
Nga Adri Nurellari
Kur Edi Rama mori pushtetin në vitin 2013, ai premoti një ndryshim radikal të modelit të qeverisjes duke synuar që Shqipëria të ndahej një herë e mirë nga epoka e kaosit duke u zhvilluar sipas planeve e jo improvizimeve. Kjo filozofi mori formë institucionale përmes Ministrisë së Zhvillimit Urban të drejtuar nga Eglantina Gjermeni e cila ndërmori ndoshta përpjekjen më ambicioze të historisë moderne për të planifikuar territorin. U hartua Plani i Përgjithshëm Kombëtar “Shqipëria 2030”, dokumenti strategjik që përcaktonte vizionin afatgjatë të zhvillimit territorial të vendit. Paralelisht, u përgatitën Planet e Përgjithshme Vendore (PPV) për pothuajse të gjitha bashkitë e Shqipërisë, duke përcaktuar zonat e zhvillimit, zonat e mbrojtura, korridoret infrastrukturore dhe përdorimin e tokës për dekadat e ardhshme. Përmes Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT) dhe Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) u ndërtua një arkitekturë e re institucionale që synonte ta zhvendoste vendimmarrjen nga improvizimi te planifikimi.
Në letër, filozofia ishte që zhvillimi do të drejtohej nga planet dhe jo nga interesat e momentit. Bregdeti, zonat natyrore, qytetet dhe infrastruktura do të zhvilloheshin sipas një vizioni kombëtar të integruar. . Për herë të parë pas rënies së komunizmit, Shqipëria kishte jo vetëm plane urbanistike lokale, por një sistem të tërë dokumentesh strategjike që premtonin ta kthenin territorin në objekt qeverisjeje dhe jo të negociatave individuale. Në dokumentet strategjike të shtetit shqiptar, Laguna e Mbrojtur e Nartës, Parku Detar Kombëtar Karaburun-Sazan dhe më vonë Parku Kombëtar i Lumit Vjosa nuk paraqiteshin si rezerva të ardhshme ndërtimi, por si asete strategjike kombëtare. Pikërisht mbi këto pasuri duhej të ndërtohej marka e Shqipërisë si destinacion i natyrës, biodiversitetit dhe turizmit të qëndrueshëm. Kur UNESCO njohu Rezervën e Biosferës Vjosë-Aoos, qeveria e paraqiti me krenari si provë se Shqipëria po fitonte reputacion ndërkombëtar falë mbrojtjes së natyrës.
Paradoksi është se i njëjti shtet që e promovon natyrën si avantazh strategjik, e trajton gjithnjë e më shpesh territorin si lëndë të parë për urbanizim. Sa më e plotë u bë kjo arkitekturë planifikimi, aq më shumë zhvillimi real filloi të kalonte përmes përjashtimeve, statuseve speciale dhe vendimeve politike që anashkalonin plotësisht logjikën mbi të cilën këto dokumente ishin ndërtuar. Kjo është pikërisht arsyeja pse Bashkimi Europian vazhdon të insistojë te shteti i së drejtës; jo sepse mungojnë ligjet, por sepse ato ndryshohen, anashkalohen ose pezullohen sapo bien ndesh me interesat e pushtetit.
Nuk duhet harruar të vihet në dukje se debati për zhvillimin e bregdetit nuk fillon me qeverinë Rama por me atë të Berishës. Që në vitin 2005 u emërua dhëndri i kryeministrit, Jamarbër Malltezin, në krye të Projektit për Menaxhimin e Integruar dhe Pastrimin e Zonës Bregdetare, një program i mbështetur nga Banka Botërore që synonte të krijonte një kuadër afatgjatë për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe kulturore të bregdetit. Projekti parashikonte planifikim të qëndrueshëm të territorit, përqendrim të zhvillimit pranë qendrave ekzistuese të banuara, pjesëmarrje të komuniteteve lokale dhe ruajtje të ekuilibrit mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit. Ironikisht, pas dy dekadash, Shqipëria vazhdon të diskutojë të njëjtat dilema themelore, pra se si të balancojë zhvillimin ekonomik me ruajtjen e territorit dhe nëse avantazhi i saj konkurrues qëndron te ruajtja e peizazhit apo te monetizimi i shpejtë i tij nëpërmjet betonizimit të ccdo pëllëmb bregdeti.
