Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2024, është 73,641 lekë, nga 64,706 lekë që ishte vitin e kaluar, duke u rritur kështu me 8,935 lekë ose 13.8%. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës, paga mesatare bruto paraqitet me një rënie prej 1.8% dhe kjo mund të jetë efekt i dhënies së shpërblimeve në fundvit.
“Scan Intel” ka analizuar pagat sipas aktivitetit ekonomik për të kuptuar se në cilët sektorë kanë shënuar ndryshime. Sipas shifrave, gjatë tremujorit të parë të vitit 2024, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare e të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni. Paga më e lartë nga të gjitha grupaktivitetet rezulton të jetë në aktivitetet financiare. Një punonjës në këtë fushë ka një pagë mesatare bruto prej 133,982 lekë në muaj.
Nëse analizën e bëjmë krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023, rezulton se paga mesatare bruto për grupaktivitetin e “Administratës publike dhe mbrojtjes, sigurimi social i detyrueshëm, arsimi, shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale”, ka rritjen më të madhe prej 15.3%, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti “Informacioni dhe Komunikacioni” prej 6.9%. Pra, rritja e pagave në administratën publike duket se ka kontributin më të lartë në rritjen vjetore të nivelit të pagës në tërësi.
Por si ndryshuan pagat në fillim të këtij viti, krahasuar me fundin e vitit të kaluar, sipas aktiviteteve ekonomike? Referuar të dhënave, rënien më të lartë të lartë të pagave e kanë shënaur aktivitetet financiare të sigurimit me 9.8%, pasuar nga informacioni dhe komunikacioni me 3.8%, administrata publike me 3.2% dhe artet me 3.5%. Ndërkohë, me rritje të pagave, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2023, shohim aktivitete si bujqësia, ndërtimi dhe industria.
Por cilat janë gruprofesionet më të paguara? Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar. Konkretisht, kjo kategori e profesioneve paguhet mesatarisht 118,699 lekë në muaj, ndërkohë që më pak të paguarit janë profesionet elementare që përfshijnë kategorinë e punëtorëve. Për këto të fundit paga mesatare bruto arrin në 48,131 lekë në muaj.
Nga ana tjetër, nëse analizojmë rritjen vjetore të pagave në sektorin publik dhe atë privat, të dhënat tregojnë se, pagat në shtet u rritën me 16% në tremujorin e parë të vitit aktual në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, duket se sektori privat nuk arriti të ndjekë të njëjtat hapa me rritjen. Në sektorin privat pagat u rritën me 12.7% për të njëjtën periudhë.