
Nga Enver Robelli-
Gati të gjithë liderët e botës janë në New York, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Me përjashtim të Friedrich Merzit. Kancelari gjerman ka probleme të mëdha në shtëpinë e tij (politike).
Në zgjedhjet për parlamentin rajonal të landit Mecklenburg-Vorpommern, partia e Merzit, CDU, mezi ka arritur të kalojë pragun prej 5 për qind, rezultati më i keq në historinë e partisë në këtë krahinë gjermane.
Në Berlin, CDU nuk arriti të dalë partia e parë, por e dyta.
Në kryeqytetin gjerman po kryeson partia e majtë DIE LINKE.
Merz i quajti rezultatet e dobëta të partisë së tij në Mecklenburg-Vorpommern dhe Berlin një «katastrofë», por ai nuk tregoi shenja se do të japë dorëheqje. Por rejtingu i tij në Gjermani është tepër i ulët dhe spekulimet se sa do të arrijë të qëndrojë në post tashmë kanë filluar.
Kryekandidatja e së majtës DIE LINKE në Berlin, Elif Eralp, ka gjasa të bëhet kryetare e Berlinit.

Nëse arrin të merret vesh me parti të tjera për krijimin e një koalicioni, Eralp do të ishte gruaja e parë me origjinë turke në krye të kryeqytetit gjerman. Elif Eralp u lind më 1981 në München; një vit më parë, prindërit e saj – të dy aktivistë sindikalë – ikën nga Turqia si pasojë e puçit ushtarak të kryer nga shefi i armatës Kenan Evren. E ëma e Elif Eralpit, Hülya Eralp, është njëra nga feministet e para të komunitetit turk në Gjermani.
Që një grua me prejardhje turke mund të bëhet kryetare e Berlinit, «fajin» e ka një shqiptar: gjenerali Kenan Evren ishte me prejardhje nga fshati Bilaç i Preshevës. Po të mos e rrëzonte qeverinë nëpërmjet puçit më 1980, prindërit e Elif Eralpit vështirë se do të largoheshin nga Turqia.



