
Nga Irena Beqiraj-
Teksa lexoj që Banka e Zhvillimit e cila drejtohet nga një italian ka hapur një tender prej 315 milionë lekësh i cili nuk ka të bëjë me blerjen e ndonjë teknologjie të avancuar por për hartimin e dokumentave bazë të funksionimit të bankës: strategjinë, organizimin operacional, mendova për zhvillimin .
“Zhvillim i qëndrueshëm është ai që plotëson nevojat e së tashmes pa kompromentuar aftësinë e brezave të ardhshëm për të përmbushur nevojat e tyre.”
Ky formulim është disi i paqartë pasi nuk jep asnjë indicje mbi rrugën zhvilluese por, pëlqehet nga të gjithë, ndaj u bë përkufizimi i më përdorur në botë për zhvillimin .
Shqipëria klasifikohet si vend në zhvillim klasifikim ky shpresëdhënës, por që po na atrofizon në heshtje. Në momentin që kemi pranuar se jemi një vend “në zhvillim”, pranojmë se e kemi një rrugë e qartë, një model të saktë sesi Shqipëria duhet të jetë , edhe se po ecim drejt saj .
E pra, Italia është vend i zhvilluar, edhe si për të treguar që ne po ecim në rrugën e duhur Kryeministri Rama me optimizmin që e karakterizon na njoftoi “se projekti për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit është finalizuar në bashkëpunim me bankën italiane Cassa Depositi e Prestiti “. Qeveria emëroi një italian drejtor të Bankës , i cili paskërka vendosur të blejë për më shumë se 3.3 milionë euro çdo strategji , rregullore apo njohuri operacionale, pa më të voglin dyshim po në Itali.
Thënë shkurt , Shqipëria ka sot një bankë zhvillimi por nuk janë shqiptarët që po e ndërtojmë atë. Një italian apo disa do ta ndërtojnë për ne, kuptohet kundrejt pagesës sepse në kapitalizëm nuk ekziston drekë falas.
Financierët shqiptarë , edhe ato më të mirëshkolluarit edhe me eksperiencë të cilët nuk mungojnë as në Shqipëri as në botë ( bëni një hulumtim në diasporë ) , do të duhet të kërkojnë punë tek Pedrazzi . Kushdo që do të pranojë të punësohet do të duhet të zbatojë rregulloret e shkruara në Italinë e Pedrazzit. E pra, shqiptarët do të përdoren vetëm për të ruajtur informacionin dhe për ta përsëritur atë. Do të ndjekin udhëzimet që po blihen 3.3 milionë euro dhe të presin komandën tjetër.
Kur njerzit aftësohen të mësojnë përmendësh një detyrë, por mbeten me kast të paaftë ta zotërojnë atë, iniciativa vdes edhe mbijetesa masterizohet.
Kjo qasje është armiku i zhvillimit!
Ndaj sado para të harxhohen, ne do të kemi një tjetër bankë por jam e sigurt( shënojeni diku) pa asnjë lidhje me zhvillimin. Jo se Pedrazzi është i paaftë , jo se shqiptarët që do të punojnë nën hyqmin tij janë të paaftë , apo se strategjia apo rregulloret që do të shkruhen në Itali do të jenë të kqija , por sepse në zhvillimi i Shqipërisë është punë e shqiptarëve , edhe asnjë i huaj nuk mund ta importojë atë .
Ky është problemi më i madh në vizionin e elitës drejtuese. Vizion që i ka kthyer shqiptarët vetëm në banorë të këtij vendi në vend që të ishim zhvilluesit të tij.



