Aktualitet/LajmeKronikKryesoreNdodhi

AALEA dhuron 15,000 dollarë për familjen e efektivit të rënë në detyrë, Enea Mekolli

Shoqata Amerikano-Shqiptare e Punonjësve të Zbatimit të Ligjit (American Albanian Law Enforcement Association – AALEA) ka dhuruar 15,000 dollarë për familjen e efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, duke shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan të punonjësve të zbatimit të ligjit për familjen e tij dhe Policinë e Shtetit.

Distinktivi i policisë është simbol i përkushtimit, përgjegjësisë dhe sakrificës. Kur një efektiv humbet jetën në krye të detyrës, e gjithë familja e punonjësve të zbatimit të ligjit ndan të njëjtën dhimbje. Solidariteti mes tyre nuk njeh kufij.

Në emër të më shumë se 1,500 punonjësve të zbatimit të ligjit me origjinë shqiptare dhe mbështetësve të saj në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, AALEA i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mekolli, Policisë së Shtetit dhe mbarë popullit shqiptar.

“Efektivi Enea Mekolli dha jetën në shërbim të vendit të tij. Kurajoja, përkushtimi dhe sakrifica e tij nuk do të harrohen kurrë,” tha Elton Shametaj, themelues dhe kryetar i AALEA-s. “Asnjë kontribut nuk mund ta zëvendësojë humbjen e një njeriu të dashur, por shpresojmë që ky gjest t’i kujtojë familjes Mekolli se nuk është vetëm. Komuniteti ynë do të jetë gjithmonë pranë tyre.”

Sipas AALEA-s, kjo ndihmë është një simbol respekti dhe solidariteti, si edhe pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Shoqatës për të mbështetur Policinë e Shtetit përmes partneriteteve profesionale, trajnimeve dhe donacioneve që kontribuojnë në rritjen e sigurisë së efektivëve.

Shoqata falënderon të gjithë anëtarët dhe donatorët që bënë të mundur këtë kontribut, duke theksuar se sakrifica e efektivit Enea Mekolli do të mbetet përherë e nderuar dhe e paharruar.

Artikuj të lidhur

Back to top button