Nga Robert Colls, New Statesman
Po aq sa bota në të cilën “1984-a” u shkrua ka ndryshuar, aq ka mbetur edhe e njëjtë.
Nëse doni të keni një vizion të së ardhmes, imagjinoni një çizme të ngjeshur në fytyrën e njeriut – përgjithmonë – Obrajen, “1984”
Xhorxh Oruell nuk e parashikoi gjithçka në mënyrë të saktë. Ndryshe nga ajo çfarë besohet, ai gaboi shpesh. Në “Almanakun e Plakut Xhorxh” (gazeta ‘Tribune’ 1945), për shembull, ai parashikonte se pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik do të arrinin një marrëveshje në dëm të Britanisë; se amerikanët do të vuanin një krizë të rëndë ekonomike; Gjermania do të binte në banditizëm, ndërsa Azia do të përfshihej nga ksenofobia. Ai mendonte në fillim të Luftës së Dytë Botërore se populli britanik nuk do të luftonte dhe, kur lufta qe drejt fundit, parashikoi një rënie të lindshmërisë. Madje, dikur tha se solidariteti ndaj të tjerëve mund të tregohej edhe duke vrarë.
As në romanin e tij “1984” nuk e parashikoi gjithçka saktë. Pas Luftës së Dytë Botërore, bota nuk pati një luftë bërthamore dhe as ndonjë revolucion, ndërsa sistemi nën të cilin jetojmë sot, sido që të cilësohet, nuk është një diktaturë paranojake fashiste e majtë. Nuk kemi përjetuar kurrë diçka sadopak të ngjashme me konceptin e Vëllait të Madh. Nuk jetojmë nën “terror.” As ligjet e as gjuha nuk na janë grabitur. Institucionet tona nuk janë fshirë, por vijojnë të funksionojnë , ndonëse në mënyrë jo të përsosur. Disa prej parashikimeve të tij u materializuan në vende të tjera. Nagasaki dhe Hiroshima përjetuan bombat bërthamore, ndërsa diktatura të tmerrshme u ngritën në Europën lindore dhe gjetkë. Megjithatë, këto nuk ndodhën të gjitha në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën mënyrë. Plani Marshall stabilizoi Europën perëndimore, ndërsa NATO e mbrojti atë.
Janë edhe disa parashikime që u realizuan, por jo ashtu siç Oruelli i pati imagjinuar. Mund të shohim të materializuara tri formacionet e mëdha globale, të përshkruara në romanin e tij, në botën e pas 1945-ës: Oqeaninë tek Perëndimi, Eurazinë tek Rusia dhe Azinë Lindore tek Kina. Megjithatë, bota në të cilën jetojmë është më kaotike dhe më e brishtë se sa blloqet e pushtetit të përshkruara nga Oruelli dhe, ndonëse luftërat e fshehta nuk kanë reshtur në të gjitha kontinentet, nuk kemi patur kurrë një luftë të drejtpërdrejtë ndërmjet tri qytetërimeve të mëdha (quajini si të doni). Dekolonizimi i perandorive të vjetra europiane e ndërlikoi rendin botëror edhe më tepër, ndërsa pesha e Bashkimit Europian si një formacion i katërt gjeopolitik mbetet ende për t’u parë.
Sot të gjithë kemi TV, por jo si të Uinstonit, personazhit të “1984-ës”, televizori i të cilit merrte dhe transmetonte të dhëna e udhëzime. Në vend të tij, kemi me miliarda telefona celularë, nga një në çdo xhep, por informacioni që këta marrin dhe transmetojnë furnizon së pari korporata kapitaliste, të cilat një Zot e di se ku ndodhen, jo një aparat qendror shtetëror diku në Londër. Përdorimi i stilolapsave është i rrallë në botën tonë, ashtu si në atë të Uinstonit, por ata nuk janë zëvendësuar nga diktofonët. Për më tepër, askush nuk flet në telefon në romanin e Oruellit. Sikurse në botën e romanit, edhe ne sot kemi lotari kombëtare, por e jona nuk është një mashtrim sepse ka njerëz që herë pas here fitojnë. Në botën e “1984-ës” asgjë nuk funksionon dhe në tonën pak gjëra funksionojnë siç duhet, por për arsye krejt të ndryshme. Oqeania vuan nga centralizimi i shtetit, ndërsa për ne problemi qëndron tek shpërndarja e tregut.
