IntervistaKryesoreNdodhiPolitikeRajoni

“Në Ballkan po lind diçka historikisht krejt e re” – një bisedë me Oliver Jens Schmitt mbi protestat në Shqipëri dhe të kaluarën e rajonit

Kush e njeh Ballkanin vetëm nga larg, u beson klisheve: korrupsion, dhunë, nacionalizëm. Historiani Oliver Jens Schmitt shpjegon për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” se çfarë prej kësaj është e vërtetë dhe çfarë është trillim.

Oliver Jens Schmitt është një nga njohësit më të mirë të historisë shoqërore dhe kulturore të Evropës Lindore. Historiani zviceran është profesor i historisë së Evropës Lindore në Universitetin e Vjenës. Së fundmi ka botuar: Rivalët perëndimorë të Moskës. Një histori evropiane nga Kepi i Veriut deri në Detin e Zi, Klett-Cotta 2025, 475 faqe. Më 2024 doli vëllimi i tretë i “Manualit për historinë e Evropës Juglindore” (janë planifikuar gjithsejtë 7 vëllime). Ky projekt drejtohet nga historianët Ulf Brunnbauer, Konrad Kleving, Oliver Jens Shmitt. Vepra botohet te De Gruyter në Berlin.

Schmitt: Po, ka. Por ai prek më shumë shoqëritë sesa aparatet e pushtetit. Në 35 vitet e fundit, në të gjitha këto vende është rritur një shtresë e mesme qytetare dhe urbane. Ajo është e lidhur ndërkombëtarisht, ka përvoja të shumta jashtë vendit dhe nuk është më fort e varur nga strukturat lokale të pushtetit. Këta njerëz kanë krijuar diçka, pra një hapësirë publike, ose më mirë: një kundërhapësirë publike. Këtu bën pjesë rreth 25 deri në 30 për qind e popullsisë. Po lind diçka historikisht krejt e re.

Por në pushtet kjo shtresë urbane nuk ka ardhur askund. Pse?

Schmitt: Të fuqishmit, në vende si Rumania ose Serbia, pas përfundimit të diktaturës komuniste formuan një amalgamë të policisë, shërbimeve të sigurisë, qarqeve të biznesit dhe kishës ortodokse. Ta çash këtë strukturë është e vështirë. U pa që për t’i dhënë fund qeverisë së (kryeministrit hungarez) Orbán ishte vendimtare që aparati i sigurisë u distancua prej tij. Për një ndërrim regjimi kjo është thelbësore. Për më tepër: për të ardhur në pushtet, nga lëvizjet protestuese duhet të lindin parti. Dhe kur pastaj edhe ato duken të korruptuara në luftën për pushtet, kjo çon shpejt në demobilizim të protestës.

Në Serbi që nga viti 2024 po zhvillohen protesta studentore dhe qytetare, ndërsa në Shqipëri qytetarët po kundërshtojnë marrëveshje të dyshuara për korrupsion me investitorë. A janë këto lëvizje shkolla të demokracisë?

Schmitt: Në Serbi kemi një spektër të gjerë njerëzish që protestojnë: nga intelektualë proevropianë deri te nacionalistët e skajshëm. Të gjithë janë kundër qeverisë, por përfytyrimet se çfarë duhet të vijë më pas janë shumë të ndryshme. Aparati represiv në Serbi është aq i fortë, sa protesta funksionon pa udhëheqës të dukshëm, sepse ata do të eliminoheshin menjëherë.

Po në Shqipëri?

Schmitt: Në Shqipëri lëvizja është shumë më e re. Kreu i qeverisë, Edi Rama, është më fort i ankoruar në kampin perëndimor dhe prandaj nuk mund të veprojë kaq brutalisht kundër protestës sa Aleksandar Vuçiçi, presidenti serb. Nuk duhet harruar që Shqipëria është vend turistik. Aktet e dhunës në Tiranë do t’i dëmtonin jashtëzakonisht destinacionin. Pra Rama është shumë më i kufizuar në mundësitë e tij.

Edhe nacionalizmi etnik, që e ka shqetësuar Ballkanin që nga shekulli XIX, vazhdon të jetë politikisht përcaktues. Pse ky nacionalizëm qëndron kaq fort?

