
Nga Dashnor Kokonozi-
Portreti vegjetal i Van Gogh-ut më poshtë, ashtu si edhe të gjitha fotot e tjera i kam bërë vite më parë në Borinage, një zonë e njohur qymyrmbajtëse në Wallonie (Belgjikë). Aty ku Vincent Van Gogh ka kaluar disa vite të rinisë së tij.
Për shkak të qymyrgurit që atëkohë gjendej ende në siparfaqe, në ato anë u ngritën edhe furrnalta dhe u zhvillua industria e nxjerrjes sê çelikut. Kjo është në origjinë të revolucionit të madh industrial, që bashkë me atë që po zhvillohej në Angli, do t’i ndryshojë faqen botës.
Më ka lënë mbresa të forta ajo vizitë.
M’u duk se kuptova më mirë thelbin e pashprehur të krijimtarisë së atij artisti gjenial.
Nuk kisha besuar se do të më qëllonte të takoja njerëz që do më tregonin se çfarë kishin dëgjuar në fëmininë e tyre nga gjyshërit që e kishin njohur dhe kishin trokitur gotën e birrës me atë që deri vonë pleqtë e thërrisnin, Monsieur Vincent.
Takimi qe lënë në fshatin Colfontaine, rruga Vilson 221, shtëpia ku ai ka banuar ndërsa zbriti për herë të parë në këto anë, dhjetor 1878.
Eshtë një shans i fundit që i jep i ati, i cili më fort deshte ta mbyllte në një çmendinë. (Kjo shpjegon përse gjithnjë do të firmosê me emër dhe jo me atë mbiemër që mbante edhe i ati)
Pas dështimeve të njëpasnje, aty ai shpreson të fillojë një jetë të re si famulltar.
Ka bindjen se kishte lindur për të predikuar Fjalën e Zotit.
Ende nuk e di se ky i fundit nuk ndan të njëjtin mendim me të.
Vizita filloi me një fotografi të të gjithë grupit (edhe atë e gjeni më poshtë). Unë isha i vetmi që shkoja nga Franca, pasi iu luta mjaft të tjerëve të më shoqëronin. Të gjithë i trembte shiu që nuk kishte pushuar gjithë natën e që ishte parashikuar të vazhdonte. Në të vërtetë, me të mbërritur aty në Colfontaine, rruga Vilson 221, marshimi do të behej jashtë, në natyrë.
U nisa vetëm dhe njëqind kilometra më vonë, kur zbrita nga makina, shiu pushoi.
Ata që gjeta aty ishin kryesisht nga Flandra, ndonjëri nga Brukseli. Do të ecnim jo më pak se tetë orë, fshat më fshat, e pus më pus qymyrguri, aty ku Vincenti kishte hyrë edhe ai vetë për t’iu gjendur pranë banorve të asaj zone…
(Po e ndërpres se e di se që nuk do të më ndiqni më gjatë, por për të intersuarit, “bëj me dije” se kësaj vizite i kam kushtuar një reportazh të gjatë te Peizazhe të fjalës.



