BlogEditorialKryesoreOpinionsRajoni

Diversiteti malinj në ndërgjegjen kombëtare të disa grupeve

Nga Aleksandër Çipa-
Qarkullimi i një videoje në të cilën jepet refuzimi i ritit përcjellës nga disa hoxhallarë, për shkak të flamurit kombëtar, më ka tronditur.
Më trondit njëjtë si refuzimi nga priftërinjtë i përshpirtjeve për Nolin apo për Negovanin.
Është një kohë tersi për diversitetin malinj në ndërgjegjen kombëtare të çdo shqiptari.
Kurrë nuk e kemi pasur një përdhosje të tillë të simboleve kombëtare.
Kurrë, në asnjë kohë të mëparshme, nuk kemi pasur rebelime të tilla kundër kombëtarisë dhe identitetit tonë shqiptar.
Marrëzia konkuron marrëzinë nga jugu i Shqipërisë deri në Kaçanik, nga Tetova, në Drenicë, nga Peja në Shkup dhe nga Tirana në Prishtinë, nga Shkodra në Himarë.
Janë vërsulur hordhitë me rroba të ardhura jashtë trojeve dhe me helm ndërgjegjësor kundër gjithëçkaje që lartësoi emrin dhe genin shqiptar në Botën e pamëshirshme.
Por në këtë kohë të shthurrur në gjithëçka, këto sulme të krijojnë imazhin e dyndjeve mongole mbi hapësirën shqiptare në kohë të hershme të rruzullit.
Si ka mundësi të refuzohet me kaq guxim nga një hoxhë flamuri kombëtar, në përcjelljen e një nëne apo biri shqiptar?!?
Nga kush?!! Nga erdhi dhe kush ia mësoi atij hoxhe surenë antiflamur?!?
Në cilin libër dhe cila shkollë ia dha këtë ushqim antishqiptar?!?!
Ky nuk është rast i shkëputur!…
Fatkeqësisht po stërprovohet eseja e Kadaresë “ Mosmarrëveshja”!!!
Në këtë kohë dhe për kësi aktesh të turpshme dhe të dënueshme antishqiptare shtetet shqiptare duhen shkundur. Partitë shqiptare nuk tregojnë asnjë ndjeshmëri. Udhëheqësit politikë tinzarë më të keq, e shmangin dhe heshtin duke u bërë bashkëfajtorë.
Shoqëritë tona dhe sidomos interpretët publikë duhen ndalur tek kësi rastesh dhe ndaj kësi shfaqjesh..
Shenjtërimi i kombëtares është nevojë urgjente. Mbrojtja e sekularizmit është mision dhe detyrim kushtetues ekzistencial shtetëror dhe kombëtar.
Fetë në këtë tokë e në këtë popull kanë dhënë e marrë besim ndër njerëz, kur kanë dëshmuar dinjitetshëm dashurinë dhe mishërimin e kombëtarisë, e identitetit dhe simboleve tona atdhetare kombëtare.
Në historinë tonë, lavdia vijon të mbetet skeptër për gjithë ata klerikë myslimanë dhe kristianë që u bënë predikues dhe mbrojtës të kombëtares, të flamurit dhe gjuhës, të shqipes me dy krerë dhe të simboleve të historisë sonë shqiptare. Ata që erdhën dhe shkuan për shërbesa të tjera, mbetën dhe do të kujtohen si histori “ mishi të huaj” në trupin e kombit.

Artikuj të lidhur

Back to top button