
Nga Aleksandër Çipa*-
Në jetën e gjatë profesionale gazetari Fahri Musliu ka mbërritur disa herë në disa stacione ku vetveten si reporter e ka bashkëpërngjitur me studiuesin e gazetarisë. Ka sjellë në disa libra të vet, kërkime si studiues i përhershëm dhe ka shkruar si gazetar i pashkëputur nga zelli dhe brendia e vet prej profesionisti. Në këtë cilësi të pabjerur, pamvarësisht se në ckohë e në c’regjim, në c’shoqëri dhe nën cilat kushte ka ushtruar gazetarin, nuk ka ndërprerë asnjë cast refleksionin dhe zellin studimor për teoritë e gazetarisë dhe për sfidat e saj në kohë ndryshimesh drastike. Sidomos në ditë kaq të ndryshme me të shkuarën, sikundër këto që po na sjell librin e ri “ Gazetaria dhe etika në shoqëri”.
Ky libër vjen prej një kolegu që mbart në tekstin e ri, ndërgjegjen si bashkëjetuese me këmbënguljen e hershme fisnike, të një duajeni në gazetari. Eshtë një botim me vlerën e një teksti teorik dhe orientues, i nismuar prej ndërgjegjes profesionale të autorit.
Autori është një teoricion dhe praktikant i racës, që e ka mishëruar përvojën dhe formimin e vet, duke lëvruar në zhanre dhe lloje të realiteteve multimediale. Ka raportuar, ka informuar dhe analizuar në shumëgjuhësi dhe për shoqëri të ndryshme të arealit ballkanik si dhe në mediume të ndryshme ndërkombëtare, .
Kjo lëndë studimore e konceptuar për një arkitekturë antologjike teorike dhe praktike në këtë libër, është bazuar mbi një referencë kritike ndaj realitetit aq të përdhosur etik në mediat bashkëkohore shqiptare.
Eshtë përqëndruar mbi një njohje rigoroze të deformimeve, abuzimit dhe devijimeve deontologjike në skenat mediatike shqiptare.
Struktura e këtij libri mbart aftësinë dhe zotësinë metodologjike të një mentori dhe lektori të afirmuar mbi cështje dhe sfida të gazetarisë së ushtruar dhe asaj të ndryshuar nga brezni të mëparshme, tek gjenerata të sotme gazetarësh.
Botimet e gazetarit, publicistit dhe studiuesit Fahri Musliu sjellin një dimension teorik të munguar në traditën e më shumë se një shekulli ekzistencë në gazetarinë shqiptare. Sikundër edhe ky libër, një seri librash autorialë të Musliut përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në bibliografinë tonë mbi etikën, standartet, rolin dhe tipologjitë e medias në shoqëri të tilla si të rajonit tonë. Në këtë aspekt emri i Musliut, për këtë kontribut autorial, pason emrat gati klasikë të teksteve teorike që kanë sjellë me herët mentorët e njohur Ramiz Kelmendi, Hamit Boriçi, apo Artan Fuga etj.
Në vakumin e mbartur nga e shkuara dhe të lënë me aq hapësirë në kohët e tashme, botime të tilla studimore dhe kapituj me rëndësinë e manualeve profesionale, sikundër ky libër i Musliut, janë përpjekje serioze për të sistemuar përvojën praktike të gazetarisë dhe për ta përkthyer atë në reflektim teorik.
Sipërmarrjen e vet prej autori e përcakton dhe e nismon nga përballja me realitetin dhe apoteozën etike të gazetarisë së sotme.
“A mund të ketë etikë të mediave në vendet dhe shoqëritë ku në politikë, ekonomi dhe në veprimtari të tjera, nuk ka as etikë, as moral, as përgjegjësi?…”
Ndërsa gdhend në këtë tekst brengën, prej kësaj krize, Musliu gjen si alpinisti guvën mbajtëse, në shkëmbin e rrëpirtë dhe ngjitjen spartane, maksima si ajo e mentorit të vet Llukaç:“Gazetari është goja e popullit për veshin e sundimtarëve.”
Misioni publik dhe ai angazhues i gazetarisë sipas Musliut, nuk shkëputet asnjë grimë prej primordialitetit informues.
