
Nga Hasan Aliaj-
Kohë më parë, nga SHBA-ja, një grup krijoi një shoqatë, apo federatë, nuk më kujtohet mirë, por që mbante emrin Rrënjët. U dërgova një mesazh sqarues, ku, sipas ligjeve që lidhen me mediat dhe shoqatat, nuk mund ta mbanin këtë emërtim. Për të qenë edhe më bindës, u dërgova edhe logon e gazetës. Pa humbur kohë, ata e ndryshuan emrin duke e quajtur Rrënjët Shqiptare.
Një rast tjetër na ndodhi me një grup intelektualësh shqiptarë, të cilët krijuan Akademinë Rrënjët. Meqë disa prej tyre i njihja, pasi kishin qenë bashkëpunëtorë të zellshëm të gazetës prej vitesh, u dërgova një mesazh miqësor, duke u shpjeguar se nuk mund të vepronin në kundërshtim me ligjin.
Ata u përpoqën që të isha pjesë e tyre, por nuk pranova, sepse gazeta Rrënjët kishte marrë prej vitesh një mision: të paraqiste të vërtetën historike, duke u mbështetur në të dhëna të sakta, të gjetura nëpër skutat e bibliotekave serioze. Këtë mision, kushdo që ka qenë dhe është në kontakt me gazetën, e di se e kemi kryer me sukses, përkushtim dhe përgjegjësi.
Këtu është interesant fakti se po kjo akademi, sipas të dhënave të saj, i është referuar në studimet e veta edhe gazetës Rrënjët. Pa hezituar, ata e ndryshuan emrin në Rrënjët Tona.
Të gjitha këto janë përpjekje për ta gllabëruar këtë emër simbolik dhe shumë integrues, siç e ka cilësuar edhe miku im i vjetër, Faruk Myrtaj, sapo ra në kontakt me gazetën në vitin 2002.
Ja edhe një rast tjetër, i pakuptimtë. Prej kohësh, një gazetar më bënte oferta të dyshimta, të cilat, nga mënyra se si formuloheshin, nuk më pëlqenin. Ndjeja se mbartnin diçka të çuditshme dhe i anashkaloja. Derisa arriti momenti kur ky mik virtual më dërgoi një shkrim që fliste për një shoqatë me emrin Rrënjët.
E lexova me vëmendje dhe iu përgjigja shkurt:
“Si mund të publikoj një shkrim për një shoqatë që ka emrin e një shoqate dhe logon e gazetës?”
E bukura ishte se miku, të cilit i kisha publikuar disa shkrime, m’u përgjigj:
“Nuk u thellova shumë.”
Më vjen për të qeshur, por edhe për të qarë, kur ndeshem me skena të tilla danteske.
Rasti i fundit është një tjetër përpjekje grabitjeje, sepse kështu e quaj, që më vjen nga toka ime e dashur, Dardania, ku një portal, gazetë apo çfarëdo lloj emri tjetër që mund të ketë, mban emrin Rrënjët.
Komunikova me ta, por, të them të drejtën, ende nuk e kam kuptuar atë që më thanë. E vetmja frazë që më mbeti në memorie ishte:
“Mos më shqetësoni.”
Me qetësi iu përgjigja se ekziston një ligj edhe për emërtimin e portaleve dhe iu drejtova një bashkëpunëtori, i cili e ndiqte këtë portal. Ai më tha:
“I nderuar Hasan, e kam ndjekur pa u thelluar. Mendoja se mos ishit ju që e kishit hapur edhe në Dardani.”
Na ndodh shpesh që njerëz të ndryshëm të na dërgojnë mesazhe, duke kërkuar të dinë nëse bëjmë teste DNA-je, sepse qenka hapur një portal tjetër Rrënjët për ata që duan të bëjnë testin e DNA-së.
Gjatë kësaj periudhe, kur ndodhemi në prag të 25-vjetorit të gazetës, jemi ndeshur dhe ndeshemi me fenomene të tilla. Por nuk është as e hijshme dhe as serioze të ndërmerren veprime të kësaj natyre.
Në punën e kujtdo qoftë, duhet të ketë transparencë dhe ndershmëri. Nëse këto kritere janë bazë themelore e veprimtarisë, atëherë edhe sukseset do të jenë afatgjata dhe me ndikim pozitiv për shoqërinë.
Për të kuptuar më mirë esencën e këtij shqetësimi, po paraqes edhe një rast tjetër, që ka shumë kuptim dhe domethënie.
Poeti i shquar Namik Selmani, në librin e tij poetik, kishte dëshirë t’i vinte emrin Rrënjët. Poetin e sinqertë e kuptova drejt dhe, pa hezituar, i thashë:
“Përse jo, i nderuar?”
Pasi më falënderoi, më përshëndeti me një buzëqeshje të çiltër dhe, në hyrje të librit, e kishte nisur me gazetën Rrënjët.
Po e mbyll këtu, që të mos ju lodh.
Por, në këtë botë, ka edhe njerëz të mirë, njerëz që dinë të çmojnë, të respektojnë dhe të vlerësojnë atë që është ndërtuar me punë, përkushtim dhe ndershmëri.
Me respekt Hasani



