BlogKryesoreOpinions

Shteti dhe shqiptarët, problemi i vërtetë i turizmit!

Nga Ermal Peçi-
Qeverisja e Edi Ramës ende nuk e ka kuptuar se një vend nuk bëhet destinacion turistik vetëm sepse ka det të bukur apo male madhështore. Ai bëhet i tillë kur natyra, historia, kultura, gastronomia, infrastruktura dhe mikpritja funksionojnë si një organizëm i vetëm. Pikërisht këtu Shqipëria vazhdon të ketë problemin e saj më të madh. Nuk kemi mungesë potenciali, por mungesë vizioni dhe strategjie për të tërhequr turistë dhe për të sjellë një ofertë ndryshe në konkurrencën e egër që na rrethon. Çdo verë debati kufizohet te numri i turistëve dhe lufta e shifrave, ndërsa pyetja që duhet të shtrohet është krejt tjetër: pse një vend me kaq shumë pasuri natyrore, historike e kulturore ende nuk ka arritur të ndërtojë një model turizmi që funksionon si një i tërë?
Qeveria shqiptare ende nuk ka qenë e aftë të ndërtojë një strategji të mirëfilltë dhe afatgjatë për zhvillimin e turizmit. Shpeshherë propaganda përdoret për të mbuluar mangësitë dhe dështimet në këtë sektor. Paradoksi është se kampionët e turizmit shqiptar, sipas vetë turistëve dhe dëshmive të tyre, janë agroturizmat, ushqimet tradicionale, mikpritja dhe zonat malore. Megjithatë, pavarësisht këtij suksesi, qeveria vazhdon ta përqendrojë vëmendjen pothuajse ekskluzivisht te bregdeti, sikur aty të gjendej e gjithë e ardhmja e turizmit shqiptar.
Në të vërtetë, Shqipëria ka një nga relievet më të bekuara në rajon. Janë të pakta vendet ku, brenda rreth një ore, mund të zbresësh nga malet drejt detit, duke kaluar mes panoramave të jashtëzakonshme, luginave, lumenjve, fshatrave tradicionalë dhe peizazheve që ndryshojnë në çdo kilometër. Kjo është një pasuri natyrore që shumë vende do ta kishin zili, por që ende nuk është shndërruar në një produkt turistik të mirëorganizuar.
Problemi është se Shqipëria nuk ka arritur të ndërtojë një zinxhir funksional, ku historia, kultura, trashëgimia, gastronomia, agroturizmi, mali dhe bregdeti të funksionojnë si një ingranazh i vetëm. Turisti nuk duhet të vijë vetëm për plazh apo vetëm për një destinacion malor; ai duhet të ketë mundësinë të përjetojë një itinerar të plotë, ku çdo hallkë e promovon dhe e plotëson tjetrën. Vetëm atëherë mund të flasim për një industri të mirëfilltë turistike dhe jo për destinacione të shkëputura nga njëra-tjetra. Krijimi i paketave të përbashkëta turistike dhe i eksperiencave të larmishme do ta shndërronte Shqipërinë në një destinacion katërstinor, jo vetëm sezonal.
E vërteta është se bregdeti shqiptar ndodhet ende në një proces të madh transformimi infrastrukturor. Rrugët, ujësjellësit, kanalizimet dhe ndërtimet e shumta e bëjnë të vështirë që ai të ofrojë sot potencialin e tij maksimal. Kjo nuk do të thotë se nuk ka bukuri natyrore, por se mungesa e planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm vazhdon të ndikojë në përvojën e vizitorëve.
Por përgjegjësia nuk është vetëm e shtetit. Në shumë raste janë edhe vetë shqiptarët ata që i hapin plagë turizmit. Në disa zona mbizotëron ende mentaliteti se brenda 30 ditëve të sezonit duhet të merret fitimi maksimal, pa menduar për turistin që duhet të rikthehet vitin tjetër. Çmime të pajustifikuara, mungesë standardesh, shërbim i dobët dhe etja për fitim të shpejtë dëmtojnë më shumë imazhin e vendit sesa çdo fushatë promovuese mund ta përmirësojë.
Turizmi nuk ndërtohet me slogane, as me rekorde sezonale dhe as me luftën e shifrave. Ai ndërtohet me vizion, planifikim dhe aftësinë për të lidhur në një të vetme atë që Shqipëria e ka me bollëk: malin, detin, historinë, kulturën, gastronominë dhe mikpritjen. Kur këto funksionojnë të ndara, humbet vendi; kur funksionojnë së bashku, fiton turizmi dhe ekonomia.
Shqipërisë nuk i mungon potenciali për t’u bërë një destinacion i jashtëzakonshëm. Asaj i mungon një strategji kombëtare që ta kthejë këtë mozaik pasurish në një identitet të vetëm turistik. Vetëm atëherë nuk do të flasim më për një sezon të suksesshëm, por për një industri të qëndrueshme që prodhon zhvillim, punësim dhe mirëqenie gjatë gjithë vitit.

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button