Aktualitet/LajmeKryesore

Inkurajojmë nismën për ngritjen e Komitetit të Përbashkët të Industrisë, por shpërfillja e organizatave të gazetarëve le hapësirë për përplasje dhe konflikt interesi

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Tiranë më 1 Shkurt 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vlerëson nismën e parë, pas kaq dekadash, të ndërmarrë prej Autoritetit të Mediave Audiovizive për dy takime në tryeza, me temë, “Matja e audiencës në tregun audioviziv shqiptar dhe modalitetet për realizimin e këtij procesi”. Në të dy takimet morën pjesë përfaqësues kryesorë të operatorëve që prodhojnë përmbajtje apo programe audiovizive dhe të agjencive të reklamave që operojnë në treg.
Në të dy takimet munguan përfaqësues nga organizatat e gazetarëve si dhe qendra profesionale të studimit të audiencave dhe ndikimit të mediave në publik.
UGSH e vlerëson dakordësinë në parim, për ngritjen e Komitetit të Përbashkët të Industrisë, qoftë edhe për numrin aritmetikor të përfaqësimit si dhe shpreh interesim se si do të ndikojë formula e krijimit të këtij Komiteti.
Kjo nismë e munguar, sipas UGSH, meriton të përkrahet dhe mbështetet nga të gjithë aktorët dhe komponentët e tregut mediatik audioviziv shqiptar.
Organizata jonë shpreh mbështetjen për entin rregullator në këtë sipërmarrje, por shpreh rezervën për mungesën e përfshirjes së organizatave të gazetarëve në këtë përfaqësim. Ky konsiderim do të përbënte kontribut për ruajtjen e balancave, evitimin e përplasjeve dhe konfliktit të interesit mes operatorëve dhe grupeve të interesit që me çdo kusht do të tentojnë apo synojnë kontrollin dhe influencimin mbi këtë komitet. Modele të vendeve të tjera e ofrojnë përfaqësimin dhe kontributin e organizatave të gazetarëve në këtë proces dhe mekanizmin që vetërregullon. Propozimi ynë lidhet edhe me mundësinë e shmangies së përplasjeve si dhe me mundësinë përfaqësuese për shumë prej operatorëve të mediave lokale, të cilët do të jenë nën shpërfilljen e më të mëdhenjve si në komitet ashtu edhe në strukturat e këtij procesi.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button