Aktualitet/LajmeKryesoreKultureNdodhi

“Jemi që pa ardhur deti” i autorit Akri Çipa u paraqit në Lezhë

Nga Erisa Muçaj-
Libri i autorit Akri Çipa “Jemi që pa ardhur deti”, në dy versionet (shqip dhe anglisht), u paraqit sot paradite në Bibliotekën “At Gjergj Fishta” të Bashkisë së Lezhës. Veprimtaria e përgatitur nga departamenti i Kulturës, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, zotit Pjerin Ndreu, ngjalli interesin e të pranishmëve dhe mediave vendore.
Me pjesëmarrjen e krijuesve lezhianë, botues dhe lexues të ndryshëm, si dhe familjarë të autorit, nën moderimin e shkrimtarit Liridon Muja, u mundësua një dialogim interesant për raportin e tekstit të këtij libri dhe marrëdhënien gjenealogjike të autorit me personalitetin e intervistuar, sikundër e cilësoi shkrimtari Muja, ”Poetin e popullit Lefter Çipa”.
Kryetari i bashkisë zoti Ndreu, në fjalën e vet përshëndetëse, si mik i familjes së autorit, solli para të pranishmëve vlerësimet për poetin e ndjerë Lefter Çipa i cili ka një kontribut themelor në polifoninë shqiptare dhe në trashëgiminë tonë kombëtare.
Kjo marrëdhënie mes gjyshit dhe nipit, e përcjellë në një mënyrë unike përmes lëndës së librit “Jemi që pa ardhur deti”, na krijon një model të raporteve dhe komunikimit kulturor përmes një rasti të rrallë. Shkrimtari Muja realizoi një dialogim jo vetëm shpjegues por edhe interpretues për specifikën e këtij botimi dhe raportin dialogues të ndërtuar gjatë procesit krijues të autorit me gjyshin-personazh të pazakontë.
Botuesi Frano Kulli dhe gazetari në diasporë, Zef Përgega, duke e vlerësuar këtë rast libri, theksuan rolin dhe peshën që merr kultura autentike kombëtare në një qasje globale, përmes botimesh të tilla.
Gazetari Aleksandër Çipa, njëherësh prind i autorit, duke falenderuar të peanishmit dhe organizatorët, theksoi se kësi botimesh përbpjnë edhe një rast antropologjik mes gjenealogjish të krijuesve në letërsinë dhe letrat shqipe.
Intervista mes shkrimtarit Muja dhe autorit Akri Çipa për librin, kohën dhe raportet në kohën e qenies dhe të mosqenies fizike me gjyshin e intervistuar Lefter Çipa si dhe eseja e rishkruar, si formulim më afirmues dhe më filozofik për personazhin e rrallë dhe të njohur në botën kulturore shqiptare, shenjohet edhe si një ndodhi e rrallë.
Autori i librit duke falenderuar organizatorët dhe të pranishmit shprehu mirënjohjen për Bashkinë e Himarës, Qendrën Muzeu i Fjalës “Lefter Çipa” që mundësuan këtë botim të dytë dhe të plotë të librit në dy gjuhë. Ai bëri me dije se versioni anglisht i tij do të paraqitet së afërmi edhe në New York dhe në qytete të tjera në SHBA për të krijuar një kontakt dhe marrëdhënie leximi me audiencën amerikane.

Artikuj të lidhur

Back to top button