BlogKryesoreOpinions

QESHARAKË DERI NË ABSURD

Nga Jani Malo-

Unë e di mirë se një fshat që shpopullohet ngadalë nuk prodhon tituj gazetash, e kundërta ndodh kur një tel me gjemba rrethon një zonë të debatueshme. Kjo mjafton të kuptohet pse ngjarja e ditëve të fundit tërhoqi aq shumë vëmendje.
Si djalë Zvërneci, që e njeh mirë atë vend dhe problematikat e tij, që në fillim dua të theksoj se Zvërneci nuk po vdes sot. Sot vetëm sa po i bëhet autopsia. Vdekja ka nisur vite më parë, kur të rinjtë morën rrugët e botës, kur pronat mbetën pezull, kur investimet munguan dhe kur heshtja u bë banori më i qëndrueshëm i fshatit. Tani që kufoma po lëviz, të gjithë po debatojnë kush e vrau. Madje po ta shihnim si metaforë, Zvërneci i poetit Fatos Arapi, duket si një pacient që ka 35 vite që lëngon. Tani e kanë futur në sallën e operacionit dhe të gjithë bëjnë mjekun. Por duket se vijnë vërdallë kot e nuk gjejnë dot bisturinë. Pakkush flet për vitet kur askush nuk e çoi te mjeku.
Ndërkohë që kryeministri ynë vizionar e ka përdorur Zvërnecin si një kartolinë të bukur natyrore për të tërhequr turistë pabukës. Duke reklamuar flamingot e ardhur nuk e di se nga ka bërë një gjë aq qesharake sa përpjekja për të hapur një shtëpi publike në shkretëtirë duke shpërndarë nëpër dunat e rërës llambushka të kuqe për të tërhequr klientë naivë.
Si për ironi, në ishullin e Zvërnecit është restauruar vetëm Manastiri dhe kjo u tundet banorëve besimtarë si ajo tufa e barit para kokës së gomarit. Madje edhe sorrat që dikur mbushnin qiparisat e ishullit janë zëvendësuar me larushi korrakësh vajtonjës, ca injorantë, ca dashakeqës dhe ca që kanë brenda vetes mishelën që prodhon martesa e injorancën me ligësinë.
Këta, përfshi edhe vetë kryeministrin, nuk e ditkan se në Zvërnec flitet greqisht. Është folur greqisht edhe në vitet e komunizmit, madje edhe më herët akoma. Por injoranca po ushqehet edhe me keqinformim duke thënë se barorët janë vllehë. Po ka vllehë në një pjesë të fshatit. Pjesa tjetër historikisht ka folur greqisht. Edhe vllehët, thuajse të gjithë, dinin greqisht. Vetëm katër familje të veçuara në Treport, shehlerët, dhe oficerët e repartit ushtarak nuk ishin greqishtfolës.
A janë banorët e Zvërnecit grekë, këtë le t’ua lëmë ‘kompetentëve’ të ekraneve që ta bëjnë lëmsh siç dinë ata, ta thurin e ta shthurin sa herë të duan e si u duhet zotërve të tyre. Është e vlerë të shohim më mirë atë që po ndodh këto ditë në këtë fshat të harruar – si shumica e fshatrave në këtë vend – të përqendrohemi tek pika që derdhi kupën, tek pika që u bë dallgë popullore. Është një plagë që ka 35 vite që mbledh qelb. Ziente e vlonte nga brenda dhe pritej të shpërthente nga ora në orë. Jo vetëm në Zvërnec, në të gjithë Shqipërinë. Dhe shpërtheu. Uroj të jetë pa kthim.
Protesta e Zvërnecit është e para e 35 viteve që e vuri gishtin në plagë: Doli në dritë diellit edhe për të “verbrit” se e keqja e këtij vendi është dyshja Rama-Berisha. Ata janë fajtorët kryesorë për problemet me pronat, me drejtësinë e kapur e të korruptuar, me korrupsionin kanceroz, tashmë me metastaza të përhapura në çdo qelizë të shoqërisë, me shitjen e vendit dhe blerjen e mediave, me…, me… dhe me, që nuk kanë të mbaruar dhe që e kanë bërë këtë popull nga më të varfrit në botë. Sepse ata kanë 35 vjet që qeverisin, jo siç duhet, por siç duan.
Është hera e parë që zëri i protestuesve bashkohet në korin shumëngjyrësh: Rama në burg, Berisha në burg! Kjo i tmerron ata. Dhe sejmenët e tyre. Gjithçka tjetër është retorikë vulgare, është përralla më e re që u shtohet atyre me të cilat është ushqyer populli nga zgjedhja në zgjedhje e nga vjedhja në vjedhje.
Prandaj si çdo hajdut, si çdo kriminel, si çdo keqbërës ata kanë nevojë për frikë. Kanë provuar si janë bërë bashkë sa herë janë ndjerë keq, si kanë thirrur në ndihmë nacionalizmin, “strehën e fundit të maskarenjve” për të fshehur kokën. Këtë po bën Rama tani, jo si një kryeministër që duhet të nxjerrë fakte, por si një fallxhor rrugësh, që shpikë lloj-lloj teorish me poliagjentë të huaj që nuk ia honepsin arritjet e dashkan t’ia sabotojnë parajsën që ai ka në mendje.
Fytyra e kësaj proteste tregon tjetër gjë. Nuk e paguajnë agjenturat e huaja protestën edhe pse ato mund të kenë interesat të tyre dhe përpiqen të shfrytëzojnë rastin. Revolta mbarëpopullore nuk blihet. Ajo shpërthen nga lëkura e popullit dhe duhet t’i jemi mirënjohës këtij populli që nuk e paska lëkurën dhe aq të trashë sa të duronte akoma.
E kundërta duhet thënë, janë Berisha dhe sidomos Rama që mblodhën dhe turrën për të lehur zagarët e tyre të llojit merobazianë e frrokçupianë, çimpekianë e dritanhileanë që duan të na ndiëjnë me hile, me lloj-lloj gjepurash vulgare të qepura shëmtuar, duan të bindin njerëzit se duhet të mblidhemi grushtbashkuar kundër të keqes që na ardhka nga jashtë. Madje si karagjozë profesionistë trushplarës paguhen e ndërsehen të na bindin se grushtet duhet të jetë veç e veç, ca rreth Ramës e ca rreth Berishës. Sipas tyre kështu Shqipëria mbrohet më mirë.
Qesharakë deri në absurd!

Artikuj të lidhur

Back to top button