Nga Dashnor Kokonozi-
Dje, me rënien e natës, planetet vendosën të rreshtohen në një konfiguracion të veçantë. Ishte kjo që mungonte, me sa duket, që të ndodhesha përballë Paul MacCartney-t në koncertin e tij te Arena, Paris.
Eshtë e vërtetë që e ndiqnim prej vitesh, madje në ndonjë rast biletat për të na mbetën në dorë për shkak të Covid-19…
Mbrëmë, edhe pse e kisha para syve të mi, përsëri kishte diçka që nuk e integroja mirë në mendjen time. Shkurt e kisha të vështirë të bindesha se kisha para vetes dikë, këngët e të cilit (si i gjithë brezi im), kisha filluar t’i dëgjoj atëherë kur linim mësimet dhe ngjeshja veshin pas një Philipps-i të paraluftës.
Dhe pastaj asgjë. Boshllëk sideral. Në një farë mënyrë bota që i përkisnim (rastësisht e fatkeqësisht) u vetëzhduk nga historia, u tërhoq në një shpellë dhe vuri një gur para derës së saj… (Interpretimi i deformuar që i bënte asaj që ndodhte jashtë, ilustron më së miri drejtesinë e ideve te “Shpelles” së Platonit.)
E ndërkohë, që aty, në shpellë, prisnim që bota jasht të shëmbej, ajo në të vërtetë vetëm se rrotullohej hareshëm. Dhe ai Paul-i, kishte vazhduar koncertet e tij përqark globit…
Pra, duhej të shembej bota jonë që të gjendesha përballë tij (dhe zonja natyrisht, se ajo informohet vazhdimisht për koncertet), duke i bërë fresk vetes me programin e koncertit të Paul MacCartney- t në dorë.
E pabesueshme!
Do të desha të flas gjatë për harmoninë dhe ekuilibrin e programit, për dyshimin se do të ndeshja veç në hijen e asaj që ruaja në kujtesë etj., por është e tepërt. Gjithçka ishte ashu siç e kisha lënë. ai kishte forcen dhe sharmin e tij të pangatërrueshëm!
Veç dy detaje dua t’i përmend. E para kurrë nuk kisha shpresuar ta dëgjoja prej tij, live, një këngë që më ka pëlqyer shumë kur doli (dhe që e shoh se të tjerët nuk reagojnë kushedi se çfarë), “My Valenine.”
E dyta ishte se Paul-it i pëlqente që salla të këndonte me të. Linte kitarën varur në qafë dhe na drejtononte me duart e tij. “Ej, kjo është radha e grave të këndojnë, të heshtin burrat, tani burrat. Bukur, tani së bashku…”
Një atmosferë magjike!
Dhe kështu, bashkë me të kënduam deri vonë këngë të tilla si: Michelle, my belle, Let it be, Hey Jude, Ledy madona, Ob-la-di ob-la-da… Cdonjëra, duke na shkaktuar një turbullim kadence të frymëmarrjes.
Për dy orë e gjysmë ai burrë nuk u ul as edhe një çast: sa te kitara te piano.
Kur dolëm afër mesntës, qielli ishte i kthjellët e i ftohë, por ajo natë ishte vërtet e bukur, e paharrueshme, një hyjni e muzikës, i veshur si gentleman, kishte zbritur mes nesh…
(Disa foto i bërë si munda, por ndriçimi ishte i papërshtatshëm)