BlogKryesoreKultureNdodhi

Në fillim, as që bëhej fjalë pêr “Lirinë”, por për një grua

Nga Dashnor Kokonozi-

Edhe pse më është dhënë rasti të njoh disa të vërteta të tjera, gjithnjë bëj kujdes të mos prek sensibilitetin që shumë vetë kanë për mitet letrare të fëmijërisë dhe rinisë së tyre.
Por disa gjëra duhen thënë.
Një prej tyre është edhe origjina e njërës prej poemave më të mëdha botërore, asaj që mban titullin “Liri” (Liberté) e Paul Éluard-it.
E pra, fillimisht as që bëhej fjalë pêr “Lirinë”, por për një grua.
Njoh të paktën dhjetë vetë që e kanë përkthyer në shqip, por më kujtohet mirë se si jam magjepsur kur im vëlla i madh më dha shumë herët një sprovë përkthimi të saj.
Kishte diçka të mbinatyrshme në të.
E keni të gjithë parasysh:
“Mbi fletoret e mia të shkollës
Mbi bankën time e mbi pemë
Mbi rërë e mbi dëborë
Shkruaj emrin tënd”
Më tej, besoj se po aq mirë ju kujtohet se ajo përfundon me emrin e asaj që i kushtohet e gjitha, me atë emër që sublimon universin e autorit: LIRI.
E pra, nuk ka qenë kështu.
Në origjinë, ajo nuk ka qenë një poemë kushtuar Rezistencës kundër nazizmit. Fillimisht ishte një poemë intime, dashurie, me titullin *Një mendim i vetëm* (Une seule pensée), dhe i kushtohej të dashurës së tij, Nushit (Maria Benz, 1906–1946).
Në fakt, një version që kam gjetur i kushtohet një vajze me emrin Rozë:
Mbi fletoret e mia të shkollës
Mbi bankë e mbi pemë
Mbi rërë, mbi dëborë
Shkruaj emrin tënd
Rozë.
« Sur mes cahiers d’écolier
Sur mon pupitre et les arbres
Sur le sable sur la neige
J’écris ton nom
Rose.
Éluard vetë shprehet diku se e kishte filluar poemën me idenë që në fund të shfaqte emrin e Nushit. Me gjasa, kjo nuk përbën asnjë kundërshti.
Gjithçka dëshmon se në origjinë ajo nuk kishte asgjë luftarake. Dhe është krejt e natyrshme që, para se të njihte Nushin, ai të ketë provuar shansin me gra të tjera. Njëra prej tyre mund të ketë qenë Roza. Por, nëse kërkohet, mund të gjenden edhe versione të tjera.
Diku, Éluard thotë se gruaja që donte mishëronte një dëshirë që ishte shumë më e madhe se ajo vetë. Kështu që, atij iu sugjerua emri LIRI.
Duke filluar nga viti 1942, poema nisi të qarkullojë në të gjithë Francën e pushtuar. Më pas, avionët e Royal Air Force e parashutuan në të gjitha zonat ku vepronin forcat antinaziste, çetat e armatosura, partizanët, grupet klandestine…
Në pak kohë, ajo u bë teksti emblematik i Rezistencës franceze.
Rri e mendoj ndonjëherë për ata heronj që, para togës së pushkatimit, kishin vargjet e saj në gojë…

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button