Schmitt: Mbahet kaq fort sepse këto shtete, si shtete-komb, shpesh kanë një identitet të brishtë dhe prandaj me nacionalizmin kompensojnë probleme sociale dhe ekonomike. Dhe duhet parë edhe se gjatë këtyre 200 viteve janë formuar struktura të forta, ku shumë njerëz e sigurojnë jetesën duke kultivuar këto rrëfime. Kjo prirje është shumë e pranishme edhe në nivelin drejtues të institucioneve shtetërore: në akademinë e shkencave, kishën ortodokse, ushtrinë. Kjo vlen si për Serbinë, ashtu edhe për Rumaninë.

Ballkani vihet përherë në lëvizje kur ndryshon sistemi i fuqive ku është i përfshirë. Pra, për shembull, me rënien e Perandorisë Osmane, krizën e monarkisë austro-hungareze ose fundin e Luftës së Ftohtë.

Schmitt: Konstelacioni më i favorshëm për sundimtarët rajonalë është konkurrenca mes fuqive të mëdha në Ballkan. Kjo u jep atyre hapësirë veprimi. Krejt e pafavorshme për ta është një hegjemoni, siç ishte BE-ja për një kohë të shkurtër në fillim të këtij shekulli. Kjo kohë tashmë ka kaluar, dhe Brukseli ka marrë konkurrencë nga Kina, SHBA-të dhe Rusia. Vuçiqi e shfrytëzon këtë shumë mirë, duke manovruar mes këtyre fuqive. Kjo ka një traditë të vjetër. Hulumtimet më të reja tregojnë se Perandoria Osmane nuk ishte gjë tjetër veçse një grumbull sundimtarësh rajonalë, të cilët i qëndronin besnikë Stambollit për sa kohë që liheshin të qetë. Asnjë perandori nuk ia ka dalë të realizojë një depërtim centralist në Ballkan. Kur një perandori donte të sundonte, duhej të bashkëpunonte me elitat rajonale.

Mjeshtri i politikës luhatëse mes Lindjes dhe Perëndimit ishte Tito.

Schmitt: Po, Jugosllavia e Titos e bëri këtë në Luftën e Ftohtë në një mënyrë veçanërisht të dukshme, por shumë fort edhe Rumania. Ashtu si Jugosllavia, edhe ajo e financoi një pjesë të madhe të modernizimit me kredi perëndimore, duke mbajtur distancë nga Moska. Si Titoja, ashtu edhe diktatori rumun Çaushesku ishin komunistë të bindur, por fituan shumë para me politikën e tyre luhtëse mes Lindjes dhe Perëndimit. Dhe të dy sistemet u rrëzuan kur përfundoi Lufta e Ftohtë dhe kjo ambivalencë nuk funksionoi më.

Jetojmë përsëri në kohë të trazuara gjeopolitike. SHBA-të janë tërhequr si garantuese të paqes që e kishin imponuar pas luftërave jugosllave. Trumpi dhe familja e tij tani interesohen për marrëveshje fitimprurëse. Çfarë do të thotë kjo për rajonin?

Schmitt: Për BE-në është shumë e pakëndshme që SHBA-të po veprojnë me këtë qasje transaksionale. Por për vendimmarrësit politikë në rajon kjo është shumë e mirëpritur. Ata dinë të përballen me këtë shumë më mirë sesa me qasjen moralizuese dhe pak efikase të Bashkimit Evropian. Brukseli ende nuk ka një proces anëtarësimi me shkallë, por njeh vetëm anëtarë dhe joanëtarë. Kjo e bllokon procesin e integrimit. Kur lexon raportet e progresit, për shembull për Shqipërinë, dhe e njeh situatën në vend, ke ndjesinë e realiteteve paralele. Shumë njerëz po emigrojnë, shumë më tepër janë të pakënaqur. Por në raporte shkruhet se Shqipëria po bën përparim të mirë.

Evropianët i ngritën protektoratet e para në Ballkan që në fillim të shekullit XIX. Ata dërguan mbretër dhe princër në Greqi dhe Shqipëri për të ndërtuar atje shtete. Ndërsa në Bosnjë dhe Kosovë, Perëndimi pati protektoratet e tij të fundit. Sa të suksesshme ishin këto?

