Aktualitet/LajmeBotaKryesore

“Djalli me fytyrë engjëlli”, diagnostikohet me leuçemi

Asma Assad, gruaja e presidentit sirian Bashar Assad, është diagnostikuar me leucemi mieloide akute (AML), zbuloi zyra e tij të martën.

Gjendja u identifikua pasi zonja e parë iu nënshtrua një sërë testesh pas shfaqjes së simptomave, thuhet në deklaratë. 48-vjeçarja do kërkojë izolim gjatë trajtimit të saj, shtoi ajo.

AML është një lloj kanceri shumë vdekjeprurës që prek palcën e eshtrave dhe mund të përparojë me shpejtësi. Kimioterapia e mëparshme është një faktor rreziku për sëmundjen. Asma Assad ishte diagnostikuar më parë me kancer gjiri, por njoftoi shërimin e saj të plotë në vitin 2019 pas kimioterapisë në një spital ushtarak sirian.

Bankierja e investimeve me origjinë britanike u martua me Bashar Assad në dhjetor 2000, pesë muaj pasi ai kishte marrë pushtetin pas vdekjes së babait të tij, Hafez Assad.

Asma, “lulja e shkretëtirës”, që u bë First Lady e “Ferrit”

Edhe më elegante e magjepsëse se sa Rania e Jordanisë, kur në vitin 2000, 25-vjeçarja Asma Assad mbërriti në Damask, për t’u martuar me Bashar Assadin, ngjalli shpresa të mëdha. “Ky çift i ri, do të sjellë lirinë në Siri”, komentonin optimistët.

Pas tridhjetë vitesh diktaturë të hekurt të Hafez Assadit, babai i Basharit, dukej se kish ardhur koha e shkrirjes. Bashari nuk ishte i destinuar për politikë, kishte shkuar të studionte në Londër, ku ish bërë okulist. Dhe atje ishte dashuruar me vajzën bukuroshe të një kardiologu sirian, dhe një funksionareje të ambasadës së Damaskut në Angli. Asma është më shumë angleze se sa siriane: e lindur dhe e rritur në Londër, ka studiuar frëngjisht dhe spanjisht në universitet.

Lufta civile, kthesa e pashpjegueshme

Për 11 vjet, nuk ndodhi pothuaj asgjë. Regjimi sirian nuk u demokratizua. Megjithatë, çifti presidencial, edhe për shkak të rinisë dhe klasit të saj, kur udhëtonte jashtë vendit, shkaktonte admirim. Dhe Siria mbetej jashtë turbulencave të Irakut. Por, në vitin 2011, edhe në Damask shpërtheu pranvera arabe, ashtu si në Tunizi, Libi dhe Egjipt. Të rinjtë zbritën në sheshe, duke kërkuar reforma.

Në një moment të parë, Assadi reagoi duke liberalizuar Internetin. Por më pas, policia shtypi me gjak manifestimet. Dhe nisi lufta civile, që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Mendohej se bashkëshortja perëndimore e Assadit do të kish ushtruar ndikim moderues mbi bashkëshortin. Por, asgjë. Okulisti xhentil u transformua në një udhëheqës mizor, ashtu si i ati. Dhe prapa tij, e këndshmja Asma, pa asnjë lloj hezitimi.

Nga lule e shkretëtirës, në Zonjë e Parë e Ferrit

Revista amerikane Vogue, që në vitin 2010 e kish quajtur Asman “Lule e shkretëtirës”, e hoqi artikullin nga faqja e saj.

Në këto vite masakra, Asma iu dha propagandës së regjimit, duke u fotografuar në krah të të shoqit dhe duke vizituar viktima të luftës. Por asnjë deklaratë, as edhe pas akuzave të para kundër Assadit, se kishte përdorur armë kimike në 2013. Rusia, aleate e Sirisë prej gjysmë shekulli, mbshtet regjimin e Assadit.

Dhe ajo, në të vetmen intervistë të dhënë një televizioni rus, ka thënë se mbështet bashkëshortin, kundër terroristëve të ISIS. Të cilët, megjithatë, nuk janë të vetmit armiq të qeverisë së Damaskut.

E-mailet e rezervuar: 3 mijë euro për një palë këpucë

Ndërkohë janë botuar disa emaile sekrete të saj. Në një prej porosive, blerja e një palë këpucëve me taka 16 centimetra, 3 mijë euro. Në një tjetër i përgjigjet mikeshës së saj, bijës së emirit të Katarit, e cila e fton të largohet nga Siria, përpara se i shoqi të pësojë fundin e Gedafit apo Mubarakut. Por ajo e refuzon mikpritjen. E di që, sa kohë që rusët e mbështesin, Assadi është i sigurtë. Dhe mund të mbahet fort prapa mbrojtësit të laicitetit, kundër ISIS-it.

“Engjëlli” që akuzohet për krime lufte 

Asma al-Assad akuzohet se ka nxitur, ndihmuar dhe inkurajuar krime të luftës nga forcat e qeverisë siriane.

48-vjeçarja Asma al-Assad, e cila ka lindur dhe është arsimuar në Londër para se të bëhej zonja e parë e Sirisë në vitin 2000, po hetohet pas padive ligjore që pretendojnë se fjalimet e saj dhe paraqitjet publike në mbështetje të ushtrisë siriane e implikojnë atë në krimet e lartpërmendura, duke përfshirë edhe përdorimn e armëve kimike.

Asma al-Assad konsiderohej një prej “Zonjave të Para” më simpatike dhe të shkolluara, por që prej fillimit të luftës, ajo konsiderohet si “djalli me fytyrë engjëlli”, pasi ka mbështetur të shoqin në vrasjen e popullsisë.

Pavarësisht fakti se vendi prej vitesh ndodhet në luftë, ajo vazhdon të bëjë një jetë luksi.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button