
Nga Ermelinda Meksi-
Debati që ka shpërthyer rreth projektit në Zvërnec, më shumë se për investimin, është shndërruar në një debat të gjerë mbi besimin e qytetarëve te shteti, mbrojtjen e pasurive kombëtare, transparencën e vendimmarrjes dhe modelin e zhvillimit që Shqipëria dëshiron të ndjekë.
Për këtë arsye, reagimi i Kryeministrit, qeverisë dhe Kuvendit nuk mund të kufizohet në deklarata politike “pro zhvillimit” apo “kundër zhvillimit”. Qytetarët kanë nevojë për përgjigje konkrete, të verifikueshme dhe të besueshme.
Edhe atëherë u premtua zhvillim, investime strategjike dhe rritje ekonomike. Edhe atëherë pati debate mbi pronësinë, ndikimin mjedisor dhe përfitimin publik. Sot, pas më shumë se dy dekadash, Kakomeja mbetet një kujtesë se çështjet e pronësisë, sigurisë juridike dhe konsensusit social duhet të zgjidhen përpara se projektet të hyjnë në fazën e zbatimit.
Prandaj çfarë garancish duhen që Zvërneci të mos përfundojë në cikël konfliktesh, procesesh gjyqësore dhe polarizimi social?
Sa vende pune do të krijohen dhe a do mbulohen nga banoret vendas? Si do të shpërndahen të ardhurat që rrjedhin nga investimi dhe sa përfiton shteti shqiptar e qytetari i zakonshëm?
Në një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit ecin së bashku.
Një Shqipëri moderne nuk ndërtohet duke bllokuar investimet, por as duke injoruar shqetësimet legjitime të qytetarëve.
Mbi të gjitha, Kryeministri dhe qeveria duhet të kuptojnë se reagimi qytetar në Zvërnec dhe në Tiranë më shumë se për një projekt të caktuar,është një sinjal më i gjerë për nevojën e transparencës, dialogut dhe besimit.
Sepse kur qytetarët ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja për pasuritë natyrore dhe interesat publike që preken nga projekte të tilla, lind pakënaqësia .Ndersa nga mungesa e përgjigjeve, lind mosbesimi dhe kur mosbesimi thellohet, dëmtohet kohezioni shoqëror dhe vetë procesi i integrimit evropian.
Prandaj ky rast kerkon përgjigjje të shpejtë, transparente dhe e besueshme nga qeveria .
Jo për të fituar një debat politik, por për të forcuar bindjen e qytetarëve se janë zot në vendin e tyre, se pasuritë natyrore menaxhohen në interes publik dhe se zhvillimi i Shqipërisë matet jo vetëm me fitimet e investitorëve, por edhe me cilësinë e jetës së qytetarëve të saj.
Kjo lëvizje qytetare duhet parë jo si kërcënim, por si një zile zgjimi ,që kërkon më shumë transparencë, më shumë dialog dhe më shumë besim mes shtetit dhe qytetarëve.
Sa më shumë paqartësi dhe deklarata kontradiktore të ketë rreth projektit, aq më e madhe bëhet nevoja për transparencë të plotë dokumentare dhe komunikim publik të qartë.
Nëse ky projekt është në interes të Vendit tonë, transparenca e plotë është aleati më i madh i tij.