Schmitt: Kur në vitet 1990 filloi të ri-vendosej ky model i përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë, shumica e vendimmarrësve nuk e kuptonte se po hynin në një traditë të gjatë përpjekjesh të dështuara. Modeli i parë është Greqia, ku në vitet 1830 dërgohen zyrtarë administrativë bavarezë për ta ndërtuar vendin. Kjo dështoi shpejt. Kur më 1912 krijohet shteti shqiptar, dërgohet një princ gjerman me një trupë mbrojtëse holandeze. Kjo është hera e parë që holandezët dështojnë në Ballkan. 80 vjet më vonë vjen edhe dështimi i trupës së tyre të OKB-së në Srebrenicë. Nuk ia dalin kurrë për të njëjtat arsye: probleme komunikimi, jo vetëm gjuhësore, por edhe mentaliteti, vlera të kundërta. Dhe në fund akterët lokalë janë gjithmonë në avantazh.

Pra, nuk funksionon?

Schmitt: Kur e sheh këtë historikisht për 200 vjet, duhet të jesh shumë skeptik. Edhe sepse këta mbikëqyrës ndërkombëtarë i lirojnë shoqëritë e atjeshme nga përgjegjësia. Pastaj, në rast dështimi, ata lehtë mund t’ia hedhin fajin fuqive të mëdha dhe ta zhvendosin përgjegjësinë te të tjerët. Ky është një diskurs shekullor në Ballkan – dhe ende i pranishëm.

Prej nga vjen në fakt imazhi i keq i Ballkanit në Perëndim?

Schmitt: Kjo mund të përcaktohet mjaft saktë. Nis në fillim të shekullit XX dhe ka të bëjë shumë me Luftën e Parë Ballkanike më 1912. Në Perëndim u krijua përshtypja se atje sundonte një formë veçanërisht brutale e luftës. Pastaj erdhi Lufta e Parë Botërore, e cila tregoi se të ashtuquajturat vende të civilizuara ishin në gjendje të vrisnin madje miliona njerëz. Por nuk duhet harruar se ka pasur edhe një imazh shumë pozitiv për Ballkanin, sidomos në periudhën ndërmjet dy luftërave. Shumë udhëtarë shkonin atje për të parë jetën e “vërtetë”, domethënë burrat dhe gratë në rolet e tyre fillestare. Kjo shkonte deri te nazistët, të cilët propagandonin një racizëm ekstrem kundër sllavëve lindorë, por i merrnin shumë seriozisht sllavët e Ballkanit dhe nuk i përbuznin si njerëz të dorës së dytë. Kur bëhej fjalë për grekët dhe shqiptarët, kishte nganjëherë klishe tejet pozitive. Perceptimi krejt negativ u kthye sërish me shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet 1990. Atëherë paragjykimet ishin aq më të forta sa më larg Ballkanit të ishe: në SHBA shumë më negative se, fjala vjen, në Austri.

Po sot?

Schmitt: Shumë vende të Ballkanit janë magnete turistike: Kroacia, Shqipëria, natyrisht edhe Greqia. Këtyre vendeve u mungon fuqi e mjaftueshme punëtore për t’i strehuar dhe shërbyer turmat e vizitorëve. Shqipëria sot e prezanton veten si diçka ndryshe dhe misterioze. Në fshatin më të humbur has turistë gjermanë dhe polakë. Pra, nuk është më ekzotike në kuptimin e vjetër. Por Ballkani mbetet një destinacion i pëlqyer udhëtimi.

Pse Greqia nuk perceptohet si vend ballkanik?

Schmitt: Greqia është vend ballkanik par excellence. Fakti që kjo nuk dëshirohet të shihet ka të bëjë me faktin se për një kohë të gjatë ka ekzistuar një elitë evropiane e formuar nga mësimi i greqishtes së vjetër. Greqia në shekullin XIX gjithashtu filloi të paraqitej kështu nga jashtë: si djep i Evropës. Antikiteti përmban një kapital simbolik jashtëzakonisht të madh. Edhe gjatë krizës së euros, intelektualë dhe politikanë grekë bënin llogari se sa duhet t’i paguante Evropa Greqisë, sepse grekët i paskëshin dhuruar botës demokracinë. Por Greqia ka edhe një model të dytë identitar. Është më popullore sesa tradita antike e imponuar dhe mbështetet te ortodoksia dhe Bizanti.

Shumë perëndimorë nuk e shohin Ballkanin grek pas gjithë atyre kolonave antike.

