Aktualitet/LajmeBlogKryesoreKultureNdodhiRajoni

Ndalohet gjuha shqipe me dekret perandorak (31 maj 1779)

Nga Foti Cici-

Si sot, Sulltani i 27-të i Perandorisë Osmane, Abdyl Hamiti I (Abdülhamid) shpalli ndalimin e gjuhës shqipe, tre muaj para vrasjes së Shën Kozmait në Shqipëri.

Ky vendim pati një efekt vdekjeprurës për arsimimin dhe kultivimin e komunitetit ortodoks në gjuhën amtare, me pasoja gjithëkombëtare. Pas këtij fermani rifilloi çensura dhe përndjekjet ndaj kryepeshkopëve, peshkopëve, priftërinjve dhe intelektualëve ortodoksë që përdornin gjuhën shqipe në kishat tona, të cilat ishin edhe të vetmet qendra arsimimi për shqiptarët ortodoksë.

Le të kujtojmë se Sulltani kishte emëruar e imponuar Fanarin, domethënë selinë e Patrikanës Ekumenike ku përfshiheshin të gjitha kishat greke të Perandorisë, si administratore mbi komunitetin ortodoks në trevat shqiptare, ku ishte kallur dhe ngulur me forcë greqishtja si e vetmja gjuhë adhurimi dhe arsimimi.

Kjo është arsyeja se pse mbishkrimet murale dhe ikonografike të trashëguara i kemi greqisht.

Sidoqoftë, duhet të kujtojmë gjithashtu se ka pasur periudha kur krerët vendorë të hierarkisë, të cilët në shumicën dërrmuese ishin shqiptarë, kanë bërë lëshime, gjë që varej edhe nga masa e egërsisë a butësisë së çdo sulltani a patriku të Fanarit, i cili ky kishte postin e Ministrit të Arsimit.

Nuk kanë munguar edhe ndriçimtarët e kombit, intelektualë trima që kanë ndier thirrjen në histori, duke rrezikuar e sakrifikuar jetën e tyre për të përçuar e trashëguar gjuhën që iu fali Zoti.

Gjuha jonë, pra, është lëvruar, qoftë në drojë, trimëri a fshehtësi, përndryshe edhe mund të ishte zhdukur, apo mund të kishte mbijetuar si një e folme kulturore, pa fuqi shkrimi, prandaj dhe e pazonja për ndërgjegjësim identitar dhe mëvetësim kombëtar.

Pavarësisht hamendësimeve, kemi fakte se periudha e viteve 1750-1770 ka qenë periudha e një lulëzimi në literaturën ortodokse në gjuhën shqipe, kur u kryen të paktën dy përkthime të plota të Biblës (Grigori i Durrësit dhe Teodor Haxhifilipi), si dhe përkthimet e plota të korpusit liturgjik (Teodor Haxhifilipi, murgu Kostë Berati, nxënës i Shën Kozmait, e të tjerë shqiptarë ortodoksë).

A është rastësi që zhdukja e qindra dorëshkrimeve të kësaj periudhe të artë të shqipes ndodhi pas shpalljes së dekretit të Sulltan Hamitit I, më 31 maj 1779?

Pas këtij viti, kur kisha jonë i mëshonte me egërsi çensurës dhe ndalimit të gjuhës shqipe “me urdhër të Padishahut”, u zhdukën të paktën 20 vëllime biblike e liturgjike të komunitetit ortodoks, me pasoja të pariparueshme në histori dhe në studimet shqiptare.

Faktet e ekzistencës së këtyre 20 vëllimeve të humbura duken qartë në dorëshkrimet që kanë mbijetuar, ku ka referenca për përcjellje në dorëshkrimet e tjera, të cilat sot nuk ekzistojnë.

Dëshmia e dëmit të pariparueshëm albanologjik faktohet kur shohim themelimin e vonuar të albanologjisë së lëmë studimor, gjë që ndodhi vetëm pas botimit të Dhjatës së Re të Korfuzit, më 1827: ky ishte i vetmi libër i shtypur për të orientuar të huajt në mësimin dhe krahasimin e gjuhës. Edhe pse nëndialektor, ky libër shërbeu si bazë për studimin e gjuhës nga albanologët Hahn, Xylander, etj.

Zhdukja, pra, e qindra dorëshkrimeve me tekste përfshirëse në disa disiplina, libra më tekstualitet më të larmishëm, më shprehës në gjuhë e poetikë sesa Dhjata e Re 1827, por sidomos të shkruara në një shqipe më cilësore dhe më përbashkuese të veriut të Toskërisë dhe jugut të Gegërisë, vdekja e të paktën 20 librave të korpusit biblik e liturgjik ortodoks, pra, përpos vonesës shekullore në albanologji, janë një humbje e pariparueshme në gjuhën, kulturën dhe studimet shqiptare.

* * *

“Dëshmia” më e fortë që historiografia e sendërgjuar greke përdor për “grekësinë” e ortodoksëve në Shqipëri, janë mbishkrimet greqisht në kishat dhe manastiret tona, për tempujt e ndërtuar nga mungesat dhe gjaku i paraardhësve tanë shqiptarë!

Një gjë veç fshehin: shqipja ishte e ndaluar me ligj nga shteti (osman) dhe nga kisha (greke) dhe ata klerikë e mësues që guxonin të përdornin shqipen, mënjanoheshin, ose, nëse kishin ndikim në popull, zhdukeshin fizikisht!

Perandoria osmane, pra, kishte caktuar kishën greke si kujdestare dhe “mëndeshë” të shqiptarëve ortodoksë. Gjuha e shkollave, e adhurimit dhe e administratës ortodokse duhet të ishte vetëm greqishtja!

Jo më kot është investuar kaq shumë nga Janullatosi, me ndihmën e shërbimeve të fshehta të shtetit grek dhe të segmenteve të errëta të lobit greko-amerikan, për të imponuar mbi 95% të mbishkrimeve në kishat e reja këta tre dhjetëvjeçarë, në gjuhën greke!

Kjo bëhet për të vazhduar e trashëguar një gënjeshtër të madhe në histori, mbi “grekësinë” e komunitetit ortodoks në Shqipëri. Mbi këtë mashtrim janë themeluar dhe baraspeshohen marrëdhëniet shqiptaro-greke në nivele shtetërore ende sot!

* * *

FOTO: Abdyl Hamiti I
https://en.wikipedia.org/wiki/Abdul_Hamid_I

Artikuj të lidhur

Back to top button