
Nga Dashnor Kokonozi-
Duke ndjekur pak më parë një emision lajmesh në televizion, mësova se nesër, në të gjithë Francën, janë parashikuar 281 manifestime proteste. Përpiqem të kuptoj se si edhe punonjësit shqiptarë do të sensibilizojë opinionin për problemet e tyre.
Duke dashur t’i shoh gjërat nga ana më e mirë, jam i prirur të besoj se punët janë mirë, indikatorët e lumturisë popullore në nivele optimale. Madje, më kujtohet se kur e pyeta një gazetar, ai ngriti supet dhe më tha se herë pas here dalin probleme, por sapo konstatohet diçka, ai bën një podcast për të kuptuar origjinën dhe për të gjetur zgjidhje.
Duket se në Francë nuk e dinë ende këtë mrekullinë e podkasteve, prandaj njerëzit shpërthejnë e ulërasin rrugëve si të ikur mendsh.
Veçse, mbrëmë ndërsa përgatisja valixhen time të vogël për të ikur, pashë se në një studio televizive, në RTSH më duket, një psikiatre që fliste me shqetësim për shtimin eksponencial të problemeve psikike të punonjësve në Shqipëri. Më pëlqeu sepse nuk i binte anash, por e tha hapur: kjo shkaktohet nga presioni gjithnjë në rritje i punëdhënësve. Nuk bëhej fjalë vetëm për lodhje të skajshme, ankth, burn-out, por edhe për depresion e sëmundje të mirëfillta psikike.
Më erdhën ndërmend dhjetra kronikat që transmetojnë tv-të e ndryshme shqiptare me takime hipokritësh që ekspozojnë xhelin e flokëve dhe kravatat e tyre e kurrë nuk prekin problemet e vërteta të njerëzve.
Nuk e di nëse ekziston një sektor i pavarur i “Mjekësisë së Punës” aty, por besoj se normat evropiane duhet ta kenë detyruar shtetin të ngrejë këtë sektor jetik.
Personalisht kujtoj detyrimin që kishim për të shkuar rregullisht te mjeku i punës, sigurisht, faals. Se problemi ekziston gjithandej, çeshtja eshte te mekanizmat mbrojtës. Pas një vizite të zakonshme, por mjaft të imët, kalonim me orë të tëra duke iu përgjigjur pyetjeve të tij: nëse ndihesha mirë, nëse kisha presion psikologjik nga punëdhënësi, nëse ngarkesa ishte e madhe, nëse vëreja mungesë respekti nga drejtuesit, nëse kisha probleme me gjumin, nëse merrja qetësues, nëse më nxirrte të punoja jashtë orarit… dhe qindra pyetje të tjera. Nëse ai konstatonte probleme, menjëherë aktivizoheshin kanale të tjera për të mbrojtur punonjësin.
Shpresoj të ekzistojë diçka e tillë edhe në Shqipëri. Por ajo që çuditërisht nuk shqetëson askënd, është mungesa e sindikatave. Pa sindikata, një shtet është gjysmak, jo funksional. Nuk ka ekuilibër forcash që të diskutojnë përditë problemet që dalin, që të mbrojnë punonjësit nga dhuna e oligarkëve të vegjël e të mëdhenj, që të luftojnë për respektimin e kontratave të punës.
Pa sindikata të fuqishme, ai vend ngjan si i periudhës së fillimit të revolucionit industrial. Shqipëria e ditëve tona mund t’u shërbejë sociologëve njësoj si ato fiset e kanibalëve që antropologët e shekullit të kaluar vrapuan t’i studionin për të kuptuar funksionimin e shoqërive primitive të 1000 vjetëve më parë.
Sindikatat ekzistuese, janë shoqata lakejsh që bejnë më shumë dëm sepse i sherbejnë qeverisë si alibi per plotsimin e kushteve të faktorit ndërkombëtar.



