BlogEditorialKryesoreOpinions

Nëse ju duhet melhem për thartirën e shpirtit, kthejuni intervistave të Moza Ahmetit në kohë

Nga Sonila Meço-

Nëse ju duhet melhem për thartirën e shpirtit, kthejuni intervistave të Moza Ahmetit në kohë.
I gjeni kudo.
Dy “sene” më kanë mrekullu prej një rrëfimi të saj të para 4 viteve. Kam ende shumë të tjera, më ka mërzit ironia e fatit që tri intervistat që kam realizuar me të nuk gjenden online, por i gëzohem gjithë asaj galerie bisedash që nuk i refuzonte.
Po kthehem tek dy “senet” e njërës prej tyre:
Seni parë: Kur aplikonte për Doktoraturën në Vienë i gjegjen prej s’andejmi se kishte dosjen më të mirë. Por për miratimin u duhej të dinin nëse kish kaluar një “përjetim të thellë të mohimit”. Pra, nëse kish patur të aktivizuar një mekanizëm mbrojtës të mendjes, përmes të cilit, në mënyrë të pavetëdijshme, kish mbyllur sytë përballë fakteve, realiteteve apo përvojave tepër të dhimbshme, kërcënuese apo dërrmuese për t’u përballuar drejtpërdrejt. Një lloj mburoje e heshtur që zbut përplasjen me të vërtetën, duke i lejuar njeriut të mbijetojë emocionalisht përmes heshtjes selektive ndaj asaj që e trondit.
Moza, e hutuar, në drojën e një përcaktimi kaq të fortë e paragjykues për shoqërinë nga vinte, refuzon të përgjigjet. Njoftimi i keqardhur për cilësinë e dosjes që nuk shmangte dot refuzimin e pranimit të aplikimit për Doktoraturën për shkak të mungesës së vijueshme të përgjigjes prej saj arkivohet në sirtarët e ëndrrave të Mozës.
Por si në një thirrje karmike, zv. Dekani që kish analizuar dosjen e saj gjen krejt papritur në bibliotekë botimin e Mozës, “Gruaja Haluçinante”, përkthyer me titullin “Milchkuss” (Puthje qumështi). E lexon me një frymë dhe i shkruan pa asnjë ngurim zyrtarisht: “Dosja juaj është pranuar pas vlerësimit për përvojën e mohimit, vërtetuar plotësisht prej librit tuaj”.
Moza kish “lindur” pas një “shtatzanie” të lodhshme plot eksperienca “mohimi” në atë botim, të vlefshme për disa e jo veç një Doktoraturë.
Seni dytë: Moza, vite më parë njihet online me një djalë nga Hollanda. Mënyra e saj e të shkruarit, magjia kimike e komunikimit me një mendje të bukur si e saja, pamja rinore e një gruaje që s’di ta dëshmojë moshën si rrjedhë lineare kohore, apo ndoshta një nevojë e brendshme e një 33 vjeçari për të gjetur ndihmë ndaj një vuajtjeje fizike ende pa emër, a ndoshta të gjitha bashkë, i bashkojnë në një shtëpi në Tiranë me pandeminë në mes.
Ai diagnostikohet me Sclerosa Multipla në kufijtë e invaliditetit, Moza i shërben me devotshmëri motrash medicinale. E financon kurimin e tij, e mban, e ushqen, e vendos në rehabilitim. I përkushtohet me gjithsej pa e përkufizuar dot arsyen, pa guxuar t’i vendosë një emër. Tretet nga lodhja e mundimi, duke lënë kilogramë dhe veten mënjanë.
Kur ai tenton të ikë, disa herë, ajo ndjen se “normaliteti” i jetës pa të e gërryen më thartë se “mundimi” i shërbimit ndaj tij. Dëshira e saj e pazëshme, nevoja e tij e papërballueshme i rikthejnë sërish bashkë, në një apartament në dhoma të ndara dhe Moza mendon thënien e dikurshme të të atit: “Hajde Moza se edhe e keqja më e madhe vjen për hajër”.
Moza e bënte gjithçka pa menduar se ky mund kaq njerëzor e torturues, sipas ligjit të karmës do ta shpërblente dikur.
Patjetër shpirtrat e vuajtuar prodhojnë madhështi të një lloji tjetër, ama nuk e di a është kjo vëmendje e dashuri që po përjeton Moza sot, shpërblimi i merituar i saj. Sipas ligjit karmik.
Por nëse ia dëgjoni intervistat në kohë, ku ndryshe nga arti i saj abstrakt, ajo flet me nge e prozë poetike më të shkriftuar do të kuptojmë sa me vonesë në këtë takim me Mozën, në këtë thuajse venerim për Mozën e Fermës.
Moza është bibliotekë ambulante, që fati e desh të vendosej në një reality ku vëmendja jonë e dërrmuar nga shkretina kulturore e shpirtërore, englendiset më kollaj. Por ajo nuk ia lejon abstraktes t’i mbështilles konkretes, asaj ku Moza përulësisht e njerëzisht bëhet një nga ne.
Dëgjojani intervistat Mozës! Mandej lexojani edhe librat, soditjani pikturat, shijojani albumet muzikore. E përmidis, takojeni në Fermë. Veç mirë ju bën ky melhem kombëtar.

Artikuj të lidhur

Back to top button