Këtu duhet theksuar se asokohe logjika bazë e atij projekti ishte që zhvillimi turistik të lidhej kryesisht me qendrat ekzistuese të banuara, infrastrukturën dhe fshatrat e konsoliduara, duke shmangur urbanizimin linear të gjithë vijës bregdetare. Objektivi ishte ruajtja e peizazhit natyror, biodiversitetit dhe identitetit lokal, si dhe shmangia e modelit që ka transformuar pjesë të Bullgarisë, Maltës, Spanjës apo segmente të Adriatikut italian në korridore të dendura ndërtimi.
Kjo qasje nuk buronte vetëm nga shqetësime mjedisore, por nga një logjikë ekonomike afatgjatë. Ideja ishte se Shqipëria nuk mund të fitonte duke konkurruar në turizëm masiv me destinacione që prej dekadash kanë ndërtuar mijëra hotele përgjatë çdo metri të bregdetit. Avantazhi i saj konkurrues qëndronte pikërisht tek ajo që pjesë të mëdha të Mesdheut kanë humbur tashmë; tek hapësira, natyra, autenticiteti dhe ekskluziviteti. Për këtë arsye, propozimet e atij projekti kishin të bënin me rehabilitimin e vendbanimeve ekzistuese, ripërdorimin e fshatrave historikë dhe zhvillime me densitet më të kontrolluar, në vend të gllabërimit të pakthyeshëm të territorit bregdetar.
Megjithatë, si në rastin e planeve të hershme të menaxhimit të bregdetit të qeverisë Berisha ashtu edhe në rastin e “Shqipërisë 2030” të qeverisë Rama, strategjitë, ligjet dhe zotimet e shpallura me solemnitet u treguan më të brishta se interesat që duhej të kufizonin. Përballë miliardave të betonit, etheve të spekulimit imobiliar dhe pushtetit që buron nga kontrolli i lejeve dhe i tokës, çdo parim u bë i negociueshëm, çdo kufizim i kapërcyeshëm dhe çdo vizion afatgjatë i rishikueshëm. Në fund, territori nuk u trajtua si pasuri kombëtare për t’u ruajtur, por si mall për t’u monetizuar. Dhe siç ndodh rëndom në Shqipëri, sa më i madh interesi ekonomik, aq më elastike bëhen ligjet, institucionet dhe bindjet e shpallura me solemnitet vetëm pak vite më parë.
Ajo që po dëshmojmë sot në Shqipëri është një paradoks klasik i qeverisjes fasadë nëpërmjet bashkëjetesës skizofrenike midis dokumenteve të kururuara europiane dhe një realiteti të egër në terren. Institucionet e krijuara për të menaxhuar dhe mbrojtur territorin si dhe dokumentet strategjikë e humbën gradualisht peshën e tyre. Zhvillimi real i vendit nuk udhëhiqet më nga ligji apo vizionet afatgjata, por nga një dimension krejtësisht tjetër i “projekteve individuale, përjashtimeve, statuseve speciale dhe negociatave të drejtpërdrejta politike”. Ligji nuk është më një mburojë e interesit publik, por një pengesë administrative që anashkalohet apo rishkruhet përmes dritareve ekskluzive për klientët e përzgjedhur të pushtetit.
Dhe tundimi është i madh, sepse me administratën aktuale në SHBA duket se kjo strategji po funksionon sikurse na e dëshmoi rasti i Milorad Dodikut. Më 29 tetor 2025, Shtetet e Bashkuara hoqën sanksionet ndaj liderit pro-rus të serbëve të Bosnjës, dikur simbol i izolimit politik dhe përplasjes me Perëndimin. Për shumë politikanë të rajonit ai veprim dëshmoi se me lidhjet e duhura, me lobimin e duhur dhe me njerëzit e duhur në orbitën e pushtetit amerikan, edhe pengesat më serioze mund të kapërcehen. Në një klimë të tillë, nuk është e vështirë të kuptohet pse disa qeveri si ajo e Serbisë, Izraelit, Katarit dhe jona janë të gatshme të ofrojnë territore, privilegje, statuse speciale apo projekte gjigante në këmbim të aksesit politik dhe blerjes së indulgjencave ndërkombëtare.
Mirëpo për t’u kthyer tek halli ynë, paradoksi kryesor është fakti që pothuajse i gjithë brandimi turistik i Shqipërisë gjatë dekadës së fundit është ndërtuar pikërisht mbi idenë e ruajtjes dhe promovimit të asaj që sot rrezikon të humbasë për t’iu servilosur Kushnerit. Që nga sloganet si “Albania, Go Your Own Way”, “A New Mediterranean Love”, “Be Taken by Albania”, deri te fushatat më të fundit “Albania – All You Need Is Here” dhe “Albania All Senses”, mesazhi qendror ka qenë pothuajse gjithmonë i njëjti. Flitet për Shqipërinë si destinacion ende autentik, ende i pazbuluar, ende natyror, ende ndryshe nga Mesdheu i mbingarkuar. E gjithë narrativa e promovimit ndërkombëtar është mbështetur mbi idenë e “sekretit të fundit”, të “Mesdheut të fundit autentik”, të vijës bregdetare ende të paprekur dhe të natyrës që Europa ka humbur prej kohësh për shkak të babëzisë së pakontrolluar të betonizimit.
