
Nga Evarist Beqiri
“Do vulos’ se s’është punë,
Është e jona Shqipëria!
Sazan e Karaburun,
Janë vatanet e mija.” – Shqiptarët
Ka momente në historinë e një populli kur gjithçka lidhet. Sot, në Shqipëri, lagunat, ishujt dhe sheshet po flasin të njëjtën gjuhë. Ato po përçojnë të njëjtin mesazh.
Shqiptarët janë derdhur në sheshe. Dhe këtë herë diçka është ndryshe. Nuk është vetëm inati. Nuk është vetëm frustrimi i grumbulluar ndër vite. Është diçka më e thellë. Është një ndërgjegjësim i heshtur, por i fuqishëm, se vendi po na rrëshqet nga duart. Se vendime të mëdha po merren pa ne. Se Shqipëria jonë, ajo e bregdetit, e pyllit, e ishullit, e lagunës, e lumenjëve po shitet copa-copa. Me kontrata që nuk i lexon njeri dhe me premtime që nuk i beson askush. Kërkesa për dorëheqjen e Ramës është thjesht simptomë. Sëmundja është më e vjetër.
Sazani dhe Zvërneci si metaforë
Kur flasim për Sazanin dhe Zvërnecin, nuk po flasim vetëm për dy vende të bukura në Gjirin e Vlorës. Po flasim për një pyetje thelbësore që ky pushtet nuk i ka dhënë ende një përgjigje të qartë: Kujt i përket Shqipëria?
Res Communis Omnium, gjërat që u përkasin të gjithëve. “Sipas ligjit natyror, këto gjëra u përkasin të gjithë njerëzve, ajri, ujërat që rrjedhin, deti dhe, si rrjedhojë, brigjet e detit.” E Drejta Romake e dinte këtë prej dy mijë vjetësh. Kanuni shqiptar e dinte. Edhe sistemi osman, me të gjitha mëkatet e veta, e dinte.
Por ne, në vitin 2026, duket se e kemi harruar. Zvërneci po rrezikohet nga investime që premtojnë zhvillim dhe sjellin betonizim. Sazani vazhdon që të jetë pjesë e një paqartësie juridike dhe strategjike. Ai gjendet midis memories historike dhe interesave të paqarta. Laguna e Nartës po ngushtohet. Pylli i Karaburunit është pa mbrojtje të mjaftueshme. Pasuria jonë kombëtare po përdoret për ti zgjatur jetën një pushteti të qelbëzuar.
Shqiptarët pyesin, kush vendosi? Kush nënshkroi? Ku është kontrata? Përgjigja na vjen me manipulim. Ose me akuza për destabilizim.
Ismail Qemal Vlora dhe mësimi i harruar
Në vitin 1864, një i ri nga Vlora kërkoi në arkivat osmane dokumente për të mbrojtur Sazanin nga Greqia. Nuk e bëri për interes privat. E bëri sepse kuptonte se territori është identitet. Se humbja e një ishulli është humbje e një pjese të kujtesës kolektive.
Sot, 162 vjet më vonë, pasardhësit e tij shpirtërorë janë në rrugë. Jo me dokumente arkivore, por me zë. Me trup. Me këmbëngulje. Me vendosmëri.
Edhe ata po mbrojnë të njëjtën gjë. Jo thjesht pronën. Ata po mbrojnë përkatësinë.
Çështja e lidershipit
Ai që drejton Shqipërinë sot, e ka centralizuar vendimmarrjen deri në pikën ku institucioni i vetëm që funksionon është vullneti i tij. Ka krijuar një kulturë ku pyetja është konsideruar si armiqësi. Ka marr shumë vendime të rëndësishme pa debat publik të vërtetë.
Sot, shqiptarët kanë dal në rrugë dhe nuk po kërkojnë thjesht largimin e tij. Largimin e një personi. Ata po kërkojnë diçka më të madhe. Ata po kërkojnë të drejtat e humbura mbi vendin e tyre.
Protesta si akt sovraniteti
Historia shqiptare i ka njohur protestat si kaos. Si destabilizim. Si rrezik. Por protesta e vërtetë qytetare, ajo që buron nga ndërgjegjja dhe jo nga urdhrat e partisë, është akti më i lartë i sovranitetit popullor.
Kur një qytetar shqiptarë del në shesh dhe thotë jo. Jo ndaj vendimeve okulte. Jo ndaj një klase politike që na nëpërkëmb. Ai kurrsesi nuk po destabilizon shtetin. Ai është shteti.
Çfarë do të vijë më pas?
Shqipëria është në një udhëkryq real. Nëse protestat shuhen pa ndryshim, frika do të rikthehet dhe cinizmi do të thellohet. Njerëzit do të vazhdojnë të ikin. Sazani dhe Zvërneci do të mbeten simbole të diçkaje të humbur.
Por nëse ky moment shndërrohet në një kontratë të re shoqërore. Nëse nga sheshet e sotme lind një kulturë e re politike, me llogaridhënie reale, me transparencë të vërtetë, me institucione që nuk u tremben pyetjeve, atëherë mund të flasim për një pikë kthese.
Jo triumf. Pikë kthese. Sepse ndërtimi i shtetit nuk bëhet për një natë. Por ndryshimi fillon pikërisht kur njerëzit vendosin që të dalin nga shtëpitë e tyre dhe të thonë: kjo nuk është e drejtë.
Ismail Qemal Vlora e kërkoi varrin në Kaninë, të kishte Sazanin përkarshi. Ai nuk kërkoi pronësi. Kërkoi përkatësi. Sot, shqiptarët në rrugë kërkojnë të njëjtën gjë. Shqiptarët po kërkojnë që të mos jenë spektator në vendin e tyre. Ata po kërkojnë që të jenë pronarë real të fatit të tyre.
Sazani është ende atje. Zvërneci është ende atje. Pyetja është nëse do të jenë aty edhe për brezin tjetër, apo do të mbesin vetëm në vargjet e poetëve dhe në kujtimet e atyre që dolën në rrugë dhe nuk u dëgjuan.



