
Nga Enver Robelli-
Një ndër marrëzitë më të mëdha të politikanëve serbë është kur Kosovën e quajnë «i ashtuquajturi shtet i Kosovës» («tzv. država Kosovo»). Krahas radikalëve të Aleksandar Vuçiqit, këtë retorikë po e përdorin edhe të ashtuquajturit studentë në bllokadë, të cilët qëndrojnë pas të ashtuquajturës Listë Studentore, e cila së fundi i ka fituar të ashtuquajturat zgjedhje parlamentare në të ashtuquajturën Republikë të Serbisë.
Pastaj, i ashtuquajturi parlament i Serbisë mbajti të ashtuquajturën mbledhje konstituive, në të cilën u zgjodh i ashtuquajturi kryetar i parlamentit, ndërsa zëvendës të tij u zgjodhën gjashtë të ashtuquajtur nënkryetarë. Bashkë me ta u zgjodh edhe e ashtuquajtura sekretare e përgjithshme e kuvendit, i cili e ka selinë në Beograd, në të ashtuquajturin kryeqytet të Serbisë. I ashtuquajturi Kuvend i Serbisë do të diskutojë në ditët në vijim për krijimin e të ashtuquajturës qeveri të shtetit të ashtuquajtur të Serbisë.
Po ashtu, i ashtuquajturi kryetar i parlamentit, i cili është edhe ushtrues detyre i të ashtuquajturit funksion të presidentit të Serbisë, pritet që në ditët në vijim të shpallë të ashtuquajturat zgjedhje presidenciale serbe, të cilat duhet të mbahen më së voni më 27 dhjetor, në mënyrë që krijimi i të ashtuquajturave institucione të reja të përfundojë para të ashtuquajturës «srpska nova godina» («Viti i Ri serb»).
Shkas për këtë shkrim u bë një e ashtuquajtur kumtesë e të ashtuquajturve studentë në bllokadë të Serbisë, të cilët shprehnin shqetësimin se «i ashtuquajturi shtet i Kosovës» po bën ndryshime në Projektligjin për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore.
Por, nëse Kosova na qenkësh «i ashtuquajturi shtet i Kosovës», atëherë përse këta të ashtuquajtur studentë në bllokadë nuk i referohen edhe ligjit si «i ashtuquajtur ligj» («tzv. zakon»), por e quajnë thjesht ligj (“zakon”)? Sepse me të ashtuquajturat ligje nuk ke pse merresh. Me ligje, po. Ato i miraton parlamenti i një shteti tjetër: i Republikës së Kosovës.
Retorika prapakthyese e fituesve të zgjedhjeve parlamentare në Serbi është, para së gjithash, në dëm të komunitetit serb në Kosovë. Asnjë çështje që ka të bëjë me këtë komunitet nuk mund të zgjidhet pa gatishmërinë e politikanëve të komunitetit serb dhe të Beogradit për të pranuar atë që është faktike prej 27 vjetësh (liria e Kosovës) dhe e pamohueshme prej 18 vjetësh (pavarësia e Kosovës).