Natyrisht që ka fitues ekonomik edhe nga ky model. Ka pronarë tokash që pasurohen, zhvillues që realizojnë fitime të jashtëzakonshme, ndërmjetës që përfitojnë dhe politikanë që grumbullojnë kapital elektoral e ndikim përmes kontrollit të territorit. Por pyetja që mungon pothuajse gjithmonë në debatin publik është: me çfarë kostoje oportune? Çfarë humbet Shqipëria në këmbim të këtyre përfitimeve afatshkurtra? Dhe mbi të gjitha, në kurriz të kujt realizohen ato? Po shitet një trashëgimi kombëtare e krijuar nga natyra gjatë mijëra vjetëve për një situatë ku përfitimet janë private, ndërsa humbjet janë kombëtare. Pra në thelb, po privatizohen fitimet dhe po kolektivizohen humbjet. Sepse çdo kilometër park i betonizuar sot nuk është thjesht një fitim privat; është një mundësi e humbur për brezat e ardhshëm, një pjesë e kapitalit natyror kombëtar që nuk mund të rikrijohet më dhe një faturë që nuk paguhet nga përfituesit e momentit, por nga shoqëria në tërësi. Pasuria që po monetizohet nuk është një fabrikë që mund të rindërtohet, as një magazinë që mund të zëvendësohet apo rindërtohet diku tjetër. Një investitor mund të ngrejë një hotel për dy vjet, por asnjë investitor, asnjë qeveri dhe asnjë shumë parash nuk mund të rikrijojë një lagunë, një peizazh të paprekur apo një ekosistem që natyrës i janë dashur mijëra vjet për ta ndërtuar. Ajo që po humbet mund të ketë çmim shitjeje, por nuk ka çmim zëvendësimi.
Këtu duhet sqaruar se kjo nuk është një betejë estetike mes romantikëve të natyrës dhe pragmatistëve të zhvillimit, por është një çështje e pastër ekonomike. Nëse avantazhi konkurrues i Shqipërisë është pikërisht fakti që nuk i ngjan ende pjesëve më të urbanizuara të Mesdheut, atëherë modeli i zhvillimit duhet të mbrojë këtë diferencë dhe jo ta zhdukë atë. Nuk mund të marketosh njëkohësisht “Europën e fundit autentike” dhe të ndjekësh politika që rrezikojnë ta kthejnë bregdetin në një vazhdimësi resortesh, vilash, kullash dhe apartamentesh. Sepse në momentin që Shqipëria humbet peizazhin, hapësirën dhe natyrën që e bëjnë të veçantë, ajo humbet edhe vetë historinë që ka përdorur për t’u shitur në botë.
Në analizë të fundit, ky degradim i territorit dëshmon se pavarësisht rotacioneve politike nga Berisha tek Rama dhe retorikës së re estetike, Shqipëria mbetet e gozhduar në të njëjtin model primitiv të kanibalizimit të pasurisë publike. Makineria e sotme e ‘statusit special’ është varianti më pervers, më i sofistikuar dhe gjakftohtë i klientelizmit të vjetër tipik ballkani. Kur buldozerët të kenë përfunduar punën e tyre mbi lagunën e Nartës, ishullin e Sazanit e grykëderdhjen e Vjosës, pas nesh nuk do të mbetet një model europian zhvillimi por një monument i madh i hipokrizisë shtetërore; një bregdet i zhveshur nga autenticiteti, një natyrë e sakrifikuar për fitime afatshkurtra dhe një republikë ku i vetmja rregull që mbijeton është përjashtimi nga rregullat. Asokohe Kushneri s’do jetë më dhëndri i paprekshëm i presidentit amerikan të cilit i vardisen autokratët e Ballkanit dhe Lindjes së Mesme, por një personazh nën hetim, teksa banori i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë do të përpiqet të riparojë dëmet që la pas administrata Trump. Atëherë, Brukseli dhe Uashingtoni do ta shohin me përçmim të shtuar Ramën dhe lakejtë e tjerë që shkelën çdo parim, ligj e vlerë, duke shpresuar se mund të blinin mbrojtje e favore personale përmes dritareve ekskluzive të Shtëpisë së Bardhë.


