Aktualitet/LajmeKryesore

Veliaj reagon duke “mirëpritur” hetimet pasurore nga SPAK, vijon goditjen ndaj opozites dhe mediave

Nga Vitjon Nina-

 

Kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka reaguar përmes një publikimi në median sociale X, lidhur me hetimin pasuror që Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur ndaj familjarëve të tij të afërt, përfshi bashkëshorten, Ajola Xoxa.

Veliaj, bën të qartë që në fillim të publikimit, se ai “mirëpret dhe i mbështet veprimet e SPAK ndaj tij, apo familjarëve, në çdo hap”.

Megjithatë, nuk lë pa goditur mediat, për të cilat thotë se e shantazhojnë.

“U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie prè e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta”, përmend Veliaj në reagimin e tij.

Më tej, Veliaj thotë se ai dhe familjarët e tij do të jenë të hapur gjithmonë për veprime të tilla nga institucionet e drejtësisë. Por, “duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve”.

“Unë nuk bëj pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale. Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve, dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumë vjeçare të mosndëshkueshmërisë”, përmbyll publikimin Veliaj.

Hetimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka reaguar pas raportimeve se në banesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kishin zbarkuar agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët sekuestruan telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.

SPAK ka konfirmuar se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal.

“Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment”, thuhet në prononcimin e shkurtër për media.

Agjentët ishin edhe te selia e galerisë  “Harabel”, e cila ndodhet në zonën e ish-bllokut në Tiranë.

Xoxa është bashkëthemeluese e galerisë. Aty mësohet se kanë ushtruar kontrolle dhe kanë sekuestruar dokumente që kanë të bëjnë me hetimet e nisura në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.

Vetë Veliaj – sipas zyrës së tij për media – ndodhet në Hamburg të Gjermanisë, për një vizitë dy ditore, gjatë së cilës është pritur në një takim edhe nga Kryebashkiaku i Parë i Hamburgut, Peter Tschentscher.

Emri i kryebashkiakut është lakuar në disa çështje: Inceneratori i Tiranës dhe dosja e famshme “5D”.

Veliaj u paraqit në prill të këtij viti pranë ambienteve të SPAK ku qëndroi për gati shtatë orë.

Duke i quajtur hetuesit e Prokurorisë së Posaçme si “dy kolegë hetues profesionistë dhe të disiplinuar”, Veliaj tha se është treguar bashkëpunues me SPAK-un.

Kjo qoftë për t’i ndihmuar me mbarëvajtjen e punës, qoftë për çështje të dokumentacionit të nevojshëm.

Sakaq kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se qytetari i parë i Tiranës u pyet nga hetuesit e SPAK për aferën e Inceneratorit të Tiranës.

E kjo jo në cilësinë e kolegut dhe bashkëpunëtorit – ashtu siç deklaroi Veliaj – por për t’u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës.

Sakaq sa i takon dosjes së “5D-së”, tre drejtorë të Veliaj ndodhen në burg.

Inceneratori i Tiranës 

Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës.

Kjo duke argumentuar se hetimet kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy incineratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.

Sipas SPAK, projekti koncesionar i trajtimit të mbetjeve në Tiranë mori jetë pasi kryebashkiaku Veliaj i dërgoi qeverisë në janar të vitit 2016 një studim fizibiliteti të IFC-së për zgjerimin e landfillit të Sharrës bashkë me propozimin për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane në kryeqytet.

Projekti u udhëhoq më pas nga Ministria e Mjedisit, ku u përfshinë edhe dy biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto përmes një oferte të pakërkuar.

Dosja 5D

Sipas SPAK, dy ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, Mariglen Qato dhe Redi Molla janë pronarë de facto të kompanisë 5D, e cila ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë.

SPAK ka arritur në përfundimin se shumat monetare që janë përfituar nga shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k. kanë ardhur si rezultat i realizimit të kontratave publike të përfituara në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e prokurimit publik.

Shumat monetare të përfituara në mënyrë të parregullt nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k që përbëjnë “produkt” të veprës penale, pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet skemës së pagesave për punime fiktike.

Kjo duke u disponuar në gjendje “cash” nga pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare, si dhe pjesërisht janë ri-investuar në aktivitetin tregtar të shoqërisë tregtare të mësipërme.

Janë mbledhur prova të mëtejshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm  se shumat monetare të përfituara në gjendje “cash” janë përdorur më pas për të investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme

Artikuj të lidhur

Back to top button