Ka shumë shqetësimë në botën tonë që mund të krahasohen me ato të përmendura tek “1984-a”, por cilatdo qofshin ato nuk janë të njejtat. Pornografia është lehtësisht e aksesueshme, por sa përqind e saj është e vetë-gjeneruar? Qytetarë të shtresës së mesme blejnë histori të frikshme për fëmijët e tyre, por këta të fundit nuk është se detyrohen t’i lexojnë ato në shkollë (“Një herë e një kohë, përpara Revolucionit të lavdishëm, Londra nuk ishte qyteti i bukur që shohim sot”). Dashuria mes personave të së njejtës gjini, nëse kjo është ajo çka Uinstoni ndjen ndaj Obrajenit, nuk është më e fshehtë. Kapitalizmi – nëse ky është sistemi nën të cilin jetojmë – nuk është shfuqizuar, por thjesht është transformuar. Komunizmi ka rënë ,por sipas gazetarit të BBC Stiv Rozenberg, shërbimet e sigurisë ruse ende duken të frikësuara nga një ndërtesë e rrëgjuar në qytetin Ivanovo, e vetëquajtur “Libraria Xhorxh Oruell.” Askush nuk flet më për Ligjësitë e Lëvizjes së Kapitalit. Madje, edhe ata të cilët flasin për to, nuk i besojnë. Sot jemi shumë më të pasur (PBB-ja e Mbretërisë së bashkuar është gjashtë herë më e lartë nga ç’ishte në 1948) por, ndryshe nga sa mendonte Oruelli, kjo nuk u arrit duke u mbajtur tek perandoria.
Të gjitha këto cilësi të një bote që Oruelli nuk e përfytyroi kanë sjellë dilemat e tyre, të cilat ai vetë do t’i kishte pikasur. Me një smartphone në çdo xhep, ne jemi shndërruar në vëzhguesit e vëzhguar të vetes tonë. Gjuha e re e parashikuar prej Oruellit kishte ekipe të tëra njerëzish të punësuar për ta reduktuar gjuhën nën kufijtë e asaj çfarë na bën njerëz, por Twitter-i sot nuk i ngjet asaj përpjekjeje dhe për më tepër, ajo as që mund të krahasohet me hapin gjigand që media botërore përgatitet të hedhë me Inteligjencën Artificiale. Askush nuk kontrollon gjithçka. Qysh nga viti 1949, në vend të shtypjes së individit nga shteti, kemi parë shpërthimin e narcizizmit masiv, pavarësisht shtetit. Në 6 janar 2020, SHBA-të dëshmuan një sulm masiv ndaj qeverisë së tyre nga një turmë e armatosur me telefona celularë. Gjithçka ndodh për t’u fotografuar dhe vetëm ajo çfarë fotografohet ekziston vërtet. Oruelli i trembej “bashkëudhëtarëve,” ose njerëzve të cilët e mbanin të fshehtë ndikimin që kishin ndaj shoqërisë. Sot ne kemi “influencuesit” që e ndajnë ndikimin e tyre ditën për diell.
Tek “1984-a”, Partia synon të kontrollojë fjalën e si rrjedhojë edhe mendimin. Elitat tona po ashtu parapëlqejnë mënyrat e tyre të të menduarit dhe të folurit, por ata na e monitorojnë gjuhën përmes kontrollit që kanë mbi institucionet publike dhe të biznesit, jo me dekret partie. Ne jetojmë në një shoqëri gjithmonë e më të policuar nga të diplomuarit. “Eja shok, tregomë se si flet dhe unë do të të tregoj si ta çlirosh mendjen.” LIRIA ËSHTË SKLLAVËRI.
Uinstoni dhe Xhulia jetojnë në një hapësirë të izoluar hermetikisht, që nuk ka as fund as krye. Them “hapësirë,” por ajo çfarë dua vërtet të them është “mendje.” Ashtu si në një makth, gjithçka në roman lidhet me mosnjohjen e vetes dhe ambientit përreth. Zoti, morali, politika dhe kultura nuk ekzistojnë. As besimi. S’mund të ketë miq. Së shpejti, nuk do të ketë me as mendim kritik, por thjesht konformizëm. Në emër të shpëtimit të të gjithëve, shteti është i përkushtuar të shkatërrojë këdo. Nëse i tejkalon caqet, me siguri ke për të vdekur. Nëse nuk i tejkalon, je i çmendur. Thelbi, tek e fundit, është të çmendesh. Obrajeni, kryehetuesi në roman, është një gënjeshtar dhe psikopat i çmendur, por ai di gjithçka sepse mendja e tij përmban mendjet e gjithë të tjerëve. “Asgjë nuk ekziston veçse përmes ndërgjegjes njerëzore,” thotë ai. Partia e ka ndaluar të vërtetën objective. Familja, gjithashtu, pothuajse është ndaluar dhe radhën e ka orgazma. Obrajeni thotë se mund të identifikohej si flluskë sapuni nëse do të donte dhe do të pluskonte në ajër dhe, meqenëse mendja e tij “përmban mendjen e Uinstonit,” mund ta kuptojmë se ç’do të thotë me këtë.Graviteti është i rëndësishëm vetëm kur Partia detyrohet të merret me botën e vërtetë.
Por, mos harroni se edhe Unistoni është i çmendur. Ndoshta jo aq sa Obrajeni, duke qenë se Uinstoni e ka ende një ide rreth botës së vërtetë, por megjithatë mbetet aq i sëmurë në rrethana të tjera, sa të përfytyrojë sikur përdhunon dhe vret Xhulian vetëm pak minuta pasi e ka takuar. Është Xhulia, anti-intelektualja mes sistemit të urretjes së pamend drejtuar nga intelektualët, ajo e cila është heroina e vërtetë e “1984-ës.” Nuk është Uinstoni dhe as Obrajeni,edhe pse këtij të fundit i rezervohen frazat më të bukura të gjithë romanit.
