
Nga Timo Mërkuri
Mjeshtri i Madh Kristo Çipa hodhi një shkrim në fb për këngën “Vajz e valeve”dhe siç I takon si përgjegjës I grupit “Bejk e Bardhë”u kufizua me evidentimin e disa vlerave dhe risive të kësaj kënge. Por unë, duke përfituar nga fakti se kam shkruar Monografinë “Vajz’ e valeve”kushtuar Grupit të Neço Mukos mendova të them disa gjëra më shumë për këtë këngë dhe Neço Mukon, që me siguri do ti vlejnë lexuesit.
1.Kënga “Vajz’ e valeve” u inçizua në Paris te firma PATHE në udhëtimin e dytë të vitit 1930 nga Neço Muko- autor i tekstit dhe kthyes i këngës, Koço Çakalli-marrës, Pano Kokaveshi –hedhës dhe Andrea Bala- kthyes i dytë. Kënga është rregjistruar në diskun 44033, ku nga 36 vargje që ka teksti, janë kënduar vetëm 18. Teksti i inçizuar është më poshtë;
VAJZ’ E VALEVE
Vajzë e valeve, zemra më s’të mban
Dhe mbi gur nd’anë të detit qan, e zeza qan
Pret atë që prêt dhe një dhimbje ndjen
Gjithë bota ven’ e vinë, po ai nuk vjen.
Prandvera arrin, një mëngjez të qet’
Vijn’ e shkojnë dallëndyshet, vajza u thërret
“Ju të bukur zogj, tek ju kam një shpres’
Ju që shkoni det’ e male dua t’u pyes
Një jetime jam, pa nën’ e baba
Një që kisha një që doja iku dhe më la
Mos e patë ju, rron apo nuk rron
Ndonjë lajm a ndonjë letër, vall’ a më kujton
Shkoi shumë koh’, vetëm pa njeri
Qante veten , qante fatin n’atë varfëri
Erdhi dimri i keq, një mëngjez të zi
U nxi qielli dhe deti gjëmon, bie shi
N’ëndër seç e pa djalin në vapor
Sikur shkoi dhe i hodhi vajzës një kuror’
2. Vlen të themi se në inçizimin e kësaj kënge nuk morri pjesë orckestra e pajtuar nga firma PATHE, e cila duke mos e njohur këngën vençe himariote, druhej se mos dështonte suksesi i grupit dhe për pasojë dhe reputacioni i firmës.Prandaj angazhoi në inçizimin e këngëve himariote grupin e vëllezërit Andolfi, të cilët më shumë shoqëruan këngët lirike dhe të huaja të kënduara solo nga Tefta Tashko, Llambi Turtulli, Tula Paleologu dhe Klea Jorga.
3.Teksti I kënduar nga Dhimitër Varfi (1933–2022) dhe grupi i tij (Spiro Dhimaleksi (1935) -kthyes, Llambro Kiço (1935)- hedhës si dhe iso nga Leko Leka (1927) etj, të inçizuara në radion shqiptare dhe në radiotelevizionin shqiptar, si dhe më von nga grupi himarjot i më të rinjve, nuk përputhen plotësisht me vargjet orgjinale të shkruara nga autori. Ato u u prunë në shqipen standarte nga shkrimtari Petro Marko në vitet ‘60 aqë mjeshtërisht, sa që nuk ndjehet fare ndërhyrja e tij.
4.Autorësia e Neço Mukos si autor I tekstit dhe hartues i vijës melodike është vërtetuar katërcipërisht duke përjashtuar çdo hamendësim për huazim apo përkthim. Te vete libri I Neço Mukos LYRA i botuar në vitin 1930, në fq 74 ku publikohet kjo këngë ka dhe shënimin: Këngë popullore sentimentale-Vjerrsha dhe era (melodia, T.M.) prej N.H.Matiotit (Muko).Po kështu në një fletë fletoreje të Janko Palit ku janë shënuar të gjitha këngët e Neço Mukos, për këtë këngë ka shënimin….Era dhe fjalët prej N.M.H.(Neço Muko Marjoti)
5. Titulli “Vajza e valeve”nuk ka kuptimin “vajza e valëve të detit”, por ka kuptimin “vajza e valeve të malit”, ku valet janë lëndina malore (rudina, livadhe) ku vajzat e reja kullosnin qengjat. Pra kjo vajzë e lëndinave, zbret në breg të detit dhe pret djaloshin që ajo e donte, ti kthehej nga kurbeti dhe në dëshpërim e sipër vetëmbytet. Realisht kështu e ka kënduar Neço Muko në 1930 dhe më von Dhimitër Varfi.
