BlogEditorialEkonomiKryesoreOpinions

EDHE KURRUPSION, EDHE RRITJE EKONOMIKE!

Nga Irena Beqiraj-
Kryeministri bëri një pyetje retorike: “A mund të kemi edhe korrupsion edhe rritje ekonomike në të njëjtën kohë?”
Megjithëse kryeministri e shtroi këtë pyetje jo për të marrë një përgjigje, por si një paradoks, ai synonte të tregonte se rritja ekonomike përjashton korrupsionin. Apo thënë ndryshe, rritja ekonomike është dëshmi se nuk ka korrupsion.
Ky është një keqkuptim.
Mendoni për pak çaste disa individë të verbër që prekin një elefant. Duke dashur ta përshkruajnë atë që prekin, secili do të arrijë në një përfundim të ndryshëm. Njeriu që prek këmbën thotë se elefanti është një shtyllë, ai që prek bishtin thotë se elefanti është një litar, dhe kështu me radhë.
Për shkencëtarët e shkencave sociale, dëshira njerëzore për të përgjithësuar nuk njeh kufi. Edhe kur flasin për korrupsionin dhe efektin e tij në rritjen ekonomike, njerëzit prekin pjesë të ndryshme të elefantit, duke dalë me dhjetëra, nëse jo qindra shpjegime të ndryshme.
Me sa duket edhe kryeministri është njëri prej tyre.
Një profesor i vjetër dikur shpjegonte: “Ekonomia rritet edhe kur paguan për hapjen dhe mbylljen e një grope pa ofruar asgjë.” Kjo tregon se më shumë se rritja, rëndësi kanë faktorët e rritjes.
Edhe korrupsioni sidomos ai që bëhet mbi tavolinë nuk është përjashtuar nga këto faktorë, duke ndikuar kështu në karakteristikat e rritjes ekonomike.
Hapja e ekonomisë në fillim të viteve 1990 u shoqërua me evolucionin e korrupsionit.
Me zhvillimin e ekonomisë së tregut, nga korrupsioni i zakonshëm i shitësve të djathit që vidhnin në peshore, apo bakshisheve për zyrtarët në nivelet më të ulëta të administratës, u zhvilluan dy forma më të sofistikuara dhe të përqendruara të korrupsionit:
•Transferimet e mëdha të vlerave përmes tenderave dhe konçensioneve , edhe
•Korrupsioni i aksesit, ndryshe i quajtur “kapja e shtetit”.
Kur shteti kapet, oligarkët, kompanitë më të mëdha dhe rrjetet kriminale nuk thyejnë më rregullat, por i shkruajnë ato, duke e kthyer gjithë makinerinë ekonomike në një mekanizëm për pasurimin dhe fuqizimin e tyre.
Analizimi i rritjes ekonomike pas viteve 1990 tregon se nga viti 2000 deri në 2008 ritmet e rritjes ishin të shpejta (mesatarisht mbi 6% në vit) dhe gjithpërfshirëse, duke përfshirë edhe të varfrit. Ndërsa që prej vitit 2008, Shqipëria ka përjetuar një ngadalësim të ritmeve të rritjes, dhe, për më keq, rritja ka humbur karakterin gjithëpërfshirës, ku 40 % e shqiptarëve jetojnë akoma në kufijtë e varfërisë.
Për të qenë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, rritja ekonomike kërkonte reforma strukturore që do të rrisnin jo vetëm ekonominë, por edhe produktivitetin e saj. Por qeveria shqiptare zgjodhi rrugën më të lehtë. Ajo rriti shpejtësinë dhe madhësinë e transaksioneve, duke përqendruar të gjitha burimet — si toka, asete dhe të drejtat e tjera — në pak duar, përmes ligjeve të veçanta, politikave dhe vendimmarrjeve preferenciale.
Kjo mënyrë e rritjes, nga viti 2015 deri sot, është shoqëruar me uljen e produktivitetit. Struktura ekonomike që kemi sot ka nga njëra anë një grusht të vogël investitorësh strategjikë që prodhojnë kryesisht ndërtim, të shoqëruar me një garniturë turistike, që menaxhojnë porte aeroporte , rrugë e asete të tjera shtetërore të marra pa garë ,dhe nga ana tjetër qindra mijëra dyqanxhinj që ofrojnë shërbime me produktivitet të ulët.
Rritja ekonomike e siguruar nëpërmjet kapjes së shtetit jo vetëm vrau garën në ekonomi ku çdo treg ka marrë trajtën e oligopokit por, na ka lënë larg modelit ekonomik të Shekullit 21, të quajtur “produktivizëm”, ku synohet zhvillimi i sektorëve produktivë dhe krijimi i punës më të mirë për gjithë fuqinë punëtore, duke rritur mirëqenien e përgjithshme.
Pra, duhet të informohet kryeministri se korrupsioni ndikon në rritjen ekonomike, dhe rritja ekonomike gjithashtu ndryshon mënyrën se si kryhet korrupsioni. Madje, është e dukshme se në kushtet e mungesës së konkurencës, inovacionit dhe dijes, korrupsioni ka gjasa të mbetet faktori dominant i rritjes ekonomike, e cila, si rrjedhim, do të jetë gjithmonë e pamjaftueshme, e paqëndrueshme dhe jo gjithëpërfshirëse.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Artikuj të lidhur

Back to top button