
Nga Ilir Ikonomi-
“Syrgjyni”, libri i tretë dhe i fundit i biografisë së Fan Nolit promovohet të mërkurën më 18 nëntor ora 12:00 në Universitetin Europian të Tiranës.
Libri, botim i UET Press, ka 474 faqe dhe kushton 1,800 L.
Ky vëllim e ndjek Fan Nolin gjatë katër dekadave të fundit të jetës, nga mërgimi politik pas vitit 1924 deri në vdekjen e tij në mars 1965.
Në faqet e librit shfaqet Noli peshkop dhe udhëheqës i Kishës shqiptare në Amerikë, studiues, muzikolog, përkthyes e poet, por edhe njeriu që vazhdon të përballet nga larg me Shqipërinë dhe politikën e saj.
Mbështetur në një mal dokumentesh arkivore, letërkëmbimesh dhe dëshmish, libri pasqyron shpresat, zhgënjimet, kundërthëniet dhe betejat e Nolit, duke u përpjekur të gdhëndë në detaje portretin e një prej figurave më komplekse të historisë shqiptare.
Ai përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes së përhershme: Kush ishte Fan Noli?
Libri përfshin treguesin e emrave, bibliografinë dhe disa dhjetëra fotografi, shumë prej të cilave pak të njohura.
Dy historianë të shquar e lexuan dorëshkrimin përpara se të botohej.
Nicholas C. Pano, profesor Emeritus i Universitetit Western Illinois, i cili e ka njohur personalisht Nolin, shkruan:
“Trilogjia e Ilir Ikonomit për Fan Nolin, e shkruar bukur, me nuanca dhe e dokumentuar me përpikmëri, përbën një kontribut të rëndësishëm në historiografinë shqiptare.”
Prof. Bernd J. Fischer, anëtar i Akademisë së Shkencave, shprehet kështu në parathënien e librit:
“Pas më shumë se një dekade kërkimesh, Ilir Ikonomi ka krijuar një portret të Fan Nolit me një thellësi të jashtëzakonshme dokumentare — të hollësishëm pa humbur rrëfimin e përgjithshëm, kritik pa u bërë armiqësor dhe admirues aty ku admirimi është i merituar, pa hequr dorë nga pavarësia e biografit.”
Tani, i takon lexuesit të gjerë të japë gjykimin.
(Foto e ballinës: Noli në vitin 1940 brenda Kishës së Shën Gjergjit në Emerald Street, Boston. Botohet për herë të parë).