Në këto rrethana mund të hamendësojmë se vetë-survejimi është i natyrshëm dhe vetë-censurimi i përhapur masivisht. Në roman, Xhulia ka vite që e censuron veten. Uinstoni është ende duke mësuar si ta ushtrojë këtë dhe për një cast mendojmë se Obrajeni dhe Vëllazëria duhet ta kenë perfeksionuar si proces. Thenë ndryshe, jemi thuajse të bindur se vetë-censurimi është tejet i përhapur në botën e tyre, sikurse ndiejmë se duhet të jetë edhe në tonën. Megjithatë, e kemi të vështirë ta kuptojmë kur jemi duke e censuruar veten. Unë vetë jam duke e praktikuar tani. Sidoqoftë, askush nuk e do Urrejtjen Dy Minutëshe – “ndjesinë abstrakte dhe pa drejtim, që mund të kthehet nga një objekt tek një tjetër si flaka e një flakëhedhësi.” LUFTA ËSHTË PAQE.
Ka dy refrene në roman. Njëri, që thotë “Ne jemi të vdekurit,” të cilit Xhulia i përgjigjet se “Nuk kemi vdekur ende.” Tjetri thotë se, “Nëse ka shpresë, ajo gjendet tek prolet,” një fjali, të cilën Oruelli e cilëson si një “të vërtetë mistike” dhe “absurditet të prekshëm.”
E megjithatë, ai e besonte vërtet. Përsa i përket bindjeve të tij politike, Oruelli besonte tek morali i përbashkët dhe mirësia e anglezëve të thjeshtë. Ai e kaloi gjysmën e parë të Luftës së Dytë Botërore duke punuar për shërbimin e lindor të BBC. Gjysmën e tjetër të saj e shpenzoi duke shkruar rreth asaj se si anglezët e thjeshtë e shihnin veten dhe vendin e tyre, jo në libra apo teori, as në editoriale gazetash ose parti politike, por tek njëri-tjetri, në rrugë, në kopsht, në punë dhe në shtëpi.
Nëse shpresa ekziston, ajo mund të gjendet vetëm tek prolet e, megjithatë, qysh në krye të herës në shënimet e mbajtura për “1984-ën”, Oruelli e njohu pozicionin e tyre “të pavendosur” në lëvizjen e rezistencës (nëse kishte një rezistencë). Vëllai i Madh u rrëzua, por nuk e dimë nga kush (edhe pse romani “Xhulia” i Sandra Njumanit na jep një përsiatje interesante). Fillimisht, botuesi i Oruellit e konsedori “1984-ën” si ndarjen përfundimtare të autorit me socializmin. Por, Oruelli nuk vonoi ta kundërshtonte dhe po aq shpejt arriti të identifikonte tek rrethet intelektuale një përzierje të përçmimit dhe neverisë ndaj klasës punëtore. Sot, elitat tona ende preferojnë hierarkinë e tyre të virtyteve përkundrejt demokracisë së tjetrit dhe askush nuk mund të pretendojë se Partia Laburiste përfaqëson klasës punëtore. Për popullin, ndoshta por kurrsesi nga populli.
Xhorxh Oruell e shkroi romanin e tij “1984” në ishujt Hebride pranë brigjeve të Skocisë mes viteve 1946-1948 dhe libri u botua më 8 qershor 1949. Oruelli vdiq shtatë muaj më vonë në University College Hospital në Londër. Qysh atëherë, të gjithë ne kemi mësuar të jetojmë me “Vëllain e Madh,” ndërsa termi “Oruellian” i është shtuar listës së cilësimeve krahas termit “Shekspirian.”
Këtu nuk është fjala për parashikime të gabuara, as për “Almanakun e Plakut Xhorxh.” “1984-a” është vepër letrare para se të jetë politike. Nuk supozohej kurrë të ishte ndonjë lloj profecie. Oruelli regjistroi ato çfarë ai mendonte se qenë çastet e fundit të historisë sonë, të cilat ia bashkëngjiti çasteve të fundit të jetës së tij, për të krijuar një ferr mbi tokë, që pasi zuri vend në mendjet e lexuesve, nuk mund të zhbëhej më.
Teksa shihet në pasqyrë, i torturuar dhe i rraskapitur, me kërcinj që ngjajnë si thupra, Uinstoni tmerrohet kur kupton se personi në anën tjetër është ai vetë, ndërsa ne tmerrohemi kur kuptojmë se është Belseni. Dikur, i cilësoi veprat e Salvador Dalisë si “sulm i drejtpërdrejtë dhe i pagabueshëm ndaj logjikës e moralit; madje, edhe ndaj vetë jetës.” Të lexosh “1984-ën” nuk do të thotë të përdhunohesh apo vritesh, por të provosh se si mund të jetë të përdhunohesh ose të vritesh. Është një vepër arti që le përgjithmonë shenjën e saj në imagjinatën njerëzore. (Përgatiti për TemA, Bjorn Runa)