Nga Arber Zaimi-
Në lojën Zvicër – Serbi që po luhet tani, tifozët serbë si zakonisht shovinistë po brohorasin “Kosovo Srbija”.
Komentuesi televiziv nga Shqipëria, i cili me siguri nuk i njeh fare as serbishten si gjuhë e as brohorimat nacionaliste serbe, gëzohet dhe thotë: dëgjoni tifozët se si po brohorasin “Kosova Shqipëria”.
Desha ta evidentoj këtë rast, sepse është shembull tipik për “politikën ballkanike” të Shqipërisë, që shpesh befason për keq shqiptarët në Kosovë e trojet e tjera etnike.
Shpesh iniciativat tiranase bazohen në keqkuptim dhe në mosnjohje të historisë e as të aktualitetit jugosllav e postjugosllav.
Në veshët e atyre që nuk dinë, brohorimat çetnike “Kosovo Srbija” mund të tingëllojnë ngjashëm me brohorimat çlirimtare “Kosova Shqipëria”. Po t’i shtosh keqkuptimit dhe mosnjohjes edhe ndonjë interes e allishverish në prapaskenë, atëherë mund të shpjegosh gjithçka, sa i përket përpjekjeve tiranase me synim ballkanik.
Nuk ka nevojë të pajtohesh për gjithçka me Albin Kurtin për të kuptuar se ai ka të drejtë kur thotë se Kosova mund ta dëgjojë Shqipërinë për gjithçka, por Shqipëria duhet ta dëgjojë patjetër Kosovën sa i përket raporteve me vendet ish-jugosllave e sidomos Serbinë.