
Nga Bahri Cani-
Zhvillime shumë të rënda dhe dhunë brutale nga rojat private në Shqipëri, gjatë protestave kundër projektit turistik në Zvërnec. Dy ditët e fundit kanë protestuar shumë qytetarë kundër ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur të Pishë-Poro–Nartës.
Kryeministri Edi Rama ka dënuar dhunën por publikisht doli në mbrojtje të investimit, duke e cilësuar atë si “pjesë të vizionit për zhvillimin turistik të Shqipërisë”.
Por protestuesit thonë se “Shqipëria nuk është në shitje” dhe kërkuar hetimin e dhunës së ushtruar në Zvërnec, ndalimin e ndërtimit të projektit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Dhuna që po ndodh në Zvërnec dhe në Rrjoll është fundi. Nëse turizmi kthehet në terrorizëm dhe bëhet e pamundur për shqiptarët të shkojnë në bregdet, unë nuk e dua këtë lloj turizmi”, tha Arben Kola, një prej pjesëmarrësve në protestë.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama sot foli për një orë të tërë në një deklaratë publike ku dënoi incidentin me protestuesin e tërhequr zvarrë nga rojet private të sigurisë, duke i quajtur ato si “të neveritshme”.
Por ai mbrojti projektin në Zvërnec dhe i quajti ate si pjesë të vizionit të tij për zhvillimin e vendit. “Çfarë më duhet mua karrigia, pushteti nëse unë duhet të heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju gjithë këto vite?”, tha Rama.
Rama mendon se investimi prej rreth 4 miliardë eurosh mund ta ndihmojë Shqipërinë të kalojë drejt një modeli të turizmit elitar dhe shtoi: “Duhet të hyjmë në Ligën e Kampionëve të turizmit global”!
Por Kryeministri dhe të gjithë ne e dimë shumë mirë, që në Ligën e Kampionëve nuk futet askush me investime të paqarta deri në fund dhe ku eventualisht mund të cënohen të drejtat e qytetarëve.
“Problemi nuk është vetëm Zvërneci. Sot flasim për Vjosë-Nartën, por nesër mund të jetë Divjakë-Karavastaja, Butrinti apo zona të tjera të mbrojtura” – u shpreh Taulant Bino, drejtues i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare.
Rreth 21.2% e territorit të Shqipërisë është pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura. Në shkurt 2024, Kuvendi miratoi ndryshime në ligjin për zonat e mbrojtura, duke lejuar investime strategjike në kategori të caktuara të këtyre territoreve. Ndryshimet u kundërshtuan nga organizatat mjedisore, të cilat paralajmëruan se ato mund të dobësojnë mbrojtjen e disa prej zonave me vlerat më të larta natyrore në vend.
Më në fund, kompania që po zhvillon investimin, “Zvërnec South Adriatic Development” bëri të ditur se të gjitha veprimet e kryera deri më tani janë në përputhje me legjislacionin. Ajo tha se investimi parashikohet të kalojë vlerën e 4 miliardë euro, e do të hapë, siç pohon kompania, edhe mbi 10 mijë vende pune direkte dhe indirekte.


