
Procesi i riorganizimit të strukturave të Partisë Socialiste në kryeqytet ka vijuar në Njësinë Administrative nr. 4, me zhvillimin e Asamblesë në këtë njësi, në kuadër të një faze të re pune për socialistët e Tiranës.
Në Asamblenë e Njësisë 4 morën pjesë Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama, Drejtuesja Politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu dhe drejtuesit politikë të njësisë, Blerina Gjylameti dhe Eduart Shalsi.
Fokusi i kësaj faze mbetet forcimi i strukturave në çdo lagje, zgjerimi i partisë përmes përfshirjes së të rinjve, grave dhe vajzave, si dhe intensifikimi i komunikimit me qytetarët për shqetësimet e tyre, për punët e realizuara dhe për projektet që pritet të konkretizohen në vijim për Tiranën dhe Shqipërinë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e një rifreskimi të brendshëm të strukturave dhe një angazhimi më të madh në terren, duke vendosur theksin te lidhja e drejtpërdrejtë me qytetarët.
“Ky është momenti për të filluar punën dhe për të projektuar fitoren e ardhshme të zgjedhjeve vendore dhe duke bërë atë që duam të bëjmë si askush tjetër, të fillojmë përsëri nga vetja, nga organizimi dhe rientergjizimi në radhë të parë i forcës sonë politike.
Ne fitojmë se jemi forca më e madhe dhe forca më e organizuar në këtë vend. Ne fitojmë se jemi një parti politike e cila asnjëherë nuk ka folur vetëm me veten gjatë kësaj periudhe që kur morëm mandatin e parë, por gjithmonë është përpjekur që të flasë me njerëzit dhe të kuptojë njerëzit. Jemi një forcë politike që kemi thënë atë që duam të bëjmë dhe kemi bërë atë që kemi thënë,” u shpreh ai.
Ndërkohë, Drejtuesja Politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu, u ndal te nevoja për një hapje më të madhe të partisë dhe për një komunikim më të afërt me qytetarët në çdo komunitet.
“Është e rëndësishme që të gjithë së bashku të angazhoheni në këtë fazë të rientergjizimit të Partisë Socialiste për ta hapur Partinë Socialiste edhe më shumë ndaj vajzave, grave dhe të rinjve, duke përcuar gjithashtu punët e mira që qeveria është duke bërë, ato që ne po çojmë përpara, reformat gjithashtu në kuadër të procesit të integrimit europian. Të flasim hapur sy më sy me njëri-tjetrin në çdo organizatë dhe në çdo komunitet,” theksoi Manastirliu.