Schmitt: Kjo lidhet me kompleksitetin gjuhësor. Ballkani është sa Franca i madh, por mban brenda një mori gjuhësh të vjetra kulturore, që shpesh nuk kanë lidhje mes tyre. Numri i njerëzve në pjesë të tjera të Evropës që kanë njohuri reale për këto shoqëri është tepër i vogël. Dhe ky është një problem i madh që prek gjithë Evropën. Flasim vazhdimisht për eurocentrizmin, por pyetja është: kush e njeh në të vërtetë Evropën?

Historiania Maria Todorova, që jeton në SHBA, e ka formësuar termin “ballkanizëm”. Ai përshkruan një paragjykim perëndimor që e sheh Ballkanin si rajon të prapambetur në mënyrë të përhershme: jo ekzotik si Orienti, por as krejtësisht evropian.

Todorova i referohet teorisë së famshme të orientalizmit të Edward Saidit. Ajo, megjithatë, ka analizuar kryesisht raporte udhëtimi dhe media angleze dhe franceze për Ballkanin. Po të mblidheshin tekste të tilla nga gazetarë dhe turistë jo shumë të informuar për Zvicrën, me gjasë do të përfundonim me një “helvetizëm” të ashpër: padituri e kombinuar me klishe. Por nuk duhet harruar: ekziston edhe një ballkanizëm me vlerësim pozitiv “nga brenda”. Këtë mund ta matësh, për shembull, në Eurovision Song Contest. Aty këto vende, që supozohet se e urrejnë njëra-tjetrën, votojnë vazhdimisht për njëra-tjetrën. Në Vjenë, ku jetoj unë, shumë njerëz nga ky rajon shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Falë ngjashmërive në muzikë, ushqim dhe kulturë materiale. Sapo gjenden sërish brenda kuadrit rajonal, dallimet bëhen përsëri më të rëndësishme.

Manualet historike si ky shkruhen gjatë shumë viteve, derisa më në fund botohen. A është kjo ende në frymën e kohës? A nuk do të ishte më mirë që kërkimi më i ri të ishte i disponueshëm në një databazë të kuruar nga IA?

Schmitt: Ne filluam para 15 vjetësh. Inteligjenca artificiale nuk ishte e qasshme si sot, por edhe atëherë pyesnim nëse një manual i tillë ishte ende i përshtatshëm. Megjithatë, ai pasqyron gjendjen e shkencës në një moment të caktuar dhe, gjithsesi, është i qasshëm edhe online. Ne duam gjithashtu të bëjmë të disponueshme shumë rezultate kërkimore nga gjuhët përkatëse kombëtare: të hapim qasje, të tregojmë perspektiva që përndryshe nuk njihen. Por thelbësorja janë interpretimet. Kjo është fusha ku shkencat humane do të zhvillohen më shumë në vitet e ardhshme. Jo te riprodhimi i dijes, por te pyetjet e reja ndaj një fondi ekzistues dijesh.

Çfarë mund të mësojmë në përgjithësi nga historia?

Schmitt: Mendoj se po shohim pikërisht tani që ajo po bëhet sërish e rëndësishme. Jetojmë në një kohë kur historia është burim politik. Kjo është një sfidë e madhe, veçanërisht për Evropën e BE-së, e cila vetveten e sheh si projekt pa një të kaluar të madhe dhe pa një vizion afatgjatë për të ardhmen. Përballë saj, Rusia, Turqia, Kina janë shtete që mendojnë në kontekste historike dhe prej tyre bëjnë politikë shtetërore. Megjithatë unë besoj në avantazhin e sistemeve perëndimore në këtë garë, sepse prodhojnë dije përmes kërkimit të lirë. Në manualin tonë ne e bëjmë këtë në bashkëpunim të ngushtë me kolegët në vendet përkatëse. Ne nuk punojmë mbi rajonin, ne punojmë me rajonin.

Çfarë roli kanë historianët në këtë konkurrencë sistemesh?

Schmitt: Që historiografia të veprojë si burim demokratik, ajo nuk duhet të bëhet e izoluar në universitete, por duhet të komunikojë intensivisht me shoqërinë. Historianët e kuptojnë veten shumë shpesh vetëm si teknikë që sigurojnë fonde, në vend që të jenë intelektualë të rrënjosur në shoqëritë e tyre. Pikërisht në Zvicër pothuajse nuk ka më historianë të rinj që përpiqen të ndërhyjnë në diskursin shoqëror.

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button