Aktualitet/LajmeKronikKryesoreKultureNdodhi

Teatri Bylis Fier njofton vdekjen e artistit Todi Llupi: Lamtumirë, Mjeshtër i Madh!

 Lamtumirë, Mjeshtër i Madh!

Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të Todi Llupit, një prej figurave më të spikatura të Estradës Profesioniste të Fierit dhe Teatrit “Bylis”, artistit që për dekada i dhuroi publikut buzëqeshje, emocion dhe art të vërtetë.

I lindur në Fier më 1 mars 1948, Todi Llupi iu përkushtua skenës që prej vitit 1971, si aktor profesionist i Estradës së Fierit. Me talentin e tij të rrallë interpretoi qindra role në komedi, skeçe, parodi, kuplete, monologë, pantomima e dialogë, duke krijuar personazhe që mbetën të paharrueshëm në kujtesën e publikut.

Aktrimi i tij u dallua për frymën popullore, përdorimin mjeshtëror të dialektit myzeqar, si edhe për interpretimin plot jetë të karaktereve të njerëzve të thjeshtë. Si kupletist dhe parodist, ai spikati edhe për zërin e tij të bukur tenor, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e humorit shqiptar.

Një nga interpretimet e tij më të njohura mbetet parodia “Do martojmë Malon” (1982), që e ktheu në një nga artistët më të dashur të skenës shqiptare.

Për kontributin e çmuar në art dhe kulturë, ai u nderua me titullin “Artist i Merituar” në vitin 1989, ndërsa më 10 prill 2021 u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, në vlerësim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në artin skenik dhe humorin shqiptar.

Sot, Fieri humbi një artist të madh, ndërsa kultura shqiptare humbi një nga zërat dhe figurat e saj më të dashura.

🕯️ Drejtoria e Artit, Kulturës dhe Turizmit, Bashkia Fier, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Llupi, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit artistik.

Artikuj të lidhur

Back to top button