që rezonojnë me publikun e gjerë, si zhvillimi ekonomik, mirëqenia sociale dhe arsimi. Në krahasim me partinë në pushtet, ky problem është gjithnjë e më i pranishëm tek opozita. Dy partitë tona kryesore, janë kthyer në mekanizma mbrojtjeje për liderët e tyre të vjetëruar, të cilët vazhdojnë të ushqejnë kampet e tyre mbështetëse me premtime të kalbura dhe plane jorealiste.

Rindërtimi i besimit në sistemin politik të Shqipërisë kërkon përpjekje të bashkërenduara për të rritur transparencën, për të nxitur reformën në drejtësi, për të angazhuar qytetarët nëpërmjet edukimit qytetar dhe për të krijuar mundësi kuptimplote për kontributin e publikut. Duke trajtuar si të metat sistematike ashtu edhe boshllëqet kulturore që i largojnë qytetarët nga liderët e tyre politikë, Shqipëria mund të ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt rivendosjes së besimit te demokracia dhe inkurajimit të pjesëmarrjes aktive dhe të informuar politike. Duhet të zgjedhim ate qe vertet besojmë!

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button