BlogKryesoreOpinionsPolitike

Zgjimi qytetar i Shqipërisë: Një vit pas fitores dërrmuese të Ramës, thyhet iluzioni i pathyeshmërisë

Nga Elez Biberaj-

Një vit pasi kryeministri Edi Rama fitoi një mandat të katërt radhazi, Shqipëria ndodhet në një realitet thellësisht të ndryshëm nga narrativa triumfaliste që ai kishte projektuar. Qeveria që pretendonte një autoritet të pakrahasueshëm, tani përballet me kryengritjen qytetare më të qëndrueshme në dekada. Ajo që nisi si protesta modeste kundër projekteve të investimeve të huaja në Zvërnec dhe Sazan, është shndërruar në një ballafaqim mbarëkombëtar me një sistem që shumë shqiptarë e shohin si të papërgjegjshëm, zhvatës dhe thelbësisht të shteruar.

Protestat u nxitën nga shqetësimet mbi kushtet jotransparente të investimeve të profilit të lartë, të lidhura me Ivanka Trumpin dhe Jared Kushnerin. Por, demonstratat nuk janë referendum për familjen Trump, as refuzim i kapitalit të huaj. Shqiptarët prej kohësh kanë mirëpritur investime që respektojnë ligjet e vendit, mjedisin dhe interesin publik. Ajo që ata refuzojnë është mënyra se si këto projekte u shtynë përpara: pa transparencë, pa konsultim dhe pa respekt për të drejtat mjedisore apo pronësore. Protestat nuk janë anti-Trump apo anti-amerikane; ato janë kundër kleptokracisë.

Ky përqendrim autoriteti krijoi iluzionin e stabilitetit. Por, ai prodhoi gjithashtu një sistem të brishtë – një sistem që mund të funksiononte me efikasitet vetëm për sa kohë qytetarët mbeteshin pasivë. Protestat e kanë thyer këtë supozim. Ato kanë nxjerrë në pah kufijtë e një modeli qeverisës të ndërtuar mbi kontrollin dhe korrupsionin, dhe jo mbi pëlqimin dhe llogaridhënien.

Për vite me radhë, jeta politike e Shqipërisë është karakterizuar nga dorëzimi. Qytetarët kanë parë institucionet të dobësohen, korrupsionin të thellohet dhe debatin publik të ngushtohet. Shumë arritën në përfundimin se asgjë nuk mund të ndryshonte. Protestat e kanë përmbysur këtë trajektore psikologjike. Ato i kanë rikthyer ndjenjën e veprimit një shoqërie të cilës për një kohë të gjatë i është thënë se pushteti është i palëvizshëm. Edhe pa një udhëheqës të vetëm apo strukturë formale, lëvizja ka arritur tashmë diçka të thellë: ka thyer magjinë e pathyeshmërisë që rrethonte sundimin e Ramës.

Protestat kanë hapur një derë, por ato ende nuk e kanë përcaktuar rrugën përpara. Shqipërisë i duhet më shumë sesa katarsisi. I duhet një strategji gjithëpërfshirëse për ripërtëritje demokratike: rindërtimi i institucioneve të afta t’i rezistojnë presionit politik; rikthimi i kontrollit dhe balancave; garantimi i pavarësisë së gjyqësorit; mbrojtja e lirisë së medias; krijimi i hapësirës për aktorë të rinj politikë; dhe, investimi në arsim dhe mundësi, në mënyrë që të rinjtë shqiptarë ta shohin të ardhmen në vendin e tyre.

Nëse protestat do të sjellin apo jo ndryshim të menjëhershëm politik, kjo nuk është masa e vetme e rëndësisë së tyre. Shqipëria tashmë ka kaluar një prag. Një shoqëri që ishte bërë cinike ka rigjetur zërin e saj. Një qeveri që e besonte veten të pathyeshme është përballur me kufijtë e saj. Një komb që ndihej i poshtëruar nga korrupsioni ka rimarrë dinjitetin e vet.

Ky është një zgjim qytetar, jo një episod kalimtar.

Shqipëria ka kaluar kapituj të vështirë dhe ka dalë më e fortë. Mund ta bëjë këtë përsëri. Guximi i treguar në rrugët e Tiranës nuk është thjesht refuzim i së tashmes; është pohim i së ardhmes. Protestuesit i kanë kujtuar vendit dhe botës se aspiratat demokratike të Shqipërisë mbeten të gjalla, të qëndrueshme dhe të rrënjosura thellë.

Një popull që rigjen dinjitetin e vet nuk kthehet më në heshtje. Shqipëria ka hyrë në një kapitull të ri, dhe qytetarët e saj po e shkruajnë atë me qartësi, guxim dhe shpresë.

Artikuj të lidhur

Back to top button