BlogKryesoreNdodhiOpinionsRajoni

Fraktura e madhe mes diaspores

Nga Gazmend M.Kapllani-
Ata që më njohin sado pak e dinë që dy nga gjërat të cilat përçmoj me pasion mes Shqiptarëve janë patriotizmi torollak folklorik dhe kontrabandistët e nacionalizmit (qe jane zakonisht thjeshte kontrabandiste qe sot e blejne atdheun dhe neser e shesin per interesat e tyre me meskine).
Dua dhe respektoj patriotët e vërtetë, njerëzit e lexuar, ata që nuk u bien daullleve, jashtë dhe brenda facebook-ut, njerëzit modestë, ata që nuk e marrin veten edhe aq seriozisht, dashamirësit dhe punëtorët. Të tillë Shqiptarë takova shumë në Itali, nga Torino në Romë, gjatë udhëtimit tim këto ditë. Dua t’i falënderoj nga zemra për mikëpritjen, ngrohtësinë, dashamirësinë. Zgjodha këtë foto nga qyteti i Parmës për ti përshëndetur. Nuk është thjesht një gjest simbolik busti i Skënderbeut në këtë qytet, arritur pas viteve dhe perpjekjeve te Shoqates Scanderbeg ne Parma dhe koordinimit te emigranteve Shqiptare te qytetit.
Është nje arritje e jashtëzakonshme bashkebarazie qytetare e Shqiptarëve të Parmës dhe gjithë atyre Shqiptarëve që të rrënuar nga regjimi barbar komunist erdhën në Itali në gjendjen më të mjeruar dhe sot janë bërë, siç më tha një politikan Italian, “aristokracia e emigracionit” në Itali, një vend që nuk është i lehtë as për vete italianët, lëre më për të huajt. Por edhe një tokë që ka qenë dhe mbetet nga me bujaret ne Europe per Shqiptarët – një monument i tillë do ishte i pamundur në Greqinë fqinje për arsye të komplekseve ballkanike.
Shqiptarët kanë qenë dhe mbeten një komb diaspore, një popull që ka jetuar dhe jeton në udhëkryqet e Mesdheut dhe personalisht historia jonë e migracionit dhe shtegtimeve nëpër botë, nga Stambolli ne Rome, nga Aleksandria e Egjiptit ne Chicago, me emocionon dhe me magjeps.
Nuk e shoh si një histori të dhëmbshme kurbeti por si një histori me pasuri të jashtëzakonshme dhe me shumë dritë, që nga ana kulturore na lidh në mënyrë krijuese me Lindjen dhe Perëndimin. Por emigrimi ynë pas izolimit të eger 45 vjeçar nën komunizëm ka një veçanti. Gjatë viteve të komunizmit u krijua një frakturë e madhe mes diasporës sonë dhe atdheut të pushtuar nga barbaret. Kjo frakturë vazhdon, fatkeqësisht. Nuk mund të harroj fjalët e një Shqiptari në Torino se “edhe vendi më i keq i trajton ende Shqiptarët më mirë se vendi i tyre”. Shpresoj të ishte shprehje e dhembjes se të larguarit por besoj se ka edhe shume vërtetësi në ato fjalë. Mbetet ende shumë për t’u bërë që të mbyllet ajo frakturë dhe do mbyllet plotesisht vetem kur Shqiperia te behet me ne fund nje “vend normal”. Ndërkohë që Shqiptarët nëpër botë vazhdojnë të na nderojnë, te na pasurojne, të na lartësojnë.

Artikuj të lidhur

Back to top button