6.Fillimisht kjo këngë është kënduar nga grupi i mësipërm në qytetin e Sarandës, në skenën e ndërtuar prej tyre pranë ish axhensisë së vjetër (sot Posta) ku pjestar grupi ishte dhe Anastas Harito, I cili financoi (bashkë me Andrea Balën) udhëtimin e parë të grupit, por që nuk morri pjesë në udhëtim për arsye të sëmundjes, e cila I morri jetën shumë shpejt.
7. Kjo këngë është tipike këngë himariote dhe jo vetëm që ska asnjë qasje me këngën labe por është pikërisht kufiri ndarrës midis këtyre dy varianteve, sepse:
-Kënga “Vajz e valeve” konkuron me melodi dhe jo me tekst. Teksti i kësaj kënge është gati tradicional, me një shtrat balade, për një dhimbje dashurie të një vajze. Tekstet e këngës labe janë me elemente heroikë, madje edhe kur i kendohet dashurisë nuk mungojnë elementët e forcës të tipit: Nga muri do ngjitem/Ta di se do vritem etj.
-Fakti që kjo këngë konkuron me melodi tregon se është e një variant më të hershëm se këngët që konkurojnë me tekst. Shkencërisht dhe muzikalisht provohet se variant himariot është më i hershëm se variant lab dhe një provë e kësaj vjetërsie është vetë mënyra e konkurimit..
-Neço Muko futi në këngën e tij rolin e hedhësit i cili shërben në këngën himariote si direku i anijes që mban ekuilibrin në detin me furtunë. Dalja në skenë e këtij zëri vulosi krijimin e variantit të ri himariot, që dallohej edhe nga variantet e bashkë-herëshme çame dhe të Skraparit.
-Kënga himariote dallohet për një kolektivitet unik dhe traditë të herëshme jetese. Marrësi këndon vetëm dy fjalë të vargut të parë: “Vajz’ e valeve..” dhe pastaj futet gjithë grupi. Në këngën labe marrësi këndon apo reciton gati një strofë të tërë, duke evidentuar kështu rolin solo. Kjo është traditë e kapedanëve, prijësve të hershëm, ndërsa himara nuk ka njohur mbretër e prijës. Detyrën e “prijësit” e kryenin dy strategë që zgjidheshin çdo dy vjet me të drejtë konkurimi dy mandate.
-Melodikisht kënga “Vajz’ e valeve” është këngë e dhimbjes shpirtërore, kënga labe është këngë e trimërive. Kënga himariote është këngë zemre, dhe kullon dhimbje, kënga labe është këngë trimash dhe kullon gjak.
8- Vjetërsia e shtratit të këngës përcaktohet edhe nga legjendat e ngritura mbi këtë këngë apo në linjën e kësaj kënge.
Kështu, sipas legjendave, vajza as mbytet dhe as vetë-mbytet në det. Ajo qëndron në një shkëmb në breg të detit dhe lotët që i rrjedhin, i pikojnë mbi shkëmb, duke krijuar tek ai gropëza të vogëla me anë të thepisur, si të jetë çpuar shkëmbi me trapano. Realisht shkëmbijtë e bregut të detit janë plot gropëzime të tilla, me anë të mprehta, të shkaktuar nga stërkalat e dallgëve.Sipas legjendës, janë lotët e Vajzës së Valëve ato që krijuan gropëzime te shkëmbinjtë (Lamtumir o gur…vuajte dhe ti për mua).. Pasi të gjithë shkëmbinjtë e bregut u gropëzuan nga lotët, kur fillojnë vargjet …mermë o valë e det…, vajza nuk u hodh në det të mbytej ose të vetmbytej por u shkri si llavë e zjarrtë dhe u shtri ndënë valë, duke u ngurtësuar, gjysma e trupit nën ujë e gjysma tjetër e trupit në breg. Po të shikosh realisht pllakat e gurta në brigjet himarjote, ato ngjajnë si njerëz të shtrirë në breg të detit, me këmbët e futura në ujë.
