BlogEditorialKryesoreOpinions

Lavdi frikacakut!

Nga Aleksandër Çipa-
Kur po shkruaja këtë titull, përfytyrova miqtë e mi duke e lexuar. Paska rrjedhur dhe ky, pa hyrë mirë në të tetëdhjetat, do të thoshte njëra palë. I gjori ky, e ndjen që s’tërheq më vëmendje si dikur dhe nis e thotë broçkulla, mjafton të ngjallë interes, qoftë edhe si flaka e kashtës, do të thoshte pala tjetër.
Po titulli “Lavdi frikacakut” do të ishte krejt i natyrshëm. Të paktën në shtjellimin e psikologut evolucionar Randolph Nesse. Imagjino një njeri të Paleolitit që dëgjon një zhurmë në shkurre. Mund të jetë era, mund të jetë një lepur, por mund të jetë edhe një tigër. Nëse paraku ikën dhe nuk ka grabitqar, humbet pak energji. Nëse nuk ikën dhe ka grabitqar, mund të humbasë jetën.
Natyra i mësoi parakut të preferojë frikën, thotë Nesse, se mbijetesa është shumë më ekzistenciale se çdo tipar moral. Ne, njerëzit e zakonshëm, do t’i bashkoheshim Nesse dhe do të shtonim: Lavdi frikacakut që iku, shpëtoi dhe bëri të mundur që ne, pasardhësit e frikacakut, të vinim sot në jetë. Më mirë të vish në këtë botë nga një paraardhës frikacak sesa të mos vije fare! 🤪
Ta vlerësosh a ta stigmatizosh frikën? Natyra dhe shoqëria, dy autoritetet më të vjetra të njerëzimit, nuk kanë arritur të merren vesh as për një çështje kaq elementare.
Natyra na këshillon të kemi frikë. Më mirë të ikim dhjetë herë pa arsye sesa të qëndrojmë një herë e të hamë kokën. Shoqëria, përkundrazi, e përbuz frikacakun dhe glorifikon trimin. E para shpërblen atë që ia mbath, e dyta ngre monumente për atë që qëndron. Frikacaku lë pasardhës, trimi lë një emër rruge.
Por kush ka të drejtë, natyra apo shoqëria? Përgjigjja varet, si zakonisht, nga ai që e bën pyetjen. Biologu do të interesohej për mbijetesën, gjenerali për fitoren, poeti për lavdinë. Ndërsa ushtari, që duhet të vërë kokën në rrezik, mund të ketë një zgjedhje të katërt.
Kështu, e njëjta frikë mund të shfaqet edhe si virtyt evolucionar, edhe si ves shoqëror. Nuk është se e vërteta ka humbur rrugën. Thjesht ka hyrë në një kryqëzim ku secili që e kundron pretendon se sheh të vërtetën.
Ne, megjithatë, parapëlqejmë rrugët me një kalim. Na pëlqejnë gjërat e qarta: e mira, jo e keqja, trimi, jo frikacaku, engjëlli, jo djalli. Kategoritë e pastra kanë një elegancë të veçantë. Nuk të lodhin me përjashtime, rrethana e kundërshti. Paçka se, për fat të keq, realiteti nuk ka shumë respekt për elegancën e mendimit tonë.
Trimëria, për shembull, mund të jetë marrëzi, ndërsa frika mençuri. Njeriu që pranon se ka frikë mund të tregojë më shumë guxim se ai që shtiret si trim. Madje, ka raste kur trimëria nuk është gjë tjetër veçse frika nga opinioni i të tjerëve. Bëjmë mirë që në sytë e të tjerëve të shfaqemi vetëm me pjesën tonë engjëllore.
As engjëjt nuk na ndihmojnë shumë për të ruajtur pastërtinë e kategorive. Sipas një tradite të njohur, djalli ka qenë dikur engjëll. Madje, jo një engjëll dosido, po një hierark i lartë qiellor, që përfundoi në anën tjetër të barrikadës. Një histori që duhet t’i bëjë paksa të kujdesshëm ata që janë tepër të sigurt për natyrën e tyre engjëllore.
Edhe virtytet kanë anët e tyre të këqija. Drejtësia, kur nuk njeh mëshirë, mund të bëhet mizore. Dashuria, kur nuk njeh kufij, mund të bëhet burg. Besnikëria ndaj parimeve mund të përfundojë në besnikëri ndaj dogmave. Ndërsa njeriu që nuk e ndryshon kurrë mendimin gëzon shpesh reputacionin e një karakteri të fortë, edhe kur e bën këtë gjë thjesht nga budallallëku.
Ndoshta këtu qëndron një nga dobësitë tona më zbavitëse: nuk mjaftohemi të kemi të drejtë, duam që e drejta jonë të vlejë për çdo njeri, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Nuk na mjafton të kemi zbuluar një të vërtetë. Duam të kemi zbuluar të vërtetën.
Dhe kur realiteti nuk përputhet me të, aq më keq për realitetin.
Sa për frikacakun tonë, le ta lëmë të qetë. Ai mund të jetë i mençur ose qesharak, egoist ose i përgjegjshëm. Po kështu edhe trimi. Natyra dhe shoqëria do të vazhdojnë t’u japin këshilla të kundërta, secila me autoritetin e vet të padiskutueshëm.
E vërteta, ndërkohë, mund të jetë diku mes tyre. Ose në të dyja anët. Ose, për bezdinë tonë më të madhe, në një vend të tretë.
Në fund të fundit, edhe ajo ka të drejtë të mos qëndrojë gjithmonë aty ku e kemi vendosur ne.

Artikuj të lidhur

Back to top button