
Protesta e opozitës para Kryeministrisë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë tubimit janë hedhur molotovë, fishekzjarre dhe mjete të tjera piroteknike në drejtim të efektivëve, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.
Tensionet vijuan edhe pranë Ministrisë së Brendshme, aty ku u zhvendos protesta e opozitës. Protestuesit u panë me fishekzjarre në duar teksa i drejtonin drejt forcave të policisë, të cilat kishin krijuar një kordon sigurie për të bllokuar marshimin. Pas ndërhyrjes së policisë me ujë dhe gaz lotsjellës, protestuesit u sprapsën për pak çaste, por më pas tentuan sërish të çanin kordonin.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u nis nga selia blu drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku opozita kishte thirrur protestën që nisi në orën 19:00. Berisha është shfaqur më pas pranë Ministrisë së Brendshme i pajisur me maskë kundërgaz, i shoqëruar nga truprojat, eksponentë të lartë të Partisë Demokratike dhe mbështetës të tij.
Protestuesit kanë bërë thirrje për të vijuar marshimin, duke akuzuar policinë se po pengon lëvizjen e tyre drejt institucioneve. Pas disa tentativash për të depërtuar në anën tjetër të kordonit, ata nuk arritën të çanin vijën policore. Forcat e rendit përdorën ujë për shpërndarjen e turmës, duke i larguar përkohësisht protestuesit, të cilët më pas u rikthyen duke u përplasur sërish me policinë.
Tubimi ishte paralajmëruar si marshim pa fjalime dhe me kohëzgjatje deri në orën 22:00. Për garantimin e rendit dhe sigurisë, në terren janë angazhuar rreth 1500 punonjës policie, ndërsa masat e sigurisë kanë qenë të shumta në të gjithë zonën përreth Kryeministrisë dhe institucioneve kryesore.
Policia e Tiranës kishte njoftuar më herët bllokimin e disa akseve kryesore rrugore. Që prej mesnatës së të enjtes është ndaluar qarkullimi dhe parkimi në segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”. Ndërkohë, nga ora 15:00 e së premtes u bllokua edhe lëvizja në pjesën nga Ministria e Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në terren ka qenë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ka ndjekur nga afër zbatimin e planit të masave dhe situatën gjatë protestës.



