
Nga Çapajev Gjokutaj-
Ajo rrugicë në park ka një qetësi që të ngjan se nuk vjen nga jashtë, po buron nga e brendshmja jote. Përbri saj janë vendosur disa stola druri, të thjeshtë. Nuk i ka paguar bashkia, po disa familjarë që kanë synuar të përjetësojnë sidokudo kujtimin e të afërmve të vdekur.
Mbi shpinën e secilit stol, nga ana ku ulet kalimtari, gjendet një pllakë e vogël alumini, që sqaron kush pagoi dhe për kujtimin e kujt. E gjithë kjo duket si një gjest i thjeshtë, por mbart një kuptim më të thellë. Etiketat e vogla prej alumini nuk janë thjesht shenja kujtese.
Ky lloj bashkëpunimi publik‑privat sjell një frymë të qetë solidariteti. Nuk është imponim, por një hapësirë e vogël ku kujtimi merr formë të prekshme. Kalimtari, duke u ulur në stol, ndeshet si pa e kuptuar me një emër, një datë, një përkujtim. Dhe aty nis një mendim i thjeshtë: në daç për jetën, në daç për vdekjen, në daç edhe për marrëdhënien me të afërmit sa janë gjallë.
Si lexova 5-6 mbishkrime përkujtimore, interesi filloi të bjerë, siç ndodh kurdoherë nga përdorimet stereotipe: “Në kujtim të gjyshes X nga nipat Z, Y”, “Babait tonë të paharruar K. B nga familja B” e kështu me radhë e kështu më tutje.
S’kisha kaluar 3-4 stola i pushtuar nga kjo indiferencë në rritje, kur njëri nga shënimet, fare i shkurtër, më bëri kurioz ndaj mbajta këmbët dhe e lexova: “Ç’bën o ba?”. Kaq. S’merrej vesh kush qe ati, kush qe bija a biri që e kujtonte. Pavarësisht këtyre mungesave ose mbase pikërisht falë tyre ky përkujtim më ngjau më intimi dhe më shoqëroi një copë herë.
Shënimi “Ç’bën o ba?” tingëllonte i veçantë jo vetëm për shkurtësinë prej pasthirme, por edhe ngaqë thyente skemën e etiketave të tjera. Nuk ka emra, nuk ka datë, nuk ka formulë të gatshme. Është një thirrje e shkurtër, e papërpunuar, që duket sikur ka mbetur pezull mes jetës dhe mungesës.
Po mbase tingëllon i veçantë ngaqë nuk është thjesht kujtim, por një copëz dialogu i mbetur gjallë. Ai nuk i drejtohet publikut, nuk synon të duket i bukur apo i plotë. Është një fjalë intime, e thënë sikur babai të ishte ende aty, ulur pranë.
Ky shënim nuk shpjegon, nuk sqaron, nuk jep detaje. Pikërisht mungesa e tyre e bën të ndjehet si një bisedë e brendshme, e ruajtur mes dy vetëve, por e lëshuar paksa në ajër që të tjerët ta ndiejnë.
Nuk është një kujtim i rastësishëm, i vendosur një herë e mirë për të mbyllur detyrimin e përkujtimit. Është dëshmi se bija nuk e kujton të atin vetëm në ceremoni, por është në një dialog të përditshëm e të përhershëm me të.
Për të mos thënë pastaj se intimiteti i marrëdhënies babë‑bijë a bir, ka nevojë për privaci. Se marrëdhëniet intime nuk derdhen dot në ligjërime bërtitëse që të kujtojnë këngët majekrahu: eheheee, çfarë asht zani oreee? … Po festoj ditëlindjen e gruas oreee… e dua shumë ereee… e kam si dritën e syrit breee….
Mbase jam i modës së vjetër, po burri a gruaja qoftë, bëjnë mirë që fjalë të tilla të mos i thonë në publik si tellallët e qëmotit, po t’ia pëshpërisin në vesh bashkëshortes a bashkëshortit në mëngjes, kur hapin sytë.
Mos më thoni se ky qendrim, kaq i prerë ju kujton komandën ‘gatiii tuuu, paraaa maaarsh