Ky libër është një sintezë e plotë e përgjegjësisë së gazetarit ndaj vërtetësisë dhe interesit qytetar. Pa pasur asnjë ekuivok në raportet me parimet themelore të gazetarisë, Musliu na sjell në këtë libër një punim teorik të plotë orientues, me kulturë dhe nivel shkencor ekstrauniversitar, si dhe një manual që spikat jo thjesht për kulturën profesionale të autorit, por për konceptin determinalist vetiak të lidhjes së përhershme midis praktikës gazetareske dhe reflektimit kritik mbi të.
Musliu sjell argumentet e tij jo vetëm mbi teori, por mbi përvoja konkrete të funksionimit të mediave në shoqëritë post-socialiste, në kontekstin e tranzicionit demokratik dhe në realitetin e kohës multimediale.
Ky botim pasuron shëndetshëm diskutimin e hapur mes gazetarisë si praktikë profesionale dhe asaj si fushë studimi. Për këtë arsye autori ofron edhe një kontribut specifik në mediologjinë shqiptare.
Teksti I strukturuar metodologjikisht shton dijeninë për autoritetin profesional dhe kapacitetin teorizues të autorit. Nuk është thjesht një reflektim teorik, por një udhëzues elegant për përgjegjësinë dhe gravitetin moral brenda kominitetit të gazetarëve.
Stili analitik, pasuria e referencave në bibliografitë rajonale dhe ndërkombëtare dhe adresimi në kazuse të realitetit mediatik shqiptar e më gjerë, e ngrenë këtë tekst në vlershmërinë e një metode të përgjithshme për gazetarët dhe profesionistët në struktura të ndryshme redaksionale.
Autori ka skeduluar përgjegjësitë konkrete të gazetarit në procesin informues dhe raportues.
Ai i sheh standartet si themelësi të rolit të gazetarisë në shoqëri, por si logjist, e shmang absurdin që 200 vite më parë konstatonte Gëte në marrëdhënie me shpërdorimin e lirisë së shtypit.( “Askush nuk e kërkon lirinë e shtypit më shumë se ata që janë të parët që e keqpërdorin atë liri”).
Kapituj të posaçëm të këtij libri kanë vlerën e doracakut unik në kohë të re, sikundër janë 10 elemente të përbashkëta për gazetarinë e mirë.
Autori duke përmendur raste eklatante, nga përditshmëria ndërkombëtare dhe ajo kombëtare shqiptare, na jep mundësinë e një pasurimi jo vetëm teorik si lexues dhe profesionistë, por substancialisht na ndihmon dhe pasuron memorien me raste dhe domethënie deontologjike.
Autori sjell debate të thukëta për koncepte dhe praktika gazetareske, këmbëngul në diskutimet principiale që kanë zhurmuar herët dhe rizhurmojnë kthyeshëm në aulat universitare të teorive të gazetarisë dhe të redaksive prestigjioze.
Mes thënies, kundërthënies, raportimit dhe përballjes etike me joetikën, Musliu pozicionohet pa asnjë ambiguidet teorik dhe interpretues si filistin i përgjegjësisë. Sepse ndërgjegjia e tij nuk ndahet nga etika e përgjegjësisë dhe kujdesi për pasojat e veprimit vetjak. Në emër dhe respekt të kësaj ndërgjegjeje si studiues, Musliu nuk ndahet nga fetaria e ruajtjes së standarteve dhe stoicizmit etik. Eshtë pa asnjë mëdyshje kantian në raport me peshën dhe përgjegjësinë morale që gazetari duhet të përfaqësojë në misionin publik.
Ky libër vjen në kohën e apoteozës etike në hapësirat tona mediatike dhe në epokën me hiperinfrastukturën komunikuese dhe informuese. Në këtë epokë misioni i gazetarisë u sfidua nga alternativat e shumështuara informuese, nga shfaqja e entitetit të ri të qytetarit-gazetar dhe opcioneve IA, të cilat sipas “besnikut klasik” të gazetarisë profesioniste Musliu, nuk përballen dot pa u bazuar në diferencën tonë. Ai këmbëngul në recetën se “Ostrakizmi ynë na ndan!” Entiteti i më të cilësishmëve në komunitetin e gazetarëve profesionistë në botë, e ndan këtë pikëpamje njëjtë si gazetari dhe studiuesi Fahri Musliu.
Sepse ai, sikundër edhe Korny, udhëhiqet prej principit “si të zvogëlohet fushëveprimi i keqpërdorimeve gazetareske dhe mediatike”.
*Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë



