Aktualitet/LajmeKryesorePolitike

Blinken nxjerr “bllof” Foltoren e Berishës

Kryezëdhënësi i Sali Berishës, Alfred Lela, pa gdhirë mirë, kishte bërë një shkrim, në të cilin thoshte se sekretari amerikan i Shtetit nuk do ta vizitonte Shqipërinë.

Sipas tij, ky ishte një lajm i sajuar nga mediat qeveritare.

Por pa kaluar disa orë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar vizitën e Blinken në Tiranë.

Pjesë nga shkrimi i kryezëdhënësit Lela

Televizioni kryesor në vend para dy ditësh dha lajmin se Antony Blinken, Sekretari i Shtetit, do të vizitojë Shqipërinë më 16 shkurt.

Vizita e nr. 2 të qeverisë amerikane në Tiranë është lajm i bujshëm, edhe në kushte normaliteti politik. Në anormalitetin ku jemi, shkaktuar në pjesën më të madhe edhe nga vendimi, po i Sekretarit Blinken, për të shpallur non-grata Sali Berishën, vizita e tij do të kishte efekte nukleare.

Edhe pa u publikuar përgënjeshtrimi i Ambasadës amerikane, lajmi vinte era barut e squfur.

Data e përzgjedhur për vizitën imagjinare, pra 16 shkurti, në të njëjtën ditë me shpalljen e vendimit të gjykatës së distriktit të Kolumbias (Washington DC) për McGonigal, ‘rëndonte’ me rastësinë e vet.

Nëse z.Blinken shtrëngonte duart, me Ramën e të tjerë, ditën kur McGonigal dënohej për dosjen shqiptare, kjo do të shihej si pardon i Departamentit të Shtetit, si për agjentin e FBI, ashtu edhe për Ramën e të tijtë. Amerika do të përthyhej edhe njëherë në Tiranë në një prizëm aspak preferencial. Qeverisë nuk do t’i bëhej vonë për këtë, sigurisht, sepse prej vitesh tashmë ajo nuk mbahet më me punë, por me propagandë. Në fjalët e Mark Crawford, ish-kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, njerëzit e qeverisë mbështillen me flamurin amerikan ndërkohë që bëjnë vjedhin.

Kjo nuk do ta shlyente megjithatë dënimin e gjykatave të New York-ut dhe të Washington-it për Charles McGonigal. Madje do të shtonte një dënim, simbolik, si për Departamentin e Shtetit, edhe për drejtësinë e re shqiptare, të sponsorizuar nga DASh. Narrativa do të mund të ndërtohej lehtë: drejtësia amerikane e tha fjalën e vet për njërin nga personazhet e dosjes McGonigal, ndërkohë që tre a katër të tjerë, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, janë ende të patrazuar. Mirë SPAK që rri—po Departamenti amerikan pse, kur lëvizën, shkon në drejtim të kundërt me drejtësinë e vendit të vet?!

Kësisoj, më shumë se vizita vetë, lajm u bënë prodhuesit e saj dhe interesat e tyre në të. Mediat qeveritare e morën lajmin dhe, te trajtimi thuajse i njëjtë mund ta gjeje edhe shijen e kuzhinës ku ishte gatuar. Blinken, ai që shpalli non grata Berishën do të vinte në Tiranë, gëzonin titujt. Për çfarë tjetër veçse për të dëshmuar partneritetin me kundërshtarët politikë të non grata-s, pra Ramën dhe qeverinë.

Ishte një spin fatkeq. Ambasada amerikane nuk e përgënjeshtroi vetë lajmin, çka në fakt duhet ta kishte bërë, sepse flitej për kreun e diplomacisë amerikane, pra shefin direkt të tyre, megjithatë e skualifikoi atë me një “Jo” pas interesimit të News 24.

Blinken do të jetë në Europë, por jo në Tiranë. Konferenca e Sigurisë në Mynih do të mbahet në datat 16-18 shkurt. Gjasat janë edhe Rama do të shkojë. Në Mynih ndoshta do të takohen, nëse Blinken nuk zgjedh ta shmangë kryeministrin, siç bëri në New York, në punimet e Asamblesë së OKB.

Pak rëndësi ka ç’ndodh në Mynih, por çka ndodh atje merr rëndësi pikërisht nga sjellja e dëshpëruar e qeverisë. Mbjellja e një lajmi të rrejshëm për Blinken që viziton Tiranën, rrjedh nga pasiguria e Ramës në raportet me amerikanët, pas ‘skandalit McGonigal’.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button