BlogIntervistaKryesore

Në komunikimin publik veshja është sfondi i personalitetit!

Nga Irena Beqiraj-

Kur fillova të shfaqesha më shpesh para kamerave, kërkova këshilla për komunikimin korrekt në publik. Një ekspert komunikimi studioi daljet e mia televizive. Natyrisht, nuk u mor aq me atë që thoja, sesa me mënyrën se si komunikoja: si isha veshur, si qëndroja, ngjyrimet e zërit, gjuhën e trupit, gjestikulacionin etj.

Kujtoj që një nga vërejtjet e tij kishte të bënte me lartësinë deri ku duhej t’i ngrija duart gjatë të folurit. Sipas tij, nuk duhej ta kalonin nivelin e gojës , idealja të qëndrojnë poshtë mjekrës .

Por nga gjithë raportet që ai shkroi kuptova diçka, rregullat e komunikimit profesional në publik janë shumë më strikte nga sa mund të mendojmë. Edhe një gjest i thjeshtë, i pavetëdijshëm, si rrotullimi i unazës në gisht, mund të përcjellë mesazhin e padurimit apo ankthit.

Veshja ishte një nga elementet kryesore të vlerësimit, por jo si element estetik. Sepse siç thoshte Thatcher “veshja është sfondi i personalitetit”, dhe si e tillë është pjesë thelbësore e komunikimit. Përmes saj përcjellim, me vetëdije ose jo, se si duam të perceptohemi. Madje, ajo mund të përcaktojë nëse publiku do të përqendrohet te ajo që po themi apo do ta zhvendosë vëmendjen te veshja, aksesorët, modeli i flokëve apo ndonjë detaj tjetër i pamjes sonë. Një paraqitje e menduar mirë, e përshtatshme për kontekstin dhe pa elemente që konkurrojnë me mesazhin, e lehtëson komunikimin. Nuk e kam fjalën të bëhemi të padukshme, por të mos lejojmë që pamja të marrë protagonizmin e fjalës.

E kritikoj këtë shpesh tek gratë, sepse ato kanë një hapësirë shumë më të gjerë zgjedhjesh në veshje sesa burrat. Por pikërisht kjo liri e madhe mund të kthehet ndonjëherë në një kurth, në një disavantazh ku në vend që ta përdorin veshjen për të përforcuar autoritetin dhe mesazhin e tyre, rrezikojnë ta zhvendosin vëmendjen e publikut nga ajo që thonë te mënyra se si duken.

Ky nuk është aspak një sulm seksist siç duan ta trajtojnë disa “përkrahës të feminizmit “përkundrazi, është çështje zgjedhjeje dhe vetëdijeje .
Për më tepër si ekonomiste mund t’ju them se në ekonominë e vëmendjes, gjithçka matet me sekonda. Në tregun e saj fiton ai që arrin ta mbajë shikimin e publikut disa sekonda më shumë. Por si çdo burim tjetër vëmendja është e kufizuar. Ndaj kur dekolteja fundi i ngushtë, e çara e fustanit përdoren me dashje ose pa dashje për të marrë pjesën dërrmuese të saj , tek mesazhi mbetet thërrimet.
Në fund, ne që paguajmë me vëmendjen tonë varfërohemi. Dhe bashkë me ne varfërohet edhe vetë komunikimi.
Të komunikosh në televizion nuk mjafton të kesh diçka për të thënë, Duhet të dish edhe si të mos lejosh që mënyra se si dukesh të pengojë atë që thua.

Unë nuk mësova ti ul kurrë duart , në lartësinë e gojës, edhe nuk jam fare krenare për këtë !

Artikuj të lidhur

Back to top button