
Nga Ylli Asllani-
Ekpozita personale “Male, re dhe plisa të bardhë” e piktorit të shquar gjirokastrit Bashkim Ahmeti më çoi këtë fillim jave në Gjirokastër…
“ Po bëhemi gati të hapim ekspozitën! Mezi po ju presim tek Kulla e Sahatit…’
Fjalët plot mirësjellje të ftesës së tij më ngacmuan imagjinatën dhe dëshirën për të udhëtuar drejt bedenave të kalasë së qytetit tim!
Piktori talentuar gjirokastrit ishte rikthyer bashkë me zonjën e tij Pranverln, sa artiste po aq fisnike…!
Kishte përshkruar mijëra kilometra që nga ShBA, ngarkuar me thesarin e vet të pikturave për të sjellë në zgafellat e kështjellës së lashtë, bashkë me mallin për vendlindjen edhe botën e tij të madhe artistike!
Një luks ky i pazakontë për një qytet të përmasave si Gjirokastra!
Por kështu ndodh kur qyteti i pajis bijtë e vet me tharmin e talentit, kulturës dhe të dashurisë!
Rikthimi i tij përmes “maleve, reve dhe plisave të bardhë”, përmban vlera, të cilat i tejkalojnë ndjesitë artistike…!
U rikthye si dikur Prometeu për ti falur bashkëqytetatëve të vet zjarrin hyjnor, pikërisht kur vendlindja ndodhet mes braktisjes që dhemb dhe shpresës që nuk dorëzohet!
Ndaj dyqind kilometrat e mi për të qenë prezent aty, bashkë me shumë miq të tij mu dukën shumë pak!
Do ti përshkoja me shumë kënaqësi qoftë edhe për një përshëndetje me mjeshtrin
e famshëm të penelit!
Ishim rritur me kënaqësinë që jepnin tablot, muralet dhe skenografitë e tij të papërsëritshme!
Gjurmët e spikatura të penelit të Bashkimit në muzeun e Gjergj Kastriotit në kalanë e Krujës janë të njohura dhe krenari për çdo shqiptar!
Ato më bënë të parandjeja se ai po shkruante një tjetër moment historik të veprës së tij krijuese! Këtë rradhë në kalanë e vendlindjes!
Ngjyrat në duart e tij kanë prodhuar përherë një botë të ndritshme, me plot metafora, mesazhe, ide, përjetime dhe produkte të subkoshiencës!
“ Duhet të falenderoj lulet që u bëra piktor”, shprehej një piktor i famshëm!
Ndërsa ne duhet të falenderojmë Bashkimin për ngjyrat që i shtoi përditshmërisë tonë gri të Gjirokastrës sonë magjike!
Përherë i kam shijuar, por pa mundur asnjëherë të shpjegojë dot magjinë e artit dhe efektin e piktuarave të tij!
Ndaj dhe përmes këtij moskuptimi të gjenisë tij, do të doja ta falenderoja modestisht për kënaqësinë e patreguar që na fali këtë mbrëmje në galerinë e artit poshtë Kullës së Sahatit!