Por ka edhe më. Nëpër gropëzat e krijuara nëpër shkëmbinj, nga lotët e vajzës së valëve, ka mbirë një tip luleje që quhet “Lulja e lotëve” apo “Lule loti” dhe e cila ka vërtet shijen e athët të kripës së lotëve, apo të ujit të detit. (Kjo na shtyn të mendojmë edhe rreth shtegtimit të motiveve në Ballkan dhe Evropë, si bie fjala lulja zviceriane “stela alpina”, në emërtimin e cilës ka në themel një legjendë të këtij lloji).
9- Himara ka karakteristikën e veçantë që të gjitha “ikjet” dhe “ardhjet” e djemve bëheshin vetëm nga rruga detare, me varkë ose anie dhe asnjëherë me tokë, nga Llogaraja apo nga Saranda. Arsyet janë të shumta, por më kryesorja është lehtësia e ikje-ardhjes së njerëzve me anije, pasi Himara ishte dhe është port, pavarësisht nga madhësia e portit apo e anieve që ankorohen në të. Arsye është edhe fakti se rruga detare Himarë-Korfuz ose Himarë –Itali ishtë më e shkurtëra dhe më komode për të emigruar në krahasim me rrugën tokësore Himarë-Sarandë dhe pastaj në Korfuz ose Himarë-Vlorë-Itali, duke kapërcyer Llogaranë. Pra kjo pozitë gjeo-grafike e Himarës dikton edhe “ikjen” e kësaj vajze nga kjo jetë nëpërmjet valëve të detit dhe jo duke u hedhur psh nga shkëmbi apo në ndonjë mënyrë tjetër vetsakrifikimi. Pra edhe vakjza edhe djali ishin himariotë dhe jo lebër.
10- Stili i kësaj kënge, qoftë si tekst, (por më tepër edhe si melodi) është në stilin e hershëm të vajtimit me ligje. Dhe arsyet janë të plota për të ecur në këtë stil, vdekja e njëdashurie, vdekja e djalit larg vend lindjes ( në luftë a në kurbet), dhe më pas vdekja e vajzës, janë si shumë vdekje për një këngë, po të kemi parasysh se kënga është ngritur edhe për një …sëmundje. Ato figura artistike dhe melodike që rrezëllejnë me shumicë në shtratin e kësaj kënge, janë thjeshtë lotë të ngurtësuar e të kthyer nëpër gurë, mbi të cilët ecën …kënga.
Të kuptohemi, stili i këngës himarjote nuk është kushtëzuar nga stili i tekstit të këngës “Vajzë e valëve”, përkundrazi, teksti i kësaj kënge është teksti më i përafruar (bashkë me këngën Hyri prilli shkriu bora) i stilit të këngës himarjote, i “avazit” himarjot. Stili i “avazit” himarjot, ndonëse mbi tabanin e këngës iso-polifonike shqiptare, është “revolucioni” muzikor i Neço Mukos dhe shokëve të tij.
11- Vargu dhjetë, njëmbëdhjetë, katërmbëdhjetë rrokësh është dëshmi tjetër e “përzierjes” së vargjeve karakteristike të eposit të kreshnikëve me vargje të epeve dhe baladave himarjote dhe krijimeve popullore mëvonëshme, kjo e bërë në një mënyrë mjeshtërore, sa që nuk dallohet fare diferenca e rrokjeve. Këtë funksion “mbulimi” e kryen iso-ja e këngës, melodia. Është si të ngresh muret e një kalaje, ku gurrët e madhësive të ndryshme lidhen me njeri tjetrin me llaç (melodik) në mënyrë të pazgjidhëshme. Dhe funksionin e fortësimit të murit e kryen llaçi dhe jo madhësia e gurëve.
12- Kemi theksuar se kënga himarjote nuk bazohet te rima dhe ritmika tradicionale e vargjeve por te funksioni, gjatësia dhe forca e iso-s. Po të shohësh këngët himarjote të Neço Mukos, si “E pabesa”, “Dashuria” etj, nuk kanë fare rimë e ritëm dhe as numër konstat rrokjesh në vargje. “Boshllëkun” e krijuar nga numëri i rrokjeve dhe efekti mungues i rimës, kompesohet më së miri nga iso-ja. Kënga labe ka strukturë të përsosur ritmike dhe rime, ku mbështetet melodia.
13- Kënga “Vajzë e valëve” është kënga simbol e Himarës, që e bëri të famshëm edhe vetë grupin e Neço Mukos, qoftë për melodinë e saj, novacion në këngën iso-polifonike shqiptare, në theksimin e rolit të hedhësit, e cila është një gjetje brilante e Neço Mukos, gjetje që i dha një fytyrë të re, të bukur dhe të dhimbëshme shpirtërisht kësaj kënge, sa që me të drejtë u specifikua si “avazi himarjot” (kënga hima-rjote) në familjen e këngëve popullore shqiptare.
14- Duhet o të theksojmë edhe faktin se ishte Dhimitër Varfi ai që e “lëmoi” këtë monument himarjot, ashtu siç lëmohet mermeri i statujave, duke u bërë ato më të gjalla, më të ndritëshme edhe në detajet më të vogëla.
E parë në këtë konteks, me të drejtë mund të themi se Dhimitër Varfi dhe grupi i tij, në përbërjen e të cilit ishte dhe Pano Kokaveshi, ishte vazhdimi novator i grupit të Neço Mukos.
15- Por te kënga himarjote, për ta shijuar tërësisht atë, duhet patur parasysh dy element kryesorë të saj. E para është iso-ja e këngës. Kënga himarjote gjithë bukurinë dhe madhështinë e ka tek iso-ja. Nuk mund të kuptohet kënga himarjote pa ison e saj karakteristike. Vetë kënga mund të krahasohet me një shqiponjë, por isua është qielli ku fluturon shqiponja, është deti ku lundron anieja. Gjithë këngët popullore shqiptare shumëzërëshe kanë iso, por isoja e këngës himarjote ka specifikën e saj, jo aq te tonaliteti se sa te ëmbëlsia. Gjithë dhimbja e shpirtit himarjot është mishëruar te iso-ja e këngës. Prandaj te kënga himarjote, nëpërmjet iso-s, është shpirti i këngëtarit që i flet shpirtit të dëgjuesit. Shtoi kësaj faktin që kënga himarjote ka shumë lot shpirti, atëherë e kupton arsyen pse të gjithë dëgjuesit e kësaj këngë lotojnë me shpirt dhe duan të futen në vorbullën e iso- së grupit himarjot. Duan të marrin me vehte, qoftë dhe një copëz melodie.
16- Iso-ja e këngës himarjote luan edhe rolin e refrenit. Përgjithësisht tekstet e këngëve himarjote nuk kanë refren, në kuptimin tradicional të tij. Madje shpesh herë këto tekste nuk kanë as rimë vargjesh, në ndryshim nga kënga labe e cila bazohet te vargjet e rimuara dhe te refreni. Te kënga himarjote, këto funksione i kryen më së miri vetë iso-ja.
E parë në këtë konteks, mund të themi se kënga himarjote konkuron me melodi dhe me iso, përkundër këngës labe që konkuron me tekst.
17-Elementi i dytë që i duhet kushtuar vëmëndje në këngën himarjote është hedhësi. Në fakt, roli i hedhësit ka egzistuar në këngën tonë popullore edhe para Neço Mukos. Por Neço Muko i dha këtij zëri një rol më vendimtar, më karakteristik. Figurativisht, roli i hedhësit është si direku kryesor i anies, në të cilin lidhen të gjitha velat dhe në krye valvitet flamuri. Dhe direku kryesor, jo vetëm që mban ekuilibrin e anies në lundrim, por duke qënë pikëmbajtësia e velave, përballon edhe forcën e erës mbi vela, duke ndikuar në rritjen apo ngadalsimin e ecjes së anies nëpër detin me fortune.
Kur ngrihet zëri i hedhësit të këngës himarjote, edhe zoti ndalet nëpër qiej dhe, nëpërmjet reve ,hedh sytë në Himarë e vështron, kush është ky që gjëmon si ai (zoti) vetë. Mos ka ardhur në tokë, në Himarë ndonjë zot i ri?
18- Po ku e ka origjinën ky zë dhe pse ka një natyrë të tillë?
Bazuar te fakti se kënga iso-polifonike (vençe, shumëzërrëshe, polifonike me iso) e ka origjinën nga vajtimi, hedhësi është personifikimi i rolit të vajtores që “klith” në grupin e vajtoreve, në çastin kur në odën e mortit hyn ndonjë i afërm i të ndjerit, që për ndonjë arsye ka ardhur me vonesë në mort, ose në momentin kur të afërmit e të ndjerit janë të lodhur nga vajtimi dhe për pasojë, i ulin tonalitet e vajit dhe ligjërimin do ta nisë një vajtore tjetër. Ky zë vajtimi tërheq vëmëndjen e të pranishmëve mbi gjëmën që i ka rënë shtëpisë apo mbi faktin se një vajtore tjetër nisi vajin.
Ky është argumentimi i egzistencës së këtij zëri në këngën vençe dhe origjina e tij nga vajtimi. Por edhe te vajtimi me ligje, ky zë ka ardhur nga kohëra më të herëshme, nga të qarët me bot, nga gjëma, të qarët me gjëmë, kur gratë shkulin flokët e çjerrin faqet duke klithur fjalë dhimbjeje për të ndjerin.
Ardhja e këtij zëri nga gjëma te vajtmi me ligje e më pas te kënga, tregon rrugën e gjatë që ka përshkruar kënga popullore deri në konsolidimin e saj. Kjo “atavizëm” e gjëmës në këngën himarjote dëshmon unitetin e elementëve të këngës, por në radhë të parë dëshmon lashtësinë e vijueshmërinë e etnitetit. Të marrësh një zë arkaik nga gjëma dhe vaji dhe ta shndrosh në një element fin dhe karakteristik të strukturës së këngës, duhet të jesh një artist i madh. Kënga iso-polifonike në përgjithësi dhe ajo himarjote në veçanti, dëshmoi se populli ynë është një popull artist dhe Neço Muko, si bir i tij, ishte një artist i madh, fatkeqësisht i pavlerësuar sa duhet.
19- Por nuk u kufizua vetëm me këtë zë Neço Muko. Ai futi te kënga himarjote edhe zërin e “prerësit”, një zë qënuk e ka patur varianti lab i këngës iso-polifonike. Bazuar edhe nga emërtimi, roli i këtij zër është të presë këngën, duke ruajtur në këtë mënyrë ekuilibrin e brendshëm të vijës melodike.
Në fund të fundit, “Vajz’ e valeve” nuk është thjesht një këngë e bukur e krijuar nga Neço Muko. Ajo është një kujtesë e gjallë e shpirtit himarjot, ku historia, legjenda dhe arti nuk ecin secili në rrugën e vet, por bëhen një i vetëm. Prandaj kjo këngë nuk ka mbijetuar vetëm falë melodisë së saj, por sepse në çdo brez ka gjetur njerëz që e kanë kënduar me të njëjtën dhimbje, me të njëjtin mall dhe me të njëjtin respekt me të cilin u krijua.
Ndoshta ky është fati i veprave të mëdha: ato pushojnë së qeni pronë e autorit dhe bëhen pronë e popullit. Kështu ndodhi edhe me “Vajz’ e valeve”. Neço Muko i dha jetë, Dhimitër Varfi dhe këngëtarët që erdhën pas tij ia ruajtën frymën, ndërsa populli i Himarës ia dha përjetësinë. Prandaj, sa herë ngrihet iso-ja dhe hedhësi çan qetësinë me zërin e tij, nuk dëgjohet vetëm një këngë e vjetër; dëgjohet një copëz historie, një copëz deti dhe një copëz shpirti Himariot që vazhdon të jetojë mbi valë, në gurët e bregut dhe në kujtesën e brezave.
Sarandë, korrik